E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Duhet një kuadër i fortë ligjor për titujt e pronësisë, vënë në rrezik bankatNga TemaBanka e Shqipërisë ka theksuar shqetësimet e saj në rritje për rrezikun e madh që ekziston në sistemin bankar në vend, sidomos në kushtet kur efektet e krizës e

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

BSH: Duhet një kuadër i fortë ligjor për titujt e pronësisë, vënë në rrezik bankatNga Tema

Banka e Shqipërisë ka theksuar shqetësimet e saj në rritje për rrezikun e madh që ekziston në sistemin bankar në vend, sidomos në kushtet kur efektet e krizës ekonomike kanë prekur ekonominë e vendit. Banka e Shqipërisë në të vërtetë e ka zgjeruar perimetrin e shqetësimeve të saj duke thënë se një pjesë e treguese të ekonomisë janë përkeqësuar dhe padyshim që prej andej buron edhe rreziku për të vënë në vështirësi të mëdha edhe sistemin bankar. Si pasojë e krizës është rritur portofoli i kredive me probleme. Në një situatë të tillë, Banka e Shqipërisë ka rekomanduar masat që duhen marrë për kapërcimin e krizës. Sipas BSH, duhet të krijohet një kuadër i fortë ligjor për titujt dhe të drejtat e pronësisë. Në fakt një gjë e tillë është kërkuar shpeshherë edhe nga ndërkombëtarët. “Lidhur me sektorin financiar, besojmë se edhe ai ka nevojë për vendosjen e rregullave të caktuara, që në të ardhmen do të mbështesin një zhvillim më të sigurt dhe më të ekuilibruar të industrisë financiare në përgjithësi dhe të sektorit bankar në veçanti”, - është shprehur kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një Samitin rajonal të Guvernatorëve dhe Bankierëve të organizuar pak ditë më parë në Mali të Zi. Sipas tij, BSH do të mbështeste çdo masë të tillë që do të kontribuonte në krijimin e një kuadri të fortë ligjor për titujt dhe të drejtat e pronësisë në Shqipëri, të cilat nga ana e tyre do të ndihmonin në zhvillimin e tregut të mjeteve jofinanciare dhe në rritjen e transparencës për çmimet dhe së fundi, do të forconin procesin e vlerësimit të rrezikut. Së dyti, duhet të bëhen përpjekje për të zhvilluar tregun financiar jobankar dhe tregun e kapitalit në përgjithësi. “Kur bëhet fjalë për kuadrin mbikëqyrës dhe rregullator të sektorit bankar, jam në favor të ndryshimeve të nevojshme, për ta bërë atë më pak prociklik. Në rastin e Shqipërisë, ku nivelet minimale të kapitalit të kërkuar janë tashmë të larta, unë do të isha në favor të futjes së një modeli provigjonimi dinamik, të përshtatur me strukturën e biznesit dhe me nivelin e sofistikimit teknik të sektorit bankar. Madje, në një pozicion më të përgjithshëm, do të mbështesja rishikimin e kuadrit rregullator drejt qartësisë dhe thjeshtësisë, ndonëse kjo mund të interpretohet sikur po mbështes më shumë një metodë të mbikëqyrjes të bazuar në rregulla”, - ka thënë guvernatori. Ai ka rekomanduar që të rritet kredidhënia në monedhën vendase. “Kur bëhet fjalë për të zgjedhur ndërmjet huadhënies në monedhën vendase apo në atë të huaj, duhet të mbahen parasysh shumë gjykime lidhur me natyrën e rrjedhjes së monedhës në vend, problemet në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, natyrën e regjimit të kursit të këmbimit, përbërjen e monedhës së mjeteve dhe detyrimeve të sektorit bankar etj. Në këtë drejtim, ne duhet të mbështesim një rol më të fuqishëm të monedhës vendase në kredidhënien bankare, duke e bërë kredidhënien në valutë më të kushtueshme për bankat, nëse ajo nuk mbështetet nga kursimet me pakicë në valutë. Kështu, mbështetja e tepërt e bankave në burime financiare me shumicë në valutë për të mbështetur kredidhënien e shpejtë, duhet të trajtohet dhe menaxhohet në kohën e duhur”, - është shprehur guvernatori. Banka e Shqipërisë ka kërkuar me forcë që të krijohet një kuadër i fortë ligjor për titujt dhe të drejtat e pronësisë në Shqipëri dhe të bëhen përpjekje për të zhvilluar tregun financiar jobankar dhe tregun e kapitalit në përgjithësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›