Moska në zi për viktimat, dyshime për atentatet vetëvrasëse
Rusia mbajti dje një ditë zie për viktimat që gjetën vdekjen, si pasojë e sulmeve të dyfishta në metronë e Moskës. Edhe pse janë marrë masa të forta sigurie, mbeteten ende mister organizatorët e këtyre sulmeve. Dy ditë më parë, qeveria deklaroi se atentatet ishin kryer nga dy gra çeçene, të ashtuquajtura “vejushat e zeza”, ose ndryshe, gratë që kanë humbur bashkëshortin ose djalin në Kaukazin Verior. Edhe pse Rusia i drejton akuzat mbi Çeçeninë, luftëtarët e rezistencës vlerësojnë se presidenti i këtij vendi, Ramzan Kadirov, kontrollohet nga autoritetet ruse, çka nënkupton një fajtor të vetëm: Kremlinin. Për ta, Kadirov ngjall në fakt frikë dhe tmerr, por armiku është në Moskë.
“Përgjegjësinë për atë, që ndodh në Çeçeni dhe në tërë Kaukazin Verior, e ka udhëheqja ruse. Ramzan Kadirovi është absolutisht në kontrollin e Kremlinit. Kadirovi nuk bën as një hap që mund të linte shkas për dyshime ndaj padronit të tij Putin. Kadirovit i është dhënë pushteti për të bërë në Çeçeni çfarë të dojë. Në këmbim ai përbetohet publikisht për miqësi midis Rusisë dhe Çeçenisë. Lufta jonë për pavarësi do të vazhdojë për aq kohë, sa të gjendet një zgjidhje, që i kënaq si çeçenët, ashtu edhe rusët”, shprehen luftëtarët. Të shumta kanë qenë reagimet edhe nga populli rus, një pjesë e madhe e të cilëve besojnë se pas shpërthimeve në metro fshihet shërbimi i fshehtë i brendshëm “FSB”. Sipas tyre pushtetarët duan të largojnë vëmendjen nga problemet e vërteta të popullsisë. Atentatet, sipas tyre, mund t'i japin qeverisë një pretekst për të shtypur edhe më shumë ata, që mendojnë ndryshe, për të ndaluar demonstratat dhe për të vendosur shenjën e barazimit midis opozitarëve dhe terroristëve.
Në Moskë ekziston frika se të tilla sulme mund të përsëriten. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, bëri thirrje për një bashkëpunim mund të ngushtë rajonal për të luftuar atë që ai quan rrjet global terrorist. Ndërsa sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, në samitin e G8-s në Kanada, u bëri jehonë komenteve të tij duke thënë se bota është duke u përballur me një armik të përbashkët. Kryeministri rus Putin që ndërpreu një udhëtim në Siberi për t'u kthyer në Moskë, tha se do të bëhet çdo gjë për të gjetur dhe ndëshkuar kriminelët që janë përgjegjës.
Ai foli edhe për masa të reja të sigurisë: "Na duhet të diskutojmë masa shtesë të sigurisë në infrastrukturën e transportit në veçanti. Masat shtesë po merren tani për të siguruar rrjetin e hekurudhave”. Ngjarjet tregojnë se ne jo vetëm duhet të vazhdojmë këtë punë, por ta bëjmë më intensive. Kjo mund të kërkojë edhe ndryshime ne legjislacion”, tha kryeministri rus.
Diplomati i SHBA-ve, Steinberg viziton Ballkanin
Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Steinberg në prag të vizitës së tij në Ballkan u shpreh se pavarësia e Kosovës ka qenë një forcë për stabilitetin në rajon dhe se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në dy vitet e saj të para si shtet i pavarur. Diplomati i lartë amerikan i ka bërë këto komente në prag të vizitës së tij në Bosnje, Serbi dhe Kosovë. Steinberg tha se një prej çështjeve për të cilën ai dëshiron të bisedojë është si të lehtësohet puna e EULEX-it në Kosovë dhe si të ndërtohen ura mes dy komuniteteve. Me gjithë mosmarrëveshjet zyrtare ekzistojnë interesa të përbashkëta prandaj gjatë vizitës do të bisedohet në mënyrë pragmatike për shtimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë Steinberg. Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara janë shumë të inkurajuara për faktin që fqinjët e Kosovës po ndërmarrin hapa pozitive ndaj shtetit të ri duke vendosur marrëdhënie diplomatike dhe duke shkëmbyer ambasadorë me Kosovën si në rastin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Kjo, tha zëvendës sekretari i shtetit, flet për një kuptim praktik në Ballkan lidhur me të ardhmen e Kosovës.
Serbi
Parlamenti, rezolutë për Srebrenicën
Parlamenti serb diskutoi për një rezolutë që kërkon ndjesë për masakrën e Srebrenicës në Bosnjë më 1995. Deklarata nuk e quan sulmin "gjenocid" për shkak të kundërshtimit të partive të krahut të djathtë. Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm i Serbisë për njohjen e masakrës, megjithëse opinioni publik në vend është i ndarë. Për vite të tëra pas luftës së Bosnjës, në Serbi është mohuar në masë masakra e Srebrenicës, ku ushtria serbo-boshnjake është paditur për vrasjen e mbi shtatëmijë myslimanëve. Por serbët janë ende thellësisht të ndarë lidhur me portretizimin e tyre në histori.
Itali
Berluskoni fiton epërsi në votime
Koalicioni i kryeministrit italian Silvio Berlusconi ka fituar epërsi gjatë numërimit të fletëve të votimit, në kuadër të zgjedhjeve rajonale. Me pjesën më të madhe të numëruar, koalicioni kryeson në 6 nga 13 rajone ku u zhvilluan votimet.
Fillimisht koalicioni i kryeministrit kryesonte vetëm në dy krahina, ndërsa më pas, me numërimin e votave, ka arritur në 6.
Rritja e epërsisë vjen pavarësisht skandaleve të fundit politike që kanë përfshirë së fundmi Berluskonin. Autoritetet italiane deklarojnë se pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë e ulet, rreth 64 përqind, 8 pikë më pak se në zgjedhjet e fundit.
Nil
Mbytet anija me 100 emigrantë
Një anije më rreth 100 emigrantë të drejtuar për në Itali është mbytur në Nil. Ngjarja ka ndodhur në Kafr El Sheikh, në afërsi të deltës së Nilit, në një zonë të populluar nga krokodilët. Skuadrat e shpëtimit kanë mundur të shpët deri tani 25 persona dhe të gjejnë 7 kufoma. Ende nuk dihen shkaqet e mbytjes. Gjatë kërkimit, rojet bregdetare egjiptiane kanë ndaluar një tjetër anije me 40 klandestinë në bord. Kjo nuk është e vetmja herë kur emigrantët në këtë zonë gjejnë vdekjen si pasojë e mbytjes së anijes me të cilën udhëtonin. Kushtet e vështira ekonomike i detyrojnë këta persona të rrezikojnë.
31 Mars 2010