Kina bindet për Iranin
Kina ka rënë dakord që të ndërmarrë bisedime serioze me Perëndimin në lidhje me sanksionet e ardhshme ndaj Iranit, për shkak të ambicies së tij bërthamore. Ndërkaq, Presidenti i vendit do të marrë pjesë në një takim shumëkombësh, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara për çështjet bërthamore. Këto lëvizje do të ulin tensionet mes Pekinit dhe Uashingtonit, pas muajve të gjatë të mosmarrëveshjeve që e vunë marrëdhënien mes të dyja vendeve në një pozicion shumë të vështirë. Marrëveshja për të diskutuar shënon një zhvendosje shumë të rëndësishme të qëndrimit të Kinës pas kërkesave të vazhdueshme të Perëndimit për të reaguar në lidhje me sanksionet ndaj Teheranit, i cili akuzohet për përdorim të fuqisë bërthamore si armë. Presidenti kinez do të marrë pjesë në takimin e datave 12-13 prill në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në lidhje me çështjet bërthamore botërore. Ky takim do të jetë disa ditë përpara se Departamenti Amerikan i Thesarit të publikojë një raport në lidhje me përdorimin e monedhës vendase nga kinezët për të manipuluar tregjet ndërkombëtare. Ambasadorja amerikane në OKB, Suzane Rice, tha se qeveria e saj, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Gjermania kanë rënë dakord me Kinën, për të diskutuar një propozim për ndërmarrjen e sanksioneve ndaj Iranit, në lidhje me ambicien e tij bërthamore. Specifikat e kësaj marrëveshjeje do të diskutohen, sipas Ministrisë së Jashtme kineze, gjatë ditëve në vijim. Kina ka qenë për shumë kohë jo aktive për sa i përket ndërmarrjes së sanksioneve ndaj Iranit, pasi Irani është një nga furnizuesit më të mëdhenj me naftë për gjigandin aziatik. Sipas disa diplomatëve, më në fund Kina ka shanse që të mbështesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përpjekjen për të vendosur sanksione ndaj Iranit, në propozime të tilla si ngrirje të aseteve bankare, mospranim të zyrtarëve të lartë në vendet përkatëse, por nuk ka shanse që të pranojë vendosjen e sanksioneve ndaj kompanive me të cilat ajo është e lidhur me kontrata të gjata ekonomike.
Diplomatët amerikanë janë të ndërgjegjshëm që bëhet fjalë vetëm për fillimin e një procesi që mund të zgjasë. Ndërkaq, në Pekin ka mbërritur shefi iranian i negociatave bërthamore, që do të takohet edhe me liderët më të lartë të shtetit kineze. Me sa duket, Irani është i shqetësuar dhe ka nisur të lëvizë nga perspektiva e aprovimit të sanksioneve nga të gjitha vendet e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në Moskë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se çdo masë që do të merret ndaj Iranit, duhet që të përqendrohet në dëmtimin e forcës së kompanive dhe bizneseve iraniane. “Ne jemi të gjithë ende të bindur se nëse do të merren sanksione, ato duhet të jenë të balancuara dhe të proporcionuara në varësi të shkallës së bashkëpunimit nga ana e Iranit dhe nuk duhet që t’ia mbyllin derën dialogut, pavarësisht se kur vjen ai. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha dje në Teheran se sanksionet e shkuara ndaj Iranit nuk kanë funksionuar dhe se vendet e ndryshme të botës nuk duhet që të përdorin metoda presioni dhe sanksione. Por me pranimin e Kinës për t’u ulur e për të diskutuar në lidhje me sanksionet ndaj Iranit, këto ka shumë të ngjarë që të ndërmerren në një kohë të afërme.