E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Ujësjellësit: Shkaku mund të jenë ushqimet

Autoriteti Analizat e thjeshta të ujit tregojnë parametra brenda normave

Gjatë gjithë mbrëmjes së të hënës deri në të aguar të ditës së martë, drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Shyqo Metaj, kryeinxhinieri, si edhe pothuajse të gjithë punonjësit e ndërmarrjes janë marrë në pyetje nga policia. Gjithashtu edhe rojat e depove nuk i kanë shpëtuar pyetësorit të ekspertëve të policisë. Drejtori Shyqo Metaj, në prononcimin e tij për gazetën “Shqip”, ka thënë se analizat e 15-ditëshit të parë të muajit maj kanë treguar se uji është brenda parametrave dhe është klorinuar brenda normave. “Ne si ujësjellës kryejmë analiza për ujin një herë në 15 ditë. Për këtë periudhë të parë të muajit maj i kemi kryer dhe çdo gjë ka qenë në rregull. Ndërkohë që edhe mbrëmjen e kaluar u bënë analizat, të cilat treguan se parametrat janë normalë. Pritet që përgjigjet e Tiranës të japin më tepër detaje lidhur me cilësinë e ujit”, tha drejtori Metaj. Më tej ai ka shtuar se dyshohej për ndonjë mbidozim të sasisë së klorit, por analizat kanë treguar se nuk ishte kështu.
Ndërkaq, kreu i Ujësjellësit thotë se helmimi mund të jetë shkaktuar edhe nga ushqimet e helmuara. “Mielli i helmuar ndoshta apo edhe perimet mund të jenë shkak helmimi”, tha Metaj, i cili nuk përjashton edhe mundësinë e ndonjë vatre ndotjeje në tubacionet amortizuara që sjellin ujin nga vendburimi në depo. Ai tregon se Ujësjellësi i Ballshit ka nën administrim tri depo, të cilat ndodhen në Usojë, në Qafën e Kashit dhe në pjesën jugore të qytetit, vetëm pak metra larg spitalit. Ndërkohë, sipas drejtorit Metaj, mësohet se vendburimi i Poçemit nga merr ujë pothuajse i gjithë rrethi i Mallakastrës, administrohet nga KPTHN që është pronë e kompanisë “Taçi Oil”.
Ujësjellësi i Ballshit është ndërtuar në vitin 1972 dhe prej atëherë nuk ka pasur asnjë investim.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›