Mosbindja civile, bllokim i njëkohshëm rrugësh në tetë rrethe
Mosbindja civile, forma e re e protestës së socialistëve, ka shënuar dje një aksion të organizuar në tetë rrethe. Në mënyrë të organizuar, anëtarët dhe simpatizantët e PS-së dhe partive aleate bllokuan në të njëjtën kohë dje në mesditë disa akse rrugore kombëtare në Tiranë, Durrës, Kurbin, Shkodër, Berat, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
TiranëNë Tiranë, protestuesit që priheshin nga deputeti Xhemal Qefalia, kanë bllokuar Urën e Farkës dhe nuk e kanë lejuar lëvizjen e automjeteve drejt Elbasanit dhe anasjelltas. Dhjetëra protestues të mbledhur kryesisht nga fshatrat e Tiranës janë ulur në asfalt, duke paralizuar lëvizjen e mjeteve dhe nuk u janë bindur thirrjeve të policisë për lirimin e rrugës. Në vend kanë shkuar pas disa minutash krerët e Policisë së Tiranës, si dhe një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Policia ka përdorur forcën dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë protestuesit, të cilët nuk pranonin të lëviznin nga rruga. Pas disa minutash, lirimi i rrugës është bërë në mënyrë paqësore.
KurbinShefi i Komisariatit të Policisë së Kurbinit dhe deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga, janë përleshur dje gjatë protestës së organizuar nga PS-ja. Anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste të Kurbinit, me në krye deputetët Gjok Jaku dhe Armando Prenga, bllokuan në orën 14.00 superstradën Fushë-Krujë - Lezhë. Ata u mblodhën në kryqëzimin e rrugës së Patokut dhe u ulën në asfalt. Protestuesit paralajmëruan se nëse qeveria nuk do të reagojë, ata do të dalin përsëri në rrugë, duke e bllokuar atë. Protesta nisi e qetë dhe u shoqërua nga forca të shumta policie, por situata u acarua me mbërritjen e shefit të Komisariatit të Kurbinit dhe një grupi të FNSH-së së Shkodrës. Kryepolici i Kurbinit, pasi u kërkoi protestuesve të lirojnë rrugën, ka nisur largimin e tyre me forcë. Për këtë arsye, ai pati një përplasje fizike me deputetin e Laçit, Armando Prenga. Ndërhyrja e deputetit tjetër, Gjok Jaku, bëri që situata të mos degradonte. Pas disa minutash protesta u shpërnda paqësisht.
DurrësEdhe në Durrës simpatizantë të Partisë Socialiste kanë dalë në mbështetje të grevistëve të urisë, duke bllokuar superstradën Tiranë-Durrës, në hyrje të qytetit bregdetar. Protesta është shoqëruar me konfrontime mes forcave të policisë dhe protestuesve që kanë kundërshtuar lirimin e rrugës. Shërbimet e policisë së qarkullimit rrugor i kanë orientuar të gjitha automjetet në një lëvizje të detyruar përmes unazës së re, pasi rruga është bllokuar në hyrje të superstradës. Policia e ka konsideruar protestën të paligjshme dhe ka ndërhyrë për të zhbllokuar superstradën, megjithatë protestuesit kanë vijuar për afro 30 minuta të mbajnë të bllokuar këtë aks rrugor. "Drejtues të Policisë së Durrësit na kanë kërcënuar se do të na arrestojnë, ndërsa ish-truproja e Sali Berishës, Sali Lusha, na provokoi duke u futur mes turmës me makinë", thanë protestues të ndryshëm, të cilët pas protestës u shpërndanë në mënyrë paqësore. Por pasdite, Partia Socialiste ka deklaruar se Policia e Durrësit ka kërcënuar të rinjtë e FRESSH që morën pjesë në protestë. Sipas deklaratës së PS-së, dy inspektorë policie në Durrës kanë shkuar në banesat e të rinjve, duke u kërkuar familjarëve të tyre paraqitje në komisariat. Për këtë arsye, FRESSH organizoi një tubim përpara Drejtorisë së Policisë, ku iu bë apel policisë të respektojë ligjin dhe figurën jo politike të uniformës.
