E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugë për askund

Nga Xheladin ÇELMETA
Kohët e fundit, në Londër një botim ekstra po mahnit lexuesit britanikë. Në libraritë dhe kioskat e këtij qyteti, po qarkullon libri më i ri me titullin intrigues A road to noëhere (Rrugë për askund), shkruar nga një emigrant shqiptar, emrin e të cilit, për konfidencialitet, nuk po e përmend. Botimi në fjalë, pa asnjë mëdyshje mund të quhet edhe si një nga çudirat shqiptare në Botë sot, qoftë edhe për faktin se autori nuk ka provuar të shkruajë kurrë ndonjëherë më pare; jo më një libër, por as edhe një artikull të vetëm gazete. Ndërsa ka arritur të hedhë direkt në gjuhën angleze, në 600 e ca faqe, përshkrimin super të gjatë, për atë që ka ndodhur në Shqipëri që nga viti 1992 e deri më sot, kur jemi që prej dy javësh një vend anëtar i NATO-s. Pa dashur të komentoj përmbajtjen e librit të sipërpërmendur, (pasi nuk është ky qëllimi i shkrimit), ajo që mund të them është se autori, veç simpative personale për të djathtën shqiptare, arrin të skanojë mes radhëve edhe gjithë problematikat e mëdha që ka patur dhe ka ky vend në këto afro 20 vjet; aspekte, të cilat në fund të fundit, me gjithë angazhimet e politikanëve, nuk kanë mundur të na çojnë dot gjëkundi, veçse në një kalvar tranzicioni të gjatë e të stërmundimshëm. Gjithçka përshkruhet kaq besueshëm e kaq realisht, sa duket sikur autori e pi çdo ditë kafen e mëngjesit, jo më në Londër, ku ai ndodhet familjarisht që prej 16 vjetësh, por në një nga mjediset periferike të Tiranës, gjithë smog e zhurma makinash... Përqasja në këtë rast, përtej ironisë së fakteve, të çon natyrshëm tek një fakt, sa fondamental, aq edhe sintetizues: Tek sjellja e atyre që na kanë drejtuar në këtë vend, në gjithë këto vjet. Tek sjellja e dy kampeve të mëdha pozitë-opozitë që kanë dominuar skenën politike shqiptare në këtë periudhë prej gati dy dekadash të postkomunizmit në Shqipëri. Le të shpjegohemi: Dihet që dy ligjet kryesore me rëndësi kombëtare  për të ardhmen e vendit, të etiketuara si konsensuale dhe që kanë përbërë edhe shtyllën kryesore të shndërrimeve demokratike në vend, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten: Ligji për tokën, nr. 7501, si dhe Ligji i legalizimeve. Të dy këto ligje, edhe pse që në fillim janë pranuar e miratuar nga të dyja palët në Parlament, sot ende nuk po konkretizohen me shpejtësinë e duhur, si dhe në mënyrë bindëse për të arritur suksesshëm tek zgjidhja përfundimtare. Stërzgjatja, në fakt, po bëhet kaq rutinore, sa tani, jo vetëm brezi i 50-vjeçarëve (të cilët së shpejti natyrshëm do trokasin në moshën e tretë), po kalojnë momente depresioni, por edhe fëmijët e tyre, kanë filluar të venë në dyshim marrjen e trashëgimisë atërore(!?). E gjitha kjo, rrjedhojë e super-vonesës së lartpërmendur. Shqiptarët, që prej kaq e kaq vitesh, vazhdon ti stërmundojë dilema hamletiane rreth pronës së tyre: Është apo sështë e imja(!?). Duke e parë realitetin sa më sipër, na shkon ndërmend shprehja e një analisti të huaj, i cili, teksa komentonte ngjarjet e pas 97-tës, konkludonte mes të tjerash se e keqja në këtë vend (pra, në Shqipëri), është se ligjet bëhen pasi ndodh precedenti; kështu që ato nuk vijnë kurrë si rrjedhojë logjike e studimeve perspektive të cilëve duhet tu paraprijë politika... Kjo më pas sjell kriza, kolapse dhe vonesa të vazhdueshme.... Një tjetër tregues domethënës, që do tja vlente të analizonim shkurtimisht, do të ishte edhe neglizhimi i shpalljes zyrtare të koeficientit të nivelit të minimumit jetik të shqiptarëve. Politikanët tanë gati e kanë harruar fare atë, qoftë edhe si nocion konceptual. Thua se varfëria nuk ekziston tek ne, ndërsa ajo në fakt, është ulur