E Diel, 1 Nëntor 2026

Moskandidimi, humbja e PS-së dhe “dorëheqja” e Ramës



Nga Nebil Çika

Ndodhi ajo që po përflitej shumë prej kohësh, por gjithsesi pak besohej. Kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Ky vendim i paimagjinueshëm i liderit të opozitës përbën të parin precedent, ndoshta në të gjithë botën, të një partie që pretendon të vijë në pushtet dhe të një politikani që pretendon të bëhet Kryeministri i vendit. Megjithëse lajmi u shpërnda dhe u botua në mediat pranë opozitës, nën kujdesin e vetë z. Rama, ai ka lënë të befasuar opinionin publik, ndërkohë që mund të thuhet se militantët dhe elektorati fanatik i PS-së nuk arrijnë dot t’u besojnë veshëve dhe syve. Ky vendim i z. Rama përbën para së gjithash provën se opozita ka pranuar apriori humbjen në zgjedhjet politike të qershorit, një mesazh i qartë ky për elektoratin shqiptar, por edhe një shuarje e shpresave edhe për më optimistët në radhët e socialistëve. Deklarimi paraprak i tërheqjes nga gara elektorale e z. Rama përbën ndoshta një veprim të zgjuar prej z. Rama, i cili synon të fitojë kohë për të rikuperuar pasojat që mund të ketë në zhvillimet brenda partisë një veprim i tillë. Po të vësh re me kujdes lajmin e botuar në mediat e opozitës, vihet re lehtë përpjekja e sforcuar e porositësit, por edhe autorëve për ta paraqitur vendimin si një veprim natyral, madje si një risi në politikën shqiptare. Nëse për PS-në dhe krejt të majtën ky lajm ka vlerën e një “mandate mortore elektorale”, për z. Rama përbën një veprim të përputhur plotësisht me politikën personale që ai ka demonstruar në mënyrë konsekuente që nga ardhja e tij në krye të PS-së. Z. Rama ka zbatuar në krye të PS-së një politikë e program të qartë, që synon më shumë vënien nën kontroll të tij të partisë më të madhe të opozitës sesa të fitimit të zgjedhjeve prej saj. Edhe veprimi i fundit i deklarimit të moskandidimit është pikërisht pjesë e këtij projekti. Duhet pranuar që z. Rama ka si ide të projektit pikërisht humbjen e zgjedhjeve nga PS-ja dhe e gjithë strategjia e tij mbështet dhe orientohet tek kjo ide. Duket qartësisht se kryetari i PS-së po mendon e punon më shumë për situatën paszgjedhore sesa për zgjedhjet, e aq më shumë për fitoren e tyre. Në këtë këndvështrim, vendimi i z. Rama është i mirëllogaritur. Për të kuptuar këtë duhet të imagjinojmë situatën në PS - pas humbjeve të zgjedhjeve të qershorit. Sipas statutit të PS-së, z. Rama i duhet të japë dorëheqjen, por me mundësinë që të rikandidojë sërish për kreun e PS-së, gjë kjo e pandaluar nga statuti. Në këtë situatë, sa dhe cilat janë mundësitë e z. Rama për të rifituar kreun e PS-së pas humbjes?! Mendoj se faktori që do të vendosë për kreun e PS-së është pa dyshim kontrolli mbi interesat. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, çdokush mund ta kuptojë përse z. Rama zgjodhi si alternativë moskandidimin për deputet, pavarësisht kostos së madhe elektorale të PS-së prej një veprimi të tillë. Nëse do të listonte veten si kandidat për deputet, z. Rama do të detyrohej sipas ligjit të linte postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, një pushtet i konsiderueshëm personal. Kush do të mund të ishte më i fuqishëm, më i imponueshëm në një garë të pritshme për kreun e PS-së pas zgjedhjeve, një Ramë kryetar bashkie, apo një Ramë deputet i opozitës? Besoj të biem dakord se kushdo do të preferonte pozicionin e parë, atë të kryebashkiakut. Janë të gjitha gjasat që armiqësitë e Ramës me individë apo klane në PS të rriten dukshëm pas publikimit të listave të kandidatëve për deputetë të kësaj partie, gjë që do ta bëjë edhe më të vështirë rikonfirmimin e tij në krye të opozitës, pas zgjedhjeve të qershorit. Në këtë periudhë të sundimit të tij në PS, Rama është përpjekur të ndërtojë një ekip të tij, duke tentuar të minimizojë përplasjet me klanet apo stekat e vjetra të saj. Prurjet e reja në krye të forumeve, por edhe të përfaqësimit politik e publik të saj kanë pasur si kriter kryesor përzgjedhjen e pinjollëve apo lidhjeve të gjakut me familjet e vjetra e të njohura të të majtës historike ish-komuniste. Mirëpo kjo duket e pamjaftueshme për t’u përballur me kundërshtarët aktualë apo edhe ata që priten të shfaqen para dhe pas zgjedhjeve. Dua të theksoj se vendimi i z. Rama erdhi pas një përpjekjeje deri tani të dështuar, për të ulur gjakrat apo për të arritur një kompromis me ish-kryetarin Nano, të cilit i është ofruar edhe një vend në krye të listës së PS-së në Tiranë. Dështimi i këtij plani natyrisht që e ka rritur alarmin te Edi Rama, pasi me Nanon kundërshtar, rikonfirmimi i tij kryetar, pas humbjes, do të jetë edhe më i vështirë. Për t’u kthyer edhe një herë tek argumenti, posti i kryetarit të bashkisë është pa dyshim mënyra më e sigurt e z. Rama, për të ruajtur pozitat në PS, pasi ishte pikërisht kjo pozitë që i mundësoi z. Rama ardhjen në krye të PS-së 4 vjet më parë. Një Ramë, kryetar bashkie, është pothuaj i pakonkurrueshëm për çdo kandidaturë tjetër për kryetar PS-je, deputet në opozitë. Si përfundim, z. Rama ka zgjedhur qartësisht të mbrojë interesat e tij politike e personale përpara atyre politike e elektorale të partisë që drejton. Ajo që Rama ka përparësi me të tjerët në PS dhe krejt të majtën është informacioni apo edhe intuita, për faktin se forca e tij politike nuk ka asnjë shans për të fituar zgjedhjet. Ky është një realitet që tani pas publikimit të vendimit të Ramës i jep fund çdo spekulimi apo iluzioni edhe nga më “erionbraçet” e PS-së dhe krejt të majtës shqiptare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›