E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moskandidimi i Braçes në Berat, Rama: Çdo njeri është pozicionuar me qëllim fitoren

BERAT- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë një udhëtimi drejt qytetit të Beratit ku pritet të ketë dhe takimin e radhës elektoral, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët.

“Berati për ne është 1 nga zonat që meriton një vëmendje të jashtëzakonshme nga qeveria e pas 23 qershorit, pas një keqqeverisje që si kudo ka hapur dhe në berat plagë të rënda”, tha Rama si parantezë teksa nënvizoi se duhet një punë e madhe për të rimëkëmbur ekonominë teksa solli në vëmendje varfërinë në Kuçovë dhe Poliçan.

I pyetur nga gazetari i "News 24" Arbër Hitaj për vendimin e kryesisë për të mos kandiduar Erjon Braçen në këtë qytet, Rama tha se gjithçka është mirëmenduar për fitoren e socialistëve duke paralajmëruar se në Berat PS do marrë 6 mandate.

“Faleminderit për pyetjen. Erjon Braçe është në vijën e parë të një pjese shumë të rëndësishme të frontit të betejës elektorale, në qarkun e Fierit. Ku njësoj si në qarkun e Beratit ne synojmë të marrim maksimumin dhe do të marrim maksimumin. Për këtë arsye edhe Erjon Braçe gjendet aty, krah për krah, me Gramozin, me Eglantinën, me Armando Subashin, me Ilirjan Celibashin dhe gjithë skuadrën e Fierit. Sigurisht, që ju keni nevojë për fabula që tërheqin më shumë telespektatorë dhe lexues, por në këtë rast nuk ka asnjë çudi, nuk ka asnjë anomali. Ne jemi një skuadër kombëtare ku secili është pozicionuar aty ku e kërkojnë interesat e përbashkëta të skuadrës dhe ku kërkon qëllimi i madh i një fitoreje që do të realizohet qark për qark dhe pastaj në të gjithë Shqipërinë", vlerësoi Rama. 

RAMA: SKUADRA E PS SOT, MË E MIRË SE E VITIT 2009
Kryesocialisti Rama vlerësoi se skuadra e PS-së e cila do të testohet më 23 qershor, është më cilësore se ajo e vitit 2009. Rama tha se lista e kandidatëve të PS është bazuar në dy nivele, politik dhe niveli i përfaqësimit, që e bën atë më të suksesshme se lista e PD-së.

"Ndoshta më ngatërrove me atë Giani De Biazi se unë nuk jam trajner i kombëtares së futbollit dhe nuk kemi 11 veta këtu. S’kemi dalë të luajmë futboll, kemi dalë të bëjmë një ballafaqim politik, kemi burra dhe gra, djem dhe vajza të përfshirë në këtë ballafaqim. Nuk janë 11, as 22, por janë më shumë se 140 vetë. Nëse më pyesni a është kjo një skuadër më cilësore sesa ajo e 2009, unë ju them absolutisht PO. Unë ju siguroj që siç kemi një skuadër deputetësh dhe deputetesh që është më cilësore se ajo e katër viteve më parë, sepse kemi profile të reja, të konsoliduara në këto 4 vite në jetën politike. Ja ku e kam në krah Ermonelën që katër vite më parë ishte e panjohur dhe që u përfshi në skuadrën tonë si një premtim dhe sot është një realitet që Ermonela është një përfaqësuese me një profil të konsoliduar, ashtu siç kemi edhe të tjerë. Që i kanë dhënë hov ripërtëritjes së PS-së dhe një procesi ku të tjerë janë përfshirë sepse rruga është e hapur, ndërkohë që kemi një skuadër që i harmonizon gjeneratat, eksperiencat dhe kështu me radhë. Kemi figura që në pamje të parë mund të duken si të panjohur, mund të duken si të dorës së dytë, por janë figura që i përfaqësojnë komunitetet në pjesë të ndryshme të qarqeve më mirë sesa unë apo cilido nga ata që ju i shikoni në ekran”, theksoi Rama. 

BIZNESMENËT NË LISTAT E PS, RAMA: SIPËRMARRJA ËSHTË PUNË NUK ËSHTË TURP
Kreu i PS-së gjatë bashkëbisedimit me gazetarët u pyet dhe për pjesëmarrjen në listat e PS-së të biznesmenëve, një temë e cila ditët e fundit ka ngjallur jo pak debate si brenda PS-së ashtu dhe jashtë saj.

Rama theksoi se PS është deklaruar për partneritet me sipërmarrësit, duke theksuar se përbuz kritikët dhe kundërshtarët politik që e bëjnë këtë shtresë me gisht. Sipas Ramës ka një dallim thelbësor mes kandidimit të një sipërmarrësi dhe një politikani që bëhet i pasur përmes pushtetit. 

“Ka një dallim thelbësor midis atyre që i futen sipërmarrës në politikë dhe atyre që bëhen biznesmenë duke ardhur nga politika. Sipërmarrësit që janë përfshirë në listat e Partisë Socialiste qoftë në 2009, qoftë tani, nuk janë bërë biznesmenë në politikë. Ndërkohë që është kthyer qeveria e Republikës së Shqipërisë në një kompani fitimprurëse, e cila për të nxjerrë përfitime marramendëse këta zotërinj ka falimentuar Shqipërinë. Kështu që ta lëmë këtë farsë propagandistike me sipërmarrësit. Sipërmarrësit janë figura kyçe në sistemin ku ne jetojmë. Sipërmarrësit kanë të drejtë të kenë zërin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. PS është një forcë e deklaruar për aleancë me sipërmarrjen, për partneritet me sipërmarrësit, për hapjen e një faqe të re edhe në këtë drejtim. Unë i përbuz ata kundërshtarë, apo ato kritikë që tregojnë me gisht sipërmarrësit si të tregonin një sëmundje dhe e konsiderojnë mëkat përfshirjen e sipërmarrësve në jetën politike. Absolutisht jo! Përkundrazi. Koha tregoi se sipërmarrësit që u përfshinë në jetën politike të PS-së përballuan me dinjitet vite të tëra në opozitë duke përballuar goditje mafioze, kriminale nga ana e pushtetit. Duke përballuar strese të tepërta dhe kosto të tepërta për familjet e tyre dhe për kompanitë e tyre. E, duke përfaqësuar me dinjitet komunitetet e tyre. Mjafton t’i shikoni një më një plagët që i’u janë hapur në këto katër vite atyre kompanive, ju siguroj se është e vlefshme për të krijuar një pikëpamje shumë të shëndetshme për sipërmarrësit dhe propagandën e tyre. Nuk janë sipërmarrësit shqiptarë, të gjithë, klientë abuzivë të pushtetit dhe nëse një grusht klientësh që janë të tillë, sepse politika në pushtet ka zgjedhur të përziejë detyrën publike me përfitime private, kjo nuk do të thotë që ne të qëndrojmë larg sipërmarrjes apo që të kemi frikë se çdo na thonë po të përfshijmë sipërmarrës në fushën e aktivitetit publik. Është absolutisht një qasje destruktive dhe tërësisht jo realiste. E, mbi të gjitha jo në interes të zhvillimit normal të jetës së vendit", theksoi Rama.

GJOBA PËR KUOTAT E FEMRAVE, RAMA: SFIDË, PS TË PARËT QË PROMOVOI IDENË
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, për gjobën që jo vetëm PS ka marrë pak ditë më parë nga KQZ, pasi nuk ka respektuar kuotën prej 30% pjesëmarrje nga femrat në listat zgjedhore, Rama tha se mbetet ende sfidë duke theksuar se PS ishte e para që hodhi idenë dhe është e vetmja parti që ka më shumë gra në Parlament.

“Së pari, unë jam shumë krenar që promovuam rritjen e kuotës në ligjin elektoral. Jemi partia që me këtë promocion, me këtë shtytje të madhe përfshimë kuotën dhe e çuam në parlament më shumë gra sesa Partia Demokratike apo forcat e tjera. Jemi partia që sot do të çojmë përsëri në parlament më shumë gra se PD. Mbetet sfidë që të plotësojmë kuotën kudo jo vetëm në pjesën e sipërme të listës, por në të gjithë listën. Por, ama një gjë kam nevojë ta nënvizoj që nuk kemi përdorur emrat e grave dhe vajzave për të mbushur listat në pjesën e poshtme, por kemi qenë shumë të vendosur që të shtojmë numrin e grave që do të jenë në parlament dhe kemi më shumë gra se ç’kishim. Ndërkohë që jemi zotuar dhe kjo do të jetë sfida e zgjedhjeve të ardhshme vendore që në çdo këshill bashkiak dhe komunal të Shqipërisë ne do të kemi 50% gra në lista. Është një proces. Nuk mund të kalojmë nga një ekstrem në pikën tjetër që do të ishte përmbushja e barazisë së plotë gjinore. Ekstremi ishte i tmerrshëm, mungesë e plotë përfaqësimi i grave. Sot nuk mund të themi më që parlamenti ynë është një parlament që s’ka lidhje me Europën nga kjo pikëpamje, sepse ka një numër të konsiderueshëm për ne, për Shqipërinë, dhe për traditën e saj të derikëtushme, grash dhe vajzash”, tha Rama. 
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›