Strehimi, zbardhet numri i kërkesave sipas 11 minibashkive të kryeqytetit
Jonida Tashi
Bashkia e Tiranës nxjerr numrin e kërkesave të qytetarëve, që duan të trajtohen me strehim sipas 11 njësive bashkiake të kryeqytetit. Sipas statistikave të publikuara nga ky institucion, vihet re një fluks i madh kërkesash nga të pastrehët, pothuajse në të gjitha minibashkitë e kryeqytetit. Mesatarja e numrit të pjesëtarëve të familjeve aplikuese është 3.2 anëtarë për familje. Së fundi, për t’i informuar sa më mirë të interesuarit për programet sociale të strehimit, Bashkia e Tiranës ka bërë një panoramim të plotë të situatës mbi strehimin në kryeqytet, duke nxjerrë disa statistika për numrin e aplikimeve të bëra, sipas tre programeve që ajo ofron për të pastrehët. Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se sipas programit elektronik, në të cilin janë regjistruar të pastrehët e qytetit të Tiranës rezulton se janë plotësuar nga ana e qytetarëve 5022 formularë, që i përkasin 11 njësive bashkiake të kryeqytetit, numër ky që i përket periudhës dhjetor 2005– mars 2010. Gjithashtu, burime nga Bashkia theksojnë faktin se ky numër azhurnohet periodikisht, pasi qytetarët mund të aplikojnë në çdo kohë.
Statistikat
Bashkia e Tiranës ka publikuar statistikat e kërkesave, sipas tre programeve sociale të strehimit, që janë: banesë me kosto të ulët, banesë sociale me qira, tokë e pajisur me infrastrukturë. Sipas statistikave të Bashkisë së kryeqytetit, numri i qytetarëve që kanë kërkuar banesë me kosto të ulët, ka qenë tepër i lartë krahasuar me dy programet e tjera. Më konkretisht, 4221 aplikues kanë aplikuar pranë Bashkisë së Tiranës për të përfituar një banesë me kosto të ulët. Ndërsa banesë sociale me qira kanë kërkuar 708 aplikues. Më i ulët ka qenë numri i aplikantëve që kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë. Për një program të tillë social, sipas shifrave të Bashkisë, kanë aplikuar 93 qytetarë. Ndërkaq, përveç evidentimit të numrit të aplikuesve për të përfituar nga programet e mësipërme të strehimit, Bashkia e Tiranës ka publikuar edhe numrin e kërkesave të qytetarëve që kërkojnë të trajtohen me strehim, sipas njësive bashkiake të kryeqytetit.
Kriteret
Fillimisht, për të përfituar trajtim nga programet sociale të strehimit, duhet të plotësohen disa kritere, mbi bazën e të cilave bëhet edhe përzgjedhja e fituesve. Sipas Bashkisë së Tiranës, familjet, të cilat me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë ato që: nuk kanë në pronësi një banesë; zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje; kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në secilin prej tre grupimeve të mësipërme përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Ndërsa përsa i përket kritereve të përzgjedhjes së përfituesve, kanë përparësi individët dhe familjet që klasifikohen për t’u trajtuar me programet sociale, të miratuara me vendim të Këshillit Bashkiak dhe që kanë këto specifika: familjet, të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga ligji nr.7652 datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”; familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar; familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë; të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror; individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë Statusin e të Verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare; familjet me shumë fëmijë; çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç; familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi; individët me Statusin e Jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.
Si mund të aplikoni për t’u trajtuar me strehim
Aplikimi kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit me Qytetarët, pranë Bashkisë së Tiranës ose në njësitë bashkiake, ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat dhe më pas të noterizohet. Më pas, Njësia Bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në database-n elektronik të drejtorisë. Nëpërmjet këtij sistemi, Bashkia e Tiranës ka mundësuar lehtësimin për administrimin e kërkesave për strehim social dhe ofrimin e një shërbimi cilësor, sasior dhe të përpunuar qytetarëve të Tiranës, me anën e të cilit mund të menaxhojë në mënyrë të informatizuar programet e strehimit social gjatë gjithë procesit të tyre administrativ. Në veçanti, programi bën të mundur arkivimin e të dhënave, duke filluar nga kërkesat e paraqitura gjatë vitit 2005 e në vazhdim, leximin individual dhe të përbashkët të të dhënave, menaxhimin e dokumenteve plotësuese, aplikimin e sistemit të pikëzimit, formimin e listave të përfituesve. Bashkia e Tiranës është në fazën e grumbullimit, administrimit dhe regjistrimit të këtyre formularëve të strehimit me qëllim rikategorizimin e të pastrehëve në qytetin e Tiranës.
Statistika mbi strehimin deri në mars 2010
Kërkesat sipas tre programeve sociale
Statistikat e kërkesave, sipas tre programeve sociale të parashikuara në ligj, janë si më poshtë vijon:
Kanë kërkuar banesë me kosto të ulët 4221 aplikues
Kanë kërkuar banesë sociale me qira 708 aplikues
Kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastukturë 93 aplikues
Numri i aplikimeve sipas 11 minibashkive
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se sipas njësive bashkiake numri i kërkesave të qytetarëve që kërkojnë të trajtohen me strehim është si më poshtë:
Njësia Bashkiake Nr.1 313 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.2 618 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.3 348 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.4 398 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.5 516 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.6 405 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.7 487 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.8 403 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.9 489 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.10 373 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.11 672 aplikues
Nga formularët e regjistruar deri tani rezulton se:
4358 familje aplikuese nuk kanë përfituar nga Ligji për Privatizimet (Ligji Nr.7652)
578 familje aplikuese kanë përfituar nga Ligji për Privatizimet
3660 familje aplikuese banojnë deri në momentin e aplikimit në banesa me qira
724 familje aplikuese banojnë në banesa rrezik shembje
1709 familje aplikuese jetojnë në kushte të vështira higjiene-sanitare
104 aplikues janë të verbër
267 aplikues janë invalidë paraplegjik–tetraplegjik
378 aplikues janë invalidë të punës
36 aplikues janë invalidë lufte
185 aplikues janë jetim
106 familje aplikuese disponojnë objekt tjetër në pronësi
301 familje aplikuese banojnë tek të afërm ose të njohur
26 familje aplikuese kanë zënë objekt privat
204 familje aplikuese kanë zënë objekt publik
102 aplikues janë të përfshirë në programin e papunësisë
494 aplikues janë përfshirë në programin e ndihmës ekonomike
219 aplikantë janë të vetëpunësuar
801 aplikantë janë të punësuar në shtet
827 aplikantë janë të punësuar në privat
605 aplikantë janë të punësuar të rastit
Të grupuar sipas gjendjes civile të aplikantit:
3156 aplikantë janë të martuar
842 aplikantë janë të divorcuar
540 aplikantë janë të ve
484 aplikantë janë beqarë
31 Mars 2010