Koloneli që lufton për dinjitetin e ushtarakëve
Myfit Qorduka *
Të luftosh për të arritur objektivat që i ke vënë vetes do të thotë se ke vlera dhe këto vlera kërkon që t’i njohin edhe të tjerët. Pra, ke personalitet, - veti kjo që të dallon nga të tjerët dhe të bën që të respektohesh prej tyre. I tillë është edhe koloneli në rezervë, Nevzat Bozhani, specialisti dhe ish-drejtuesi i Forcave Ajrore. Ai, për çdo gjë dhe kurdo synon dhe bën më të mirën e mundshme.
Unë do e filloj që nga uniforma e ushtarakut, që koloneli, megjithëse në rezervë, e ruan atë me kujdesin më të madh, sepse ajo, - siç thotë vetë Bozhani, - është paraqitja e jashtme e ushtarakut dhe e bën atë dinjitoz në sytë e mjedisit që e rrethon”.
Zëri i atdheut
Në ditën e festës së Aviacionit, atë e pamë me uniformë ushtaraku, me gradën e kolonelit (kjo e drejtë është përcaktuar në Statusin e Ushtarakut). Për hir të së vërtetës, ushtarakët në rezervë apo në pension nuk e respektojnë këtë të drejtë që e kanë fituar me mund dhe sakrifica. Madje, për uniformën e ushtarake la Londrën dhe u kthye në Shqipëri. Ai jetoi në Britani për dy vjet, pasi atje ka një pjesë të familjes së tij. Djali ka mbaruar me medalje të artë shkollën në Angli. Rikthimi në atdhe nuk kishte të bënte me interesat e vogla materiale. Por, ai jetonte me shqetësimin e vendit dhe hallet e ushtrisë që e kishte lënë në reformën e kryer në vitin 1995.
Teksa të tregon një grumbull të madh fotografish të bëra në Angli, Skoci; në vende piktoreske, të qëndisura aq bukur nga dora e njeriut, thotë: “Ndiqja lajmet për Shqipërinë që jepeshin në Euronews, dhe në njërin prej tyre dëgjova me vëmendje thirrjet që bëri ish – ministri i Mbrojtjes, Shaqir Vukaj: “Atdheu është në rrezik, prandaj ju bëj apel ish-ushtarakëve që të kthehen sa më parë në punën e tyre, aty ku i ka thirrur gjithmonë detyra”. “Që nga ky moment unë nuk mund të qëndroja indiferent dhe menjëherë, bëra një telefonatë ku shpreha gatishmërinë për të kontribuar. Erdha në Tiranë brenda pak ditësh”, - thotë Nevzati. Jo të paktë ishin ish – ushtarakët e asaj kohe, apo të tjerë, që thoshin me qesëndisje se “Nuk na bie ndërmend më për Shqipërinë”.
Dhe nuk kishte sesi të vepronte ndryshe Nevzat Bozhani, sepse kudo ku ka qenë; në Vlorë apo në Lezhë, në Komandën e Aviacionit, apo në misione të tjera, është shquar për përkushtim, korrektësi dhe këmbëngulje në realizimin e detyrave.
Ne që e njohim Nevzatin, ia dimë meritat. Ai ka përfunduar Akademinë e Forcave Ajrore. Po ashtu, ka studiuar edhe në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, duke u kompletuar si ushtarak për drejtimin e shtabeve dhe kryerjen e detyrave.
Dhe tani që është në rezervë, “mendja dhe zemra” i punon tek zanati i vjetër; tek ushtria. Kjo duket tek bisedat që bën me njerëz, kudo ku ndodhet, me plot pasion e dashuri. Edhe sot ai është i angazhuar maksimalisht, duke kontribuar në procesin e reformave në ushtri. Falë punës së madhe që kanë dhënë kuadro dhe drejtues të ushtrisë shqiptare, si Nevzat Bozhani, ne sot i gëzohemi edhe anëtarësimit të Shqipërisë në strukturën më të madhe ushtarake euro-atlantike, në NATO. Së fundi, një ndër nismat që ka marrë përsipër është edhe krijimi dhe ngritja e shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, ku ai është një nga aktivistët më të spikatur të saj.