ShkodërSimpatizantë të PS-së kanë mbajtur të bllokuar për rreth 30 minuta rrugën nacionale Shkodër-Tiranë. Protestuesit kanë qëndruar në rrugën kryesore në vendin e quajtur kryqëzimi i Bushatit, duke bllokuar kështu lëvizjen e automjeteve që vinin nga Tirana në drejtim të Shkodrës e Tropojës dhe anasjelltas. Një nga drejtuesit e kësaj proteste, Keti Bazhdari, tha për mediat se “protesta e socialistëve të Shkodrës ka të bëjë me reagimin e shoqërisë civile kundër kësaj krize politike, ekonomike dhe sociale që po shkaktohet nga qeveria, ndaj dhe protestat paqësore qytetare do të përshkallëzohen". Ndërkohë forca të shumta të policisë dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë kanë vëzhguar nga afër protestën, që u mbyll pa incidente.
BeratSocialistët e Beratit bllokuan dje për rreth 60 minuta rrugën që lidh Beratin me Lushnjën, Fierin dhe pjesën tjetër të vendit. Të mbledhur nga rrethet Berat, Kuçovë e Skrapar, protestuesit janë ndalur rreth orës 13.00 në kryqëzimin e Poshnjës, në hyrje të akseve Berat-Lushnjë dhe Berat-Fier. Në krye të protestuesve kanë qenë deputetët Fidel Ylli dhe Erjon Braçe, si dhe drejtues të bashkive dhe komunave të majta. Policia ishte njoftuar prej disa ditësh për zhvillimin e kësaj proteste dhe kishte marrë masat për bllokimin e akseve rrugore. Protestuesit u solidarizuan me socialistët që ndodhen në grevë urie në Tiranë dhe bënë thirrje për largimin e Kryeministrit Berisha dhe për hapjen e kutive të zgjedhjeve të vitit të kaluar. Protesta krijoi probleme të mëdha në trafik, duke lënë për më shumë se një orë në rrugë qindra makina.
FierPartia Socialiste dhe aleatët e saj në Lushnjë, Mallakastër dhe Fier bllokuan dje për rreth 30 minuta autostradën Lushnjë–Fier, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Kolonjës. Ata kanë qëndruar të ulur këmbëkryq apo të shtrirë në mes të rrugës, së bashku me deputetët Bashkim Fino dhe Arben çuko. Që nga ora 13.15 deri në 13.45, protesta ka shkaktuar bllokim total të trafikut, ndërsa policia ishte prezente për të menaxhuar situatën që gjithçka të kalonte pa ndonjë ngjarje të pakëndshme. Deputeti Bashkim Fino tha se protestat paqësore do të përshkallëzohen deri në zgjidhje të këtij ngërçi politik dhe social.
VlorëNë qytetin e Vlorës, protestuesit janë vendosur në hyrje të qytetit, në vendin e quajtur “Pusi i Mezinit” dhe kanë bllokuar lëvizjen e automjeteve. Për rreth 30 minuta rruga është bllokuar, por mes protestuesve dhe policisë nuk ka pasur konfrontime. Por, pas kësaj proteste, kreu i Konfederatës së Industrisë së Vlorës, Kujtim Myrto, dhe sekretari i PSD-së së Vlorës, Festim çobo, janë shoqëruar në komisariat të akuzuar për bllokim të rrugës. Ata po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.
GjirokastërNjë tubim në mbështetje të grevës së urisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është zhvilluar dje në mesditë edhe në hyrje të qytetit të Gjirokastrës. Për të demonstruar kishin dalë rreth 120 protestues nga qyteti dhe rrethinat e Gjirokastrës, të cilët ndërprenë qarkullimin në rrugën që lidh Shqipërinë me Greqinë. Mes protestuesve që zunë vend në afërsi të varrezave të dëshmorëve, në hyrjen veriore të qytetit, kanë qenë të pranishëm edhe dy deputetët Ethem Ruka dhe Arta Dade. Protesta e paralajmëruar për t’u zhvilluar në sheshin hyrës pranë varrezave është zhvendosur rreth 50 metra më poshtë për të bllokuar rrugën nacionale Kakavijë-Gjirokastër-Tepelenë për rreth 30 minuta. Nga oratorët, pjesëmarrësve në këtë protestë u është bërë thirrje për të qenë të pranishëm në protestën e së premtes në Tiranë.
#