E Shtunë, 31 Tetor 2026

SIDA, 17 raste të reja, në 6 muajt e parë të vitit

Sipas koordinatorit të Programit Kombëtar HIV/AIDS, Rrjepaj, rastet po vijnë gjithnjë në rritje

Vetëm për 6 muajt e parë të vitit, shënohen 17 raste të reja me virusin HIV/AIDS. Këtë pohon koordinatori i Programit Kombëtar HIV/AIDS në Institutin e Shëndetit Publik, Klodian Rrjepaj, i cli pohon se "rastet e konstatuara flasin për një shtim të numrit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”. “Tendenca në rritje e numrit të rasteve dhe vlerësimet, sugjerojnë një numër më të madh të rasteve të padiagnostikuara”,- pohon Rrjepaj duke shpjeguar se ky fakt shtron domosdoshmërinë për përmirësimin në mënyrë të vazhdueshme të sistemit të survejancës dhe promovimin e Qendrave të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar (VCT), në mënyrë të veçantë të grupeve vulnerable të popullatës. “Nga 17 rastet e reja të raportuara deri tani, rezulton se 65% janë meshkuj dhe 35% femra. 70% e këtyre rasteve janë zbuluar në Tiranë, ku 50% të tyre e zë grupmosha 35-44 vjeç”,- pohon Rrjepaj. Përsa i përket rrugës së transmetimit të virusit, rruga seksuale, sipas tij, vazhdon të mbetet mbizotëruese, qysh prej vitit 1993, kur u diagnostikua rasti i parë HIV pozitiv, ku 90 persona kanë shfaqur AIDS-in dhe 56 persona kanë vdekur nga kjo sëmundje. Që prej vitit 2004, janë 82 persona të rritur dhe 15 fëmijë që marrin trajtim medikamentoz falas nga shteti. Gjatë periudhës së parë të evoluimit të infeksionit HIV në Shqipëri (1993-2000) numri mesatar i rasteve të raportuar ishte 6-7 persona në vit. Në periudhën e dytë (2001- 2003) vihet re një dyfishim i numrit të rasteve, mesatarisht 20 raste të reja të diagnostikuara në vit, ndërsa në tre vitet e fundit, kjo shifër e ka kaluar numrin.

Sëmundjet e zemrës, 70% rimbursohen

Sëmundjet kardiovaskulare, të cilat zënë vendin e parë në sëmundshmërinë e përgjithshme të popullatës, rimbursohen me masën rreth 70%. Këtë e bëri të ditur Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH), duke theksuar se për këto sëmundje shpenzohet shumë. "Vendosja e kësaj mase mbulimi është parë me përparësi, si në aspektin shkencor (këto janë sëmundje me rrezikshmëri të lartë dhe përqindje të lartë invaliditeti) edhe në aspektin social (përhapja e gjerë në popullsinë me të ardhura më të ulëta)”, pohojnë burime zyrtare të ISKSH-së duke shtuar se ky është një risk me të cilin ISKSH- ja përballet sistematikisht, veçanërisht në vitet e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›