Dhimbja që bashkon
Tragjedia e Gërdecit ku humbën jetën 27 vetë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, na hidhëruan të gjithë shqiptarëve. Njëri ndër ata që e vuajti këtë brengë të madhe ishte edhe Nevzat Bozhani. Dhimbja dhe tragjedia e madhe njerëzore e thirrën në vendin ku lëndonte nga plagët e hapura. Për disa ditë dhe netë me radhë qëndroi aty, duke dhënë kontributin e tij së bashku me qindra ushtarakë të tjerë dhe personelin që po punonte për pastrimin e zonës së mbushur me predha. Ai e quajti atë ngjarje “Hiroshima shqiptare”. Me përkushtimin më të madh, pa u lodhur, kontribuoi vullnetarisht për eliminimin e të gjitha pasojave në zonën ku ndodhi shpërthimi i 15 marsit.
Ai dha gjithë eksperiencën dhe njohuritë e tij, me qëllimin për të lehtësuar sa më shumë dhimbjet, duke shpjeguar realisht efektet tejet negative të shpërthimit të municioneve luftarake. Ish – ushtarakë si Kolonel Bozhani, punuan me përkushtim që të shëronin sadopak plagët që shkaktoi paaftësia e qeverisë, e cila përmes instalimit të piramidës së korrupsionit prodhoi Gërdecin. Tashmë, të gjithë jemi të vetëdijshëm se ne, taksapaguesit shqiptarë do ta paguajmë edhe për shumë kohë koston e kësaj paaftësie. Kjo i shqetëson më shumë se asgjë tjetër njerëz si Nevzat Bozhani. Për të sensibilizuar më shumë opinionin në ato ditë të vështira, ekspozoi një flamur që e kishte veshur poshtë këmishës në një bluzë të kuqe me shqiponjën dykrenare. Duke u transmetuar në një televizion, ajo u bë reklamë e madhe brenda dhe jashtë vendit. Duart e kolonelit hapnin gjoksin ku shpërthente një shqiponjë. Ai tha se këtu është Shqipëria, Kosova, Çamëria, Ismail Qemali dhe Isa Boletini”. Këto fjalë dolën nga goja e tij në kuptimin se shqiptarët kudo që jetojnë dhe punojnë në trevat e tyre, duhet të respektojnë dhe të duan njëri-tjetrin, të duan flamurin e tyre dhe të jenë të bashkuar, jo me mendimin se ç’bën atdheu për ty, por se çfarë bën ti për atdheun. Me këtë thirrje të kolonel Nevzat Bozhanit në media, një bashkëkombas në Slloveni iu dhuroi familjeve në nevojë të Gërdecit 100 mijë euro. Këtë shembull e kanë ndjekur dhe dhjetëra e qindra shqiptarë të tjerë.
Zëri që përfaqëson
Nevzat Bozhani është vlerësuar gjatë gjithë këtyre viteve edhe për kurajën qytetare dhe mendimin e lirë në funksion të ndërtimit dhe respektimit të shtetit ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave sociale dhe ekonomike të ushtarakëve në detyrë dhe në rezervë. Koloneli nuk është si të tjerët. Ai nuk flet dhe mendon për veten e tij dhe në emrin e tij; ai lufton për kauzën dhe të drejtat të të gjithë ushtarakëve që dhanë kontribute të mëdha në reformimin e ushtrisë, paçka se sot, shumica e tyre ndihen të fyer për shpërblimin që iu jep shteti.
Autori i shkrimit ka punuar në strukturat e ushtrisë dhe është autori i librit “Flota Detare dhe arkiva sekrete”
31 Mars 2010