E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështirë për Prishtinën

Të dielën do të zhvillohet xhiroja e 25-të e Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa ndeshje mjaft interesante, ndërmjet skuadrave që po luftojnë për titull të kampionit, me ekipet e rrezikuara për të rënë nga elita.

Ndeshje e tillë është edhe ajo ndërmjet Ferizajt dhe Prishtinës, e cila tashmë ka hyrë seriozisht në luftë për titull të kampionit. Ferizajasit nuk guxojnë të pësojnë humbje në këtë takim, sepse mund të përfshihet në luftën për mbijetesë bashkë me tri skuadrat e fundit të tabelës - Gjilanin, Kosovën (V) dhe Vëllaznimin.

Ferizajasit në të tria ndeshjet e fundit kanë pësuar disfata, andaj kryetrajneri i kësaj skuadre, Arsim Abazi thotë se futbollistët e tij në ballafaqim me Prishtinën duhet ta ndërpresin këtë seri negative të rezultateve.

“Prishtina po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme dhe do ta kemi shumë vështirë në përballje me ekipin kryeqytetas. Megjithatë, ne maksimalisht do të angazhohemi në këtë takim që t’i fitojmë të tri pikët dhe ta kthejmë vetëbesimin te lojtarët pas këtyre tri humbjeve të fundit”, deklaroi Abazi për Express.

“Fitorja do të ishte shumë e rëndësishme për ne, sepse në rast se humbim, atëherë do të përfshihemi në luftë për mbijetesë”, shtoi ai.

Për dallim prej Ferizajt, bardhekaltrit kanë shënuar tri fitore në tri ndeshjet e fundit, madje kanë triumfuar në Pejë ndaj Besës (0:1) dhe së fundmi në kryeqytet mposhtën Trepçën (1:0), dy skuadra këto si më favoritet për titull të kampionit.

Prandaj, kryetrajneri i skuadrës prishtinase, Ramiz Krasniqi pohon se ekipi i tij është i motivuar dhe se do të tentojë t’i fitojë pikët e plota në duel me Ferizajn, ndonëse Krasniqi thotë se për ekipin e tij i favorshëm do të ishte edhe një barazim eventual.

“Prej ndeshjes në ndeshje, skuadra ime po luan më mirë. Por, ndaj Ferizajt do ta kemi shumë vështirë dhe më të vështira punët për ne do t’i bëjë fusha e papërshtatshme për lojë, pas këtij moti me shi. Kemi konsideratë ndaj Ferizajt, i cili edhe pse ka humbur në këto ndeshjet e fundit, ka luajtur mirë”, tha Krasniqi për Express.

“Ne synojmë ta nxjerrim një rezultat pozitiv. I favorshëm për ne do të ishte edhe një barazim eventual, por nëse na jepet rasti, do të tentojmë t’i fitojmë të tri pikët”, theksoi Krasniqi.

Ndërsa, lideri aktual Trepça, edhe pse të dielën do të luajë në shtëpi, nuk do ta ketë lehtë përballë Drenicës, sepse kuqezinjtë në pesë xhirot e fundit i kanë shënuar katër fitore dhe një herë kanë barazuar. Mitrovicasit para tri xhirosh qenë mposhtur në Skenderaj pikërisht nga Drenica me rezultat 2:0.

Ndërsa, pretenduesi tjetër për titull, Besa në shtëpi e pret skuadrën e rrezikuar, Kosovën e Vushtrrisë, sikurse KEK-u e Hysi, që i presin dy ekipet e tjera po ashtu të rrezikuara, Vëllaznimin, përkatësisht Gjilanin.

Superliga – xhiroja e 25-të
E diel
Ferizaj – Prishtina
Trepça – Drenica
Besa – Kosova (V)
KEK-u – Vëllaznimi
Hysi – Gjilani
Liria – Flamurtari
Të gjitha ndeshjet fillojnë në ora 15:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›