E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria i ka biznesit 200 mln euro borxh, dështoi me modelin ekonomik

TIRANË- Partia Socialiste në sajë të nismës ‘100 arsye për të mos votuar Berishën’ ka sulmuar kryeministrin se ka dështuar në modelin ekonomik, duke i ofruar vendit vetëm borxhe.

Anëtarja e kryesisë dhe kandidatja për deputete e PS, Lindita Nikolla gjatë një konference për shtyp nga selia rozë theksoi se qeveria i ka biznesit 200 milionë euro borxh.

“42 ditë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët do të largojnë me votë kryeministrin dështak, me një model ekonomik të dështuar, atë të rritjes vetëm me borxhe. Borxhi publik në Shqipëri nuk është vetëm ai i shpalluri nga qeveria në nivelin prej 62%. Shumë borxhe të tjera të shtetit, si përshembull kontratat e palikuiduara ndaj biznesit, nuk përfshihen tek shuma e borxhit publik të shpallur. Përfaqësuesit e dhomave të tregtisë dhe biznesit shprehen se qeveria i ka më shumë se 200 milionë Euro (28 miliardë lekë) borxh rreth 660 kompanive të ndryshme. Kjo vlerë është diçka më shumë se investimet publike të financuara nga qeveria në 2012 (rreth 27.4 miliardë lekë). Pra, rezulton se qeveria gjatë gjithë 2012 ka investuar vetëm me paratë e bizneseve dhe këta të fundit janë shtyrë drejt rrënimit. Në fakt, qeveria për shkak të arkëtimeve të ulta tatimore gjatë muajve të fundit ka marr borxh jo për të kryer investime publike, por për të paguar detyrimet minimale të shtetit, për të paguar rrogat dhe pensionet. Një tjetër detyrim i shtetit ndaj biznesit është edhe mosrimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Deklarimet në media nga grupe biznesi, që përfshijnë subjektet eksportuese, i vlerësojnë këto detyrime në mbi 150 milionë Euro”, theksoi Nikolla.

Nikolla premtoi se pas 23 qershorit PS, do të ndryshojë situatën, pasi ajo do mundësojë një model të ri partneriteti me biznesin e sipërmarrjen.

“Qeveria e re e majtë do të ndërtojë një aleancë në partneritet të plotë me sipërmarrjen, në mbrojte të interesave kombëtare dhe publike, në mbrojte të interesit të sipërmarrjes dhe bashkërisht në mbrojtje të vizionit për të ndërtuar një model të ri zhvillimi dhe marrëdhëniesh ekonomike”, premtoi Nikolla.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›