Antidroga në Itali, arrestohen 20 shqiptarë
Itali- Policia italiane ka arrestuar 20 shqiptarë gjatë një operacioni antidrogë. Sipas mediave italiane hetimet për ndjekjen e grupit që merrej me trafikun e drogës dhe shfrytëzimin e prostitucionit kishin nisur 15 muaj më parë dhe ishin shtrirë në disa zona të Italisë, Pistoia, Pisa, Massa dhe Lombardi.
Nga hetimet paraprake, kapoja i grupit është një 40-vjeçar me emrin Artur Lamkja, qytetar shqiptar dhe rezident në Luka, por që aktualisht ndodhet në Shqipëri, pasi ishte dëbuar nga Italia. Mësohet se ai ka vazhduar të organizojë trafikun e drogës, duke shfrytëzuar kontaktet që ka me persona në veri të Evropës. Në këtë mënyrë janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që droga të depërtojë në Itali, destinuar posaçërisht për Lukën, Pistojën dhe Masën.
Bashkë me 20 të arrestuarit janë në hetim 30 persona, janë sekuestruar 32 kg heroinë dhe kokainë dhe një sasi prej 62 mijë eurosh.