E Diel, 1 Nëntor 2026

Guvernatori Ardian Fullani Ekonomia në rënie, ndikoi ulja e eksporteve dhe tkurrja e kredisë

Autori i Lajmit: Redaksia
Në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka vënë theksin në rritjen e deficitit, që ai e ka cilësuar si rekord historik. “Deficiti buxhetor mbetet në nivele krahasimisht të larta historike, por brenda limiteve të buxhetit të rishikuara së fundmi”, u shpreh Fullani. Po kështu, ndikime negative në ekonomi duket se kanë pasur dhe ulja e eksporteve dhe mbetja në vend e importeve. Guvernatori u shpreh se, aktiviteti i tregtisë së jashtme është karakterizuar nga dobësimi i të vëllimit tregtar gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Fullani u shpreh se, “Pas afro tre muajsh ngushtimi të vazhdueshëm, deficiti tregtar këtë muaj u zgjerua me rreth 9 për qind në terma vjetorë. Eksportet shënuan një reduktim të vlerës së tyre me rreth 18 për qind në terma vjetorë”. Por, gjatë këtij viti ka pësuar një tkurrje të ndjeshme edhe kredia, ku pjesën më të madhe të portofolit të kredisë e zë biznesi, i cili e ka përdorur për të kompensuar mungesën e likuiditetit. Fullani u shpreh më tej se, ngadalësimi i kredisë është thuajse tërësisht pasojë e tkurrjes së kredisë në valutë, ndërkohë që kredia në lekë u rrit me 31 për qind në terma vjetorë.

Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›