E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosdekretimi i Kodit nga presidenti, reagon Topalli dhe PS-ja

Tiranë- Mosdekretimi i Kodit Zgjedhor është kritikuar ashpër nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Nga Londra ku gjendet për një vizitë, Topalli është shprehur se me këtë veprim Topi ka treguar se është përfaqësues i të vegjëlve. Sipas saj një ligj i miratuar me 112 vota pro dhe i hartuar me konsensus të gjerë nuk kishte asnjë lloj arsye të kthehej nga Presidenti. “Topi i kishte të gjitha mundësitë të dekretonte ligjin në kohë”, tha Topalli.

“Kjo nuk është hera e parë që Topi del kundra mazhorancës. Por kësaj radhe ka treguar qartë se është përfaqësues i të vegjëlve”, shtoi Kryeparlamentarja.

Ndërkohë më me bonsens është pritur ky mosdekretim nga Partia Socialiste. Në një deklaratë për mediat opozita bën të ditur se “Presidenti nuk ka pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës, por, pavarësisht kësaj ne do të votojnë në Kuvend saktësimin juridik”.

Përmes një deklarate për shtyp, PS-ja e ka quajtur afatin e parashtruar nga Topi, si një parim të përgjithshëm që vendoset në Kodin Zgjedhor, duke shtuar se Presidenti nuk ka pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës. Por, pavarësisht kësaj, është e gatshme të votojë saktësimin pa humbur kohë.

“Partia Socialiste e mirëkupton kërkesën e Presidentit të Republikës për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me afatin ligjor për nxjerrjen e dekretit për datën e zgjedhjeve,pavarësisht faktit se në këndvështrimin tonë ky afat është një parim i përgjithshëm që vendoset në Kodin Zgjedhor dhe Presidenti nuk ka aktualisht asnjë pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës”- thuhet në deklaratë.

PS-ja, sipas deklratës, pasi u njoh me dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të projekt ligjit për Kodin Zgjedhor, çmon vlerësimet e bëra nga Presidenti në letrën sqaruese të dekretit për punën e bërë për Kodin e Ri Zgjedhor dhe për standardet e mishëruara në të për sa i përket administrimit të zgjedhjeve në vend.

“Jemi të gatshëm që pa humbur kohë të votojmë në Kuvend për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me nenet 8 dhe 9”- saktësohet në të.

Kodi Zgjedhor ka qenë ligji më i debatuar. Pas debateve për komisionin e hartimit të tij, pakënaqësive të të vegjëlve dhe grevës së urisë së Ilir Metës, tani Kodi Zgjedhor kalon edhe një pengesë tjetër. Mosdekretimin nga ana e Presidentit të Republikës. Kodi Zgjedhor u hartuar nga një grup deputetësh e juristësh nga opozita dhe mazhoranca, kryesuarnga Ilir Rusmajli dhe Fatmir Xhafa dhe u miratua 12 dite me pare ne Parlament.

Kthimin e këtij ligji, Presidenti Topi e ka bërë me motivacionin e mospërputhjes së afateve kohore.

Topi ka sqaruar se në Kodin Zgjedhor ka një klauzolë e cila shpreh detyrimin e Presidentit në funksion të kohës për të dekretuar datën e zgjedhjeve dhe saktësisht: “Presidenti është i detyra që jo më afër se 9 muaj përpara të dekretojë datën e zgjedhjeve. “Unë edhe sikur të kisha firmosur dekretin, duhet 2 javë të kalonte në fletoren zyrtare dhe përfytyroni se ku është 9 muajshi. I bie që zgjedhjet e pranverës kalojnë të bëhen në vjeshtë”, tha Topi.

Por duket se ky argument nuk e ka bindur aspak Kryeparlamentaren dhe njëkohësisht nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topalli. “As Mbretëresha e Anglisë nuk do të kishte kthyer një ligj që dëmton vendin e saj edhe pse është një republikë monarkike”. Kështu është shprehur Topalli duke marrë shkas nga vizita e saj në Britani për të bërë krahasimin për Presindentin Bamir Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›