këmbëkryq në mbi 40 për qind të popullsisë. Akoma më të dukshme e bën këtë aspekt, kriza e brendshme që po kalojmë, e ndërthurur me pasojat e asaj globale. Ndërkaq, replikat e sotme në tryezat mediatike të natyrës  ka krizë-nuk ka krizë mes konkurrentëve elektoralë, duket se nuk kanë qëllim tjetër, veçse të atrofizojnë arsyen e reagimin qytetar përpara një situate të ardhshme akoma edhe më katastrofike se kjo e deritanishmja. Teksa  jemi para zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009, duket gjithashtu  se politika përsëri po synon që këtë situatë të rënduar ekonomike ta kalojë ashtu heshturazi, ose duke kalkuluar rrugëzgjidhje jo të ndershme në kurriz qytetarëve të vet. Veçojmë këtu një aspekt në dukje spontan, por që kurrsesi sbesojmë të jetë i tillë. Fjala është për lojën që bën bashkia me anë të shtimit të taksave, një kundër-masë që ul si me telekomandë efektin e ngritjes së pagave në shkallë vendi. Kjo do të thotë që qytetarët të mos shkëputen kurrë nga pasojat e fenomenit në vend-numëro. Kështu, pra, në këtë realitetin tonë të përditshëm, ku rrugëzgjidhjet në interes të qytetarëve janë bërë modë të zvarriten pafundësisht, janë një sërë pyetjesh që presin përgjigje. Mes dhjetërash të tilla, po shkëputim njërën: Askush sot, për shembull, nuk e di se kur do të ndryshojë imazhi i keq i spitaleve tona, për shkak se korrupsioni është kthyer në koncept pune tek bluzat e bardha(!). Vetë Betimi i Hipokratit, tashmë sështë gjë tjetër, veçse një formalitet i rëndomtë skolaresk. Gjysma e së keqes, po të ishte fjala vetëm për shëndetësinë. Çtë bëj?, më thoshte një ditë një polic i i rrugores, pranë lagjes sime. Shoferët vijnë e mi fusin vetë lekët në xhep(!). Reflektojmë më tej akoma: Askush nuk e di se kur do të guxohet të dilet kundër vetes, me qëllimin e mirë që korrupsioni, ky oktapod i tmerrshëm, të luftohet së pari, tek mentaliteti i njerëzve tanë, tek ndërgjegjja e secilit prej nesh, për tu drejtuar pastaj tek institucionet, stafet, drejtorët, pedagogët, mësuesit, mjekët, infermierët, faturuesit e KESh-it, fatorinot, policët, doganierët, shoferët e ambasadave, komunarët, ekonomistët, rrogëtarët e shtetit në përgjithësi, etj, etj. E mbi të gjitha; kush do ta kurojë sindromën e pesimizmit të përgjithshëm të shqiptarëve, për gjithë sa parashtruam më lart? Dikush mund të gjykojë në mënyrë fëminore, se; po, ja, tani ne jemi në NATO dhe. Shpenguar e dëgjojmë këtë frazë të ndërprerë në mes, si të nënkuptonte ndonjë borxh, që Aleanca, ku sapo kemi hyrë, na paska për të na e dhënë(!!). Naivitet me brirë!. NATO është NATO dhe jo organizatë bamirësie, që të na japë kartëmonedha cash, për shkak të marrëzisë tonë dhe atyre që kemi zgjedhur për të na drejtuar në gjithë këto vite. NATO, natyrisht është fitorja jonë më e madhe në luftën shekullore për një jetë më dinjtoze si popull e si Komb. NATO u thotë politikanëve tanë bëni detyrat e shtëpisë, por kurrsesi ajo smund tu japë atyre deri edhe mendtë e kokës. Ajo na ofron aksesin e duhur për siguri, stabilitet, punë me standarde, por...nuk jep çek të bardhë për shqiptarët, nuk jep shtëpi për të pastrehët, nuk ka shkopin magjik për antikorrupsionin, nuk dhuron miliona, që ne pastaj të rrimë e të bëjmë pallë, për kokrrën e qejfit, siç thonë shkodranët. Pikërisht, se është kështu, kemi edhe shansin historik, që tani më shumë se kurrë ndonjëherë, si vend i NATO-s, të braktisim sa më shpejt të jetë e mundur rrugët  që sna çojnë gjëkundi. Të përqafojmë e të përshtatemi sa më efektshëm me rrugën e re euroatlantike, rrugën e besimit dhe shpresës reale të shqiptarëve.                         

Last Updated on Saturday, 09 May 2009 16:45

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›