E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Raporti i BE-së, si nata me ditën me 2005

 

Kryeministri Sali Berisha, tha dje se progres raporti i këtij viti i publikuar nga Komisioni Evropian është si nata me ditën me të njëjtin dokument të 3 viteve më parë. Sipas kreut të qeverisë, raporti vlerëson përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. "Dje Komisioni Evropian dorëzoi raportin, një raport, i cili ndryshon si nata me ditën, si e bardha me të zezën me raportin e vitit 2005. Ky raport afirmon plotësisht luftën e suksesshme të qeverisë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, përpjekjen e madhe për ndërtimin e ekonomisë së tregut dhe të institucioneve të saj", theksoi Berisha. Kreu i qeverisë akuzoi dje nga Vlora edhe kreun e PS-së Edi Rama dhe kryetarin e asamblesë kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi. "Përballë kësaj alternative, e cila bazohet në premtimet e mbajtura, ka dhe një alternativë tjetër, ajo e mashtrimit, politika e re e xhaketës së Ruçit dhe Ramës. Ju jeni vetë të mençur dhe dini të zgjidhni. Me xhaketat e Ruçit dhe të Edi Ramës shkohet drejt të së shkuarës ndërsa ne me ndërtimet, me rrugët, me shkollat, me përpjekjet tona për integrim, me ftesën e Shqipërisë për në NATO, ne ecim të sigurt drejt të ardhmes", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›