Samitin e ardhshëm, Shqipëria në NATO
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, mbledhur sot në Bluksel shprehën bindjen se në Samitin e ardhshëm Shqipëria do të anëtarësohet me të drejta të plota në këtë aleancë.
Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit pranë MPJ-së, Ministeriali vjetor i Aleancës në Bruksel, zhvilloi sot sesionin e dytë, në të cilin u diskutua mbi Kosovën, Afganistanin, u mbajt Mbledhja e Komisionit NATO-Gjeorgji, Komisionit NATO-Ukrainë dhe u miratua deklarata e Ministerialit.
Në këtë deklaratë Ministrat e Jashtëm të NATO-s u shprehën se "presin me padurim anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë, çka do t’i kontribuojë forcimit të sigurisë për të gjithë në zonën euroatlantike".
Shqipëria dhe Kroacia, thekson deklarata e Ministerialit të MPJ të NATO-s, kanë kryer tashmë reforma të rëndësishme dhe po japin kontribut domethënës ndaj sigurisë euroatlantike".
Deri tani protokolli i firmosjes së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është firmosur nga 9 shtete mes të cilave Turqia, vetëm pak ditë më parë firmosi protokollin, SHBA, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia. Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtarët e 27-të dhe 28 të Aleancës së Atlantikut. (atsh)