E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, asgjësohet banda shqiptare e grabitjeve dhe trafikut të drogës



Thimi Samarxhiu

GREQI – Shkatërrohet në Greqi grupi shqiptar që merrej me trafik droge dhe grabitje. Gjashtë persona janë vënë në pranga dhe është bllokuar një sasi e madhe droge. Policia greke bën të ditur se të arrestuarit janë: Artur Sallaku, 43 vjeç, Adriatik Berberaj, 36 vjeç, Artemisa Telo, 25 vjeçe, Xhemal Buci, 27 vjeç, Kristo Pasho, 33 vjeç dhe Valbona Jaupi, 36 vjeçe.

Arrestimi
Policia greke e Pireut bën të ditur se ka përfunduar ditën e djeshme një aksion i nisur që ditën e shtunë, i cili çoi në arrestimin e gjashtë shqiptarëve të përfshirë në trafik droge dhe në një sërë grabitjesh në qytete të ndryshme të Greqisë.
Gjatë zhvillimit të tij janë konfiskuar në cilësinë e provës materiale 6 kg heroine, 0.5 kg kokainë dhe 8.8 kg hashash, të cilat ishin gati për shitje në tregjet e Greqisë. Pas arrestimit të pjesëtarëve të këtij grupi, Policia helene bëri të ditur identitetin e tyre. Sipas saj, të arrestuarit janë: Artur Sallaku, 43 vjeç, Adriatik Berberaj, 36 vjeç, Artemisa Telo, 25 vjeçe, Xhemal Buci, 27 vjeç, Kristo Pasho, 33 vjeç dhe Valbona Jaupi, 36 vjeçe.
Në bazë të hetimeve, ky grup kishte kohë që kryente trafikim në sasi të mëdha të lëndëve narkotike, ndërsa po hetohet për lidhje të tij në Shqipëri dhe shtete të tjera. Policia ka konfiskuar gjithashtu edhe 2 çekiçë të mëdhenj për të thyer xhamat e blinduar, një pistoletë, gjashtë telefona celularë, 2060 euro, si dhe katër automjete.

Precedentët
Numri i shqiptarëve të arrestuar në shtetin fqinj për trafik droge është rritur ndjeshëm gjatë kohëve të fundit. Droga, e cila kalon kryesisht nga kufiri tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë, më pas shpërndahet në të gjithë hapësirën e Greqisë. Janë shqiptarët ata që kryejnë transportin e drogës dhe më pas shpërndarjen e saj.
Vetëm dy javë më parë, Policia e Selanikut vuri në pranga tre të rinj shqiptarë, të cilëve iu kap një sasi prej 22 kilogramësh marijuanë. Gjithashtu, të shumta kanë qenë dhe rastet kur droga e nisur nga Shqipëria është bllokuar në kufi, ose në tentativë për ta kaluar atë në mënyrë të paligjshme nga kufiri tokësor midis dy shteteve.

TË ARRESTUARIT

Artur Sallaku, 43 vjeç
Adriatik Berberaj, 36 vjeç
Artemisa Telo, 25 vjeçe
Xhemal Buci, 27 vjeç
Kristo Pasho, 33 vjeç
Valbona Jaupi, 36 vjeçe

Prangoset shoferi në Kapshticë, tentoi të kalojë në Greqi 93 kg marijuanë

KORÇË – Tenton të kalojë në Greqi 93 kilogramë marijunanë, arrestohet nga policia drejtuesi i mjetit. Bëhet fjalë për 53-vjeçarin Todi Bozo, i cili është arrestuar mbrëmjen e së hënës në pikën kufitare të Kapshticës, në tentativë për të kaluar për në shtetin grek. Policia e qytetit juglindor bën të ditur se është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Todi Bozo, lindur në Lushnjë dhe banues në Tiranë, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, në kamionin e tij të markës “DAF”, me targë TR 6772 F, është konstatuar dhe sekuestruar një sasi prej 93 kilogramësh e 175 gramësh bimë narkotike e llojit marijuanë, e cila ishte vendosur në 90 pako të mbështjella më natriban.
Menjëherë, nga ana e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar janë kryer veprimet e para procedurale për veprën penale të “trafikut të narkotikeve”. Ndërkohë, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje është duke hetuar për të zbardhur personat e tjerë të përfshirë në këtë trafik, si dhe personat që do të prisnin ngarkesën e drogës në Greqi.

Shpallet në kërkim shqiptari i dyshuar për trafik droge

LONDËR – BBC dhe Scotland Yard kërkojnë ndihmën e publikut për arrestimin e një shqiptari të kërkuar për trafik ndërkombëtar droge midis Europës dhe Anglisë.
Nëpërmjet emisionit “Crime Watch” në BBC, Scotland Yard ka kërkuar ndihmën e publikut për kapjen e një shtetasi shqiptar, Dejan Shega, për të cilin është lëshuar një fletë-arresti.
Sipas të dhënave të bëra publike në këtë emision televiziv, 33-vjeçari Dejan Shega akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjithashtu mësohet se Shega kryente udhëtime të shpeshta në Europë dhe veçanërisht në Holandë. Gjithashtu besohet se ai mund të përdorë disa pasaporta me identitete të ndryshme për t'i shpëtuar kapjes. Dyshohet se vendndodhja e tij mund të jetë mes Anglisë dhe Holandës, por deri tani policia ka dështuar për arrestimin e tij.

Kuliçaj-Ziercek

Shkëmbim të dhënash për të burgosurit shqiptarë në Gjermani

TIRANË – Rritja e bashkëpunimit për shkëmbimin e të dhënave të shtetasve shqiptarë të dënuar në Gjermani. Kjo ka qenë tema kryesore e takimit të djeshëm mes zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, me Presidentin e Policisë Federale Kriminale gjermane, Jorg Ziercke.
Biseda e dy drejtuesve të policisë është fokusuar në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kuliçaj ka shprehur interes për vazhdimin e mëtejshëm të shkëmbimit të informacionit mes Policisë shqiptare dhe asaj gjermane në fushën e hetimit të krimit financiar, krimit kompjuterik dhe trafiqeve të paligjshme. Duke u ndalur në miratimin e ligjit “Antimafie”, përfaqësuesi i Policisë shqiptare, Kuliçaj, ka theksuar domosdoshmërinë e shkëmbimit të të dhënave kriminale për të gjithë shtetasit shqiptar që janë dënuar në Gjermani për veprat e krimit të organizuar, për të cilët, pas marrjes së dënimit, ligji lejon që të hetohen pronat dhe pasuritë e tyre që i kanë krijuar në rrugë të paligjshme në Shqipëri. Nga ana e tij, Presidenti i Policisë Federale Kriminale gjermane, Jorg Ziercke, ka garantuar rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbim më të madh të informacionit në lidhje me veprimtaritë kriminale.

Plagos 24-vjeçarin në këmbë, dorëzohet në polici

SHKODËR – Plagoset më armë një 24-vjeçar, vetëdorëzohet në polici autori. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Shkodrës, ku si pasojë e një konflikti të çastit, Gjergj Pepçi ka plagosur në këmbë Roland Vukajn.
24-vjeçari Vukaj është dërguar menjëherë në Spitalin e Shkodrës, ku i është nënshtruar kujdesit të mjekëve.
Menjëherë pas ngjarjes, forcat e policisë arritën të identifikonin autorin dhe ta shpallnin atë në kërkim. Por vetëm pak orë pas ngjarjes, Policia e Shkodrës bëri të ditur se Gjergj Pepçi është vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë.
Grupi hetimor tashmë është duke marrë në pyetje autorin e plagosjes për të zbardhur shkaqet e konfliktit. Ndërkohë, burime nga Spitali i Shkodrës njoftojnë se Roland Vukaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti, makina humb kontrollin, përplaset për vdekje kalimtari

LAÇ – Arben Nurka është emri i viktimës së radhës, ardhur si pasojë e aksidenteve rrugore. 36-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në autostradën Fushë-Krujë - Laç. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Kryqëzimi i Patokut, kur automjeti tip “Benz” me targë të huaj është përplasur me pjesët anësore prej betoni të një mbikalimi. Për pasojë, automjeti i drejtuar nga Flamur Haruku ka humbur drejtimin duke dalë nga rruga dhe më pas ka përplasur një kalimtar. Plagët e shkaktuara nga përplasja i kanë shkaktuar vdekjen 36-vjeçarit Arben Nurka, ndërsa policia ka shoqëruar drejtuesin e automjetit. Sipas policisë, paraprakisht nga hetimet në vendngjarje mendohet se shkak i aksidentit ka qenë tejkalimi i shpejtësisë së automjetit.

Roland Jaupaj, gjyqtari që do të gjykojë “Ruzhdien”

FIER – Zbardhet emri i gjyqtarit që do të marrë në shqyrtim dosjen e shumëpërfolur të Ruzhdies. Ditën e djeshme, në Gjykatën e Fierit është hedhur shorti dhe prej andej është përzgjedhur gjyqtari Roland Jaupaj si drejtuesi i seancës për procesin me rëndësi për zgjedhjet.
Vetëm pak ditë më parë, Prokuroria e Fierit ka dorëzuar në gjykatë dosjen me manipulimin e zgjedhjeve të shkuara në komunën Ruzhdie të rrethit të Fierit. Nëntë persona janë të pandehur në këtë proces, pesë prej të cilëve komisionerë dhe katër të tjerë votues. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe për shkelje të Kodit Zgjedhor.

Vidhnin krom, pranga 8 personave

BULQIZË – Vidhnin krom në Minierën e Bulqizës, arrestohen tetë persona. Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Shtetit, e cila, përmes një deklarate për shtyp, njofton se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një vjedhje me vlerë rreth 400 milionë lekësh. Policia bën të ditur se personat e arrestuar janë Destan Gjeta, 31 vjeç; Rinor Hoxha, 20 vjeç; Gentian Melani, 26 vjeç; Redi Çekiçi, 23 vjeç; Nuredin Jangulli, 22 vjeç; Anif Sulku, Andi Melani dhe Rami Bici.
“Pas një pune hetimore prej dy muajsh u konstatua se këta persona kanë vjedhur në bashkëpunim gati 1 mijë ton në galerinë numër 48, e marrë me koncesion nga kompania ‘Albania Crom’”, - bëri të ditur Policia së Shtetit. Mbi tetë të arrestuarit rëndon akuza e “vjedhjes” kryer në bashkëpunim.

31 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›