E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moska u thotë lamtumirë viktimave të metrosë

Lideri i Çeçenisë, Doku Umarov, ka thënë se grupi i tij qëndron prapa sulmeve në metro.
Në një video-mesazh që është postuar në ueb faqen e rebelëve çeçenë, ai ka thënë se personalisht ka urdhëruar kryerjen e këtij operacioni.

Ai shtoi se kjo është hakmarrje pas vrasjen e “çeçeneve të varfër” nga forcat e sigurimit rus në shkurt dhe ia ka tërhequr vërejtjen Rusisë se ky është vetëm fillimi.

Hetuesit tashmë kanë thënë se besohet se dy gra me bomba vetëvrasëse ndërlidhen me sulmet e grupeve ushtarake të Kaukazit Verior.

Kryeministri Vladimir Putin u ka bërë thirrje forcave të sigurisë “që t’i kapin keqbërësit” dhe ata që janë përgjegjës për këtë.

Të mërkurën, dy njerëz janë vrarë pasi një makinë shpërtheu në perëndim të Kaukazit Verior, konkretisht në Republikën e Dagestanit, e cila është në kufi me Çeçeninë.

Zyrtarët thanë se ata besojnë që makina ishte duke transportuar eksploziv dhe ka shpërthyer aksidentalisht.

Shpërthimi erdhi pasi 12 njerëz, shumica prej tyre policë, ishin mbytur në dy aksione të koordinuara në qytetin e Dagestanit, Kizlyar, të mërkurën.

Deri tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë shpërthim, por besohet se edhe ky sulm është kryer nga militantët islamikë të këtij rajoni.

Mesazhe të ftohta

Në videon që është publikuar në ueb faqen Kavkaz, një person i cili pretendon të jetë lideri çeçen Doku Umarov, ka thënë se grupi i tij ishte përgjegjës për dy bombat vetëvrasëse që goditën metrotë e Moskës.

“Më 29 mars, dy operacione speciale kishte qëllim shkatërrimin e bazave të FSB’së (Shërbimeve të Sigurisë Ruse) dhe janë kryer në Moskë. Të dy këto operacione janë kryer me urdhrin tim. Ato nuk do të jenë të fundit, në emër të Zotit”.

Ai tha se sulmet ishin një akt hakmarrjeje për vrasjen e çeçeneve dhe civilëve të Ingushetisë nga forcat e sigurimit rus afër qytetit Arshty më 11 shkurt.

“Këta njerëz janë eliminuar tmerrshëm, janë vrarë nga këto grupe banditeske që kanë emrin e FSB-së. Trupat e tyre janë therë me thika para se të vriteshin”.

Rebeli, i cili e prezantoi veten si Emir (princ) të Emirateve të Kaukazit tha se sulmet do të vazhdojnë madje edhe në zemrën e Rusisë.

“Ju premtoj që do ketë luftë në rrugët tuaja me dëshirën e Zoti dhe ju do ta ndjeni atë me çmimin e jetës tuaj dhe lëkurës tuaj”, ka tërhequr vërejtjen ai në video, për të cilën thuhet se e ka incizuar të hënën – vetëm pak orë pas sulmeve në metrotë ruse.

Për këtë ai ia ka arritur qëllimit pasi që shumë njerëz po frikësohen të qarkullojnë nëpër rrugët e Moskës.

Ata mendojnë se pse shërbimet e inteligjencës kanë pasur kaq pak informata për lëvizjen e këtij grupi në një qytet, i cili ka popullsinë më të madhe në Rusi.

Në mëngjesin e së mërkurës, zëdhënësi i Doku Umarov i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters që grupi i tyre “nuk e bart përgjegjësinë për sulmet në Moskë dhe nuk e di se kush i ka bërë ato”.

Dy viktima të sulmit të Moskë janë varrosur jashtë qytetit të Moskës të mërkurën, por shumica e tyre janë varrosur në një ceremoni të organizuar të enjten. (BBC)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›