Shqipëri, vetëm 360 euro gjobë për falsifikim identiteti në internet
Arben Muka
Në Shqipëri, prej rreth një viti është krijuar një institucion i veçantë që merret me mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo është një çështje që jo rrallëherë bëhet objekt debati në opinion, sidomos kur është fjala për publikimin e të dhënave private të njerëzve të politikës, apo të atyre që kanë poste publike. Sipas vetë deputetëve me këtë element të transparencës ka keqpërdorim politik të ligjit. Ndërkohë që vështirësi për institucionin e mbrojtjes së të dhënave personale ka dhe ndjekja e rasteve të abuzimeve në rrjetet sociale të internetit, si p.sh. në Facebook.
Ato qëndrojnë si dy anë të një peshoreje, prishja e ekuilibrit të së cilës ngjall polemika gjithfarë. Një prej temave që merr gjithmonë diskutime të zjarrta në opinionin shqiptar është dhe deklarimi financiar e pasuror i politikanëve a njerëzve në poste publike. Gjithçka që deklaron publikisht kjo kategori personash zë vend të dukshëm në media. Deputeti i PS-së në opozitë, Piro Lutaj, mendon se legjislacioni në Shqipëri, që parashikon ekspozimin në publik të të dhënave personale, është shumë i përparuar dhe korrekt. Ai ndihmon që në masën e duhur të bëjë transparent p.sh. pasurinë e një politikani, apo një funksionari që kryen detyra publike në nivele të ndryshme, thotë Lutaj për DW. Problemin ai e shikon te zbatimi i ligjit.
“Natyrisht, ata që kanë në dorë të dhëna për personat publikë, janë të detyruar të jenë korrektë në zbatimin e legjislacionit për këtë çështje dhe të mos abuzojnë. Ky është për mendimin tim problemi i vetëm që duhet të kihet parasysh”.
Edhe deputeti i maxhorancës, Tritan Shehu, nxjerr në pah përpjekjet për ta përdorur politikisht ligjin. Kjo shkon në kundërshtim me qëllimin që është pasur kur është hartuar një ligj, t'i japë publikut më shumë transparencë për gjendjen financiare dhe pasurore të njerëzve që janë në politikë, thotë Shehu për Dojçe Velen.
“E keqja jonë këtu është se gjërat përdoren shpesh nga media për sulme jokorrekte dhe askush nuk i dënon ata që në mënyrë të padrejtë abuzojnë me lirinë. Për mua problemet ndonjëherë më shumë vijnë nga përdorimi nga politika jo në mënyrë korrekte i të dhënave personale dhe nga deformimi i tyre për publikun”.
Deputeti Tritan Shehu kujton që institucioni përkatës që është krijuar për mbrojtjen e të dhënave personale ka vetëm rreth një vit që është krijuar. Gradualisht, sipas tij, ai do të akumulojë eksperiencë dhe nga vendet e tjera me traditë në këtë fushë për t'i ndjekur me profesionalizëm detyrat që ka.
Ankesa për keqpërdorimin e rrjeteve sociale në internet
Komisionerja për mbrojtjen e të dhënave personale, Flora Çabej, gjatë një diskutimi që ka zhvilluar së fundi me Komisionin e Ligjeve në Parlament, ka shprehur disa vështirësi në evidentimin e rasteve abuzive. Sipas saj, jo vetëm për politikanët apo njerëzit publikë, por dhe për njerëzit e thjeshtë shpesh bëhen ankesa, p.sh., edhe nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale në internet, siç është Facebook-u. Ajo tregon manovrimin më tipik që ka të bëjë me realizmin e profilit personal të një personi.
“Kemi pasur raste që është abuzuar me profilin, d.m.th. që profili nuk është bërë nga vetë personi, por nga dikush tjetër, i njohur ose i afërm i ankuesit, i cili ka vendosur dhe foto intime të tij”.
Ndjekja e këtyre rasteve, sipas Çabejt, është tejet e vështirë të hetohet, pasi të dhënat janë jashtë kontinentit europian. Dhe këtë problem e kanë dhe vende të tjera të zhvilluara. Ajo thotë se për rastet që shkelin ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale ka dhe ndëshkime.
“Ligji parashikon sanksione, edhe pse këto sanksione nuk janë fort efikase. Megjithatë, janë sanksione. Gjobat që parashikohen janë nga 250 deri në 500 mijë lekë të vjetër”.
Shuma prej rreth 360 eurosh për ekspertët konsiderohet si minimale po të kihet parasysh që në Britaninë e Madhe për shembull, abuzimi dhe keqpërdorimi me të dhënat personale gjobitet deri në gjysmë milioni paund.
Duke qenë një institucion i ri në Shqipëri, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizon herë pas here dhe fushata ndërgjegjësuese me qytetarët dhe përfaqësues të institucioneve, me qëllim njohjen e të drejtave e detyrimeve në këtë aspekt. Shumë shpejt ky institucion do të nisë dhe një partneritet me Këshillin e Europës për kualifikimin e personelit dhe përmirësimin e legjislacionit përkatës.
(Dojçe Vele)
31 Mars 2010