Trafikantët shqiptarë nëpër Europë, drogë në vend të qepëve
Anila Shuka
Nuk ishte hera e parë që shoferi i kamionit dilte nga Shqipëria për të udhëtuar për në Europë, por ndoshta dita e 9 marsit do të ishte e fundit. Ishte dita kur ai po përshkonte Bavarinë në drejtim të Holandës, e ku policia doganore do ta ndalte për një kontroll rutinë. Kamioni dukej i zbrazët, veçse mbas një kontrolli më të hollësishëm dogana zbuloi se te ballina e rimorkios ishin bërë punime. "Doli që muri ishte i dyfishtë dhe se në të fshiheshin 222 pako me marijuanë, me një peshë prej gjithsej 232 kilogramësh. Vlera afro 750 mijë euro", - thotë për Dojçe Velen, Juergen Thiel, nga Departamenti bavarez i Antidrogës.
Kamioni ishte nisur nga Durrësi për në Bari dhe e kishte marrë rimorkion në Ankona, Itinerari përfundimtar ishte Holanda. Pikërisht vendi ku droga të tilla të lehta shpërndahen me licencë shtetërore. "Kjo ka të bëjë me faktin që presioni ndaj plantacioneve ilegale në Holandë kohët e fundit është rritur", - shpjegon Thiel më tej, "kështu që një pjesë e marijuanës merret nga vendet e tjera. Këtu hyn edhe Gjermania, ku vihet re një rritje e serave të bimëve narkotike, por edhe Shqipëria, e cila luan një rol shumë të rëndësishëm, pasi marijuana e saj është e një cilësie të mirë për shkak të kushteve klimatike në të cilat rritet".
Katër javë më parë, një kamion i ngjashëm me mbi afro 150 kg marijuanë, po me targë shqiptare, u kap në Kroaci.
Përveç eksportimit të marijuanës, shqiptarët në Gjermani kanë rënë në sy edhe për kontrabandën e kokainës. Zëdhënësi i Entit Federal për Krimet Doganore, me seli në Këln, Wolfgang Schmitz, i thotë Dojçe Veles se bëhet fjalë për "grupime të krimit të organizuar, të cilat dihen që nuk lënë askënd të hyjë në strukturat e tyre, duke filluar që nga iniciatorët e deri te ndërmjetësuesit, shitësit dhe korrierët që i kthejnë paratë te shitësi me shumicë". Dëshmi për këtë janë rastet e kapura gjatë gjashtë muajve më të fundit në Duisburg, Essen, Hamburg, Ulm, Frankfurt, ku korrierët që janë kapur kanë pasur me vete sasi kokaine në 1,5 deri 5 kg.
Këmbim më i mirë informatash
Schmitz thotë se kontrabanda me mjete narkotike nuk ka rënë aspak gjatë viteve më të fundit. Kjo vihet re në qëndrueshmërinë e çmimit, i cili nuk është rritur kurrsesi. Por ajo që ka ndryshuar dhe që u jep shpresë nëpunësve në Gjermani është bashkëpunimi ndërmjet shteteve. "Ne këmbejmë informacione ndërmjet 40 vendeve dhe shumë shpesh janë këto që bëhen shkak për kapje të suksesshme në Ballkan". Një bashkëpunim i tillë tregoi fryte vitin e kaluar kur në Shqipëri, ndër të tjerë, edhe dy shtetas gjermanë, u kapën me 40 kg heroinë në Kakavijë. "Falë këmbimit të informatave ne nuk arrijmë të kapim vetëm korrierët, por edhe ata që qëndrojnë pas tyre", - thotë Schmitz.
Ndërsa kamioni që u kap dy javë më parë në Bavari, me sa duket ishte thjesht rezultat i "nuhatjes së veçantë" të policëve doganorë ndaj një makine me targë shqiptare. Shoferi 36-vjeçar pretendon se nuk dinte gjë për ngarkesën e veçantë dhe se ishte nisur për në Holandë për të marrë qepë. Por se sa i besueshëm është ky variant, kjo do të dalë në pah nga gjyqi që pritet të zhvillohet mbas tre ose katër muajsh, thotë Thiel.
(Dojçe Vele)
Policia e Tiranës, masa të reja për ruajtjen e shkollave
TIRANË – Policia e Tiranës merr masa të veçanta për parandalimin e ngjarjeve dhe rritjen e sigurisë në shkollat e mesme dhe ato 9-vjeçare. Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e kryeqytetit bën të ditur se strukturat e Drejtorisë së Policisë së qarkut Tiranë, në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, kanë marrë masa të plota për organizimin e drejtimin e shërbimeve të Policisë, krijimit dhe konsolidimit të një dimensioni të ri në drejtim të marrëdhënieve Polici–Shkollë–Komunitet.
“Në këtë kontekst është synuar në garantimin e rendit dhe qetësisë publike, zhvillimin normal të procesit mësimor në shkollat e të gjitha niveleve në qytet, komuna dhe bashkitë e qarkut të Tiranës. Në vijim të masave të mësipërme, Policia e Tiranës ka planifikuar masa shtesë për parandalimin e ngjarjeve dhe rritjen e masave të sigurisë në shkollat e mesme dhe ato 9–vjeçare, si dhe në vendet e akomodimit të nxënësve”, – thuhet në njoftimin e Policisë.
Përveç strukturave të rendit dhe qarkullimit rrugor, në këtë plan janë ngarkuar me detyra specifike edhe Struktura Kundër Krimit të Organizuar dhe atyre Kundër Krimeve ndaj Personit, me qëllim ndjekjen në vazhdimësi të problemeve të kriminalitetit, krimeve ndaj personit, kundër drogës, kundër trafiqeve të paligjshme. Rritja e bashkëpunimit midis stafeve pedagogjike të shkollave është një tjetër masë që policia ka marrë në kuadër të këtij plani.
Në fund të njoftimit, Drejtoria e Policisë së qarkut Tiranë, për mbarëvajtjen e procesit mësimor, paralelisht me masat e marra, kërkon bashkëpunimin edhe me aktorë të tjerë, si me qytetarët dhe me mediat, për sensibilizimin qytetar në drejtim të respektimit të normave ligjore që kanë të bëjnë me sigurinë publike, shmangien e zhurmave, parkimeve të gabuara të mjeteve pranë shkollave.
31 Mars 2010