Idrizi, takim me tregtarët në njësinë 10: Do e kthejmë në treg normal
TIRANË- Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Presidenti i Nderit i kësaj partie, Tahir Muhedini, zhvilluan disa takime me tregtarët në Njësinë Bashkiake nr. 10 në Tiranë. Gjatë këtyre takimeve, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ftoi të gjithë banorët e kryeqytetit që të bashkohen me këtë parti në tubimin për mbylljen e fushatës që do të zhvillohet të enjten në orën 18:00 në Sheshin “Nënë Tereza”. “Unë ju ftoj të gjithëve që të bashkoheni me ne, në këtë aktivitet madhështor. Ju siguroj se do të jetë një ndër takimet më të bukur që keni parë në 20 vitet e fundit”, - u tha Idrizi, simpatizantëve të PDIU-së. Idrizi premtoi përmirësimin e kushteve të punës për të gjithë tregtarët, në një nga tregjet më të rëndësishme të kryeqytetit. Ai deklaroi se së bashku me tregtarët do të hartojnë dhe zbatojnë një projekt, që ta kthejnë këtë treg në një treg të mirëfilltë funksional. Pasi u njoh me problemet që ata hasin përditë, Idrizi u premtoi tregtarëve se do të këmbëngulë që ky treg të mos jetë i kalueshëm për automjetet gjatë orarit të ditës dhe që do të jetë i mbuluar, ashtu sikurse çdo treg normal. Idrizi deklaroi se me projektin ekonomik të PDIU-së, do të fuqizohen produktet shqiptare, si pjesë e programit për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.