E djathta drejt modelit të Shtëpisë së Lirisë së Berluskonit
PD është duke trajtuar tre variantet për realizimin e një bashkëpunimi në prag të zgjedhjeve të ardhshme
PR nuk heq dorë nga kthimi i pronave tek ish-pronarët dhe kthimi në fuqi i ligjit për dënimin me vdekje
“Shtëpia e Lirisë” e drejtuar nga Silvio Berluskoni, mbetet modeli për t’u arritur nga e djathta shqiptare. Afrimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe aplikimi për herë të parë i sistemit proporcional-zgjedhor, ka vënë në lëvizje forcat politike shqiptare të të dyja krahëve për të gjetur një format të ri organizimi, i cili do të bënte të mundur dhe maksimizimin e rezultatit të votimit. Në përpjekje për të arritur një qëllim të tillë, e djathta dhe veçanërisht Partia Demokratike, si forca më e madhe e saj, është duke vlerësuar të gjitha opsionet e mundshme të cilat do t’i krijonin mundësi asaj, por edhe gjithë mazhorancës së sotme qeverisëse, për t’u rikonfirmuar si spektër qeverisës edhe për një mandat të dytë.
Variantet
Shkrirja në një forcë të vetme e të gjitha partive të së djathtës, krijimi i një federate pa patur asnjë shkrirje të ndonjë force politike me një tjetër dhe shkrirja e disave prej tyre dhe bashkimi në një federatë me të tjerat, janë tre variantet më të mundshme për t’u realizuar. Varianti i parë, ai i bashkimit të të gjitha partive politike të djathta në një formacion të vetëm nën siglën e PD-së, ose të ndonjë emërtimi të ri, duket se është edhe më i pamunduri. Burime pranë Partisë Demokratike bëjnë të ditur se strukturat e kësaj force janë duke e vlerësuar këtë mundësi, pavarësisht se mundësitë janë pothuajse zero. Problemi ka të bëjë me përpjekjen e disa forcave për të ruajtur identitetin e tyre, por edhe për shkak të dallimeve programore. Kështu, duket se më problem mbeten republikanët, të cilët nuk pranojnë të heqin dorë nga programi i tyre, në dy çështje: kthimi i pronave tek ish-pronarët dhe kthimi në fuqi i ligjit për dënimin me vdekje. Megjithatë problem nuk janë vlerësuar vetëm republikanët në këtë drejtim, pasi duket se edhe ballistët dhe legalistët janë të prirur për të mos humbur identitetin e tyre të hershëm politik, që para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këto arsye, ky variant mbetet pothuajse i pamundur për t’u realizuar. Një mundësi mbetet varianti i dytë, ai i organizimit të të gjitha forcave të djathta, në një federate të vetme, ku secila forcë të ruajë identitetin e vet politik, por që të organizohet dhe drejtohet nga një strukturë e përbashkët kolegjiale. Por pavarësisht anëve pozitive që ofron një format i tillë organizimi, ai mbetet ende pezull, për sa kohë disa forca të vogla të këtij spektri kanë shprehur dëshirën për t’u shkrirë në një forcë të vetme, me PD-në.
Federata
Nisur nga kërkesa e hershme e reformatorëve të Pollos, por edhe gatishmëria e liberalëve të Starovës për t’u bashkuar si një forcë e vetme me PD-në, ka bërë që kjo e fundit të konsiderojë si më të mundshmin, variantin e fundit, pra shkrirjen me PDR-në, PBLD-në dhe krijimi më pas i një federate me forcat e tjera, PR-në, PDK-të, PBK-në dhe PLL-në. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ky konsiderohet si varianti më i mundshëm, për të krijuar së pari mundësinë e një rezultati sa më pozitiv në zgjedhje, por edhe për të krijuar një spektër sa më pak të fragmentarizuar pas zgjedhjeve. Gjithashtu burimet bëjnë të ditur se tashmë, strukturat drejtuese të kësaj force janë duke vlerësuar dhe modelet që do të merren për të arritur këtë qëllim. Formati i së djathtës franceze dhe koalicioni i djathtë “Shtëpia e Lirisë” e Silvio Berluskonit, sipas të njëjtave burime, mbeten më të mundshmit për t’u realizuar edhe nga e djathta në Shqipëri. Gjithashtu, bëhet e ditur se vjeshta dhe pranvera e ardhshme pritet të jenë momentet kur dhe do të finalizohet ky projekt.
Demokristianët e Nard Ndokës e konsiderojnë Biankun si një gjykatës që turpëroi Shqipërinë