E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të konvertuarit e shekullit të ri

Besimi është çështje personale në botën e qytetëruar, pjesë e së cilës është bërë edhe Shqipëria, ku të gjithë mund të bëjnë zgjedhjen e vet. Nga Express më 06 maj 2011 në ora 13:05

Dikur një vend me besim të refuzuar, sot i lirë në mendim dhe fe, besimi shikohet si orientim i shpirtit për të shpëtuar “trupin” nga mëkati, në mungesë të fuqisë për të shëruar vetveten. Në këtë kontekst, pagëzimi në fenë e krishterë dhe konvertimi në besimin islam është një fenomen i zakonshëm. Pa mundur të sigurojmë statistika se si ka ecur kjo dukuri, rastet janë ato që na bëjnë të mendojmë se çfarë i shtyn njerëzit të ndryshojnë fe.

Është figurë e njohur për publikun shqiptar. Quhet Rudina Dombacaj, një vajzë e rritur me frymë myslimane, por në fëmijërinë e hershme të saj frekuentonte objektet katolike, një lojë fëmijësh që e shtyu më pas të mendonte më gjatë për përkatësinë e fesë së saj.
“Kur isha e vogël shkoja me shokët dhe shoqet e lagjes në kishë dhe babi, për të marrë si të thuash një bekim nga gjyshja ime, i tha ‘Rudina shkon në kishë, a ta lejoj’, duke qenë se gjyshja ishte shumë besimtare dhe ajo tha ‘nuk ka problem, vetëm të besojë diku’”, tregon Rudina.

E papenguar nga njerëzit e saj, me orientimin e ri për “frymën e shenjtë”, Rudina vendosi të pagëzohej, një proces që në filozofinë e saj prej të krishtere simbolizon larje dhe pastrim.

“Nga mosha 19 vjeç vendosa që t’i çoj këto rite deri në fund dhe të pagëzohem e krishtere. Për këtë sërish i kërkova leje prindërve të mi. Babi ishte absolutisht i gatshëm, gjithashtu mund të pagëzohesh dhe ne do të jemi të pranishëm dhe ashtu ndodhi. Nëna ime ishte hera e parë që hynte në kishë, në ditën që unë u pagëzova”, thotë Rudina.
Pagëzimi është një prej mjeteve të shëlbimit, i themeluar nga Krishti. Ky proces në shkrimet e shenjta konsiderohet aq i domosdoshëm, aq sa pa pagëzim nuk ka shëlbim. Në rrugën e “studimit” të shkrimeve të shenjta, krishtera e re e kohëve moderne, ka pasur dilema dhe pasiguri për zgjedhjen.

“Kam pasur tundime dhe pikëpyetje, por i kam kapërcyer ato duke lexuar mbi fenë dhe duke iu lutur Zotit tim që të kem bërë zgjedhjen e duhur. I kapërceva me shumë sukses dhe jam edhe sot shumë e lumtur që jam pjesë e besimit të krishterë, respektoj jashtëzakonisht shumë edhe besimin mysliman, pasi i kam njerëzit e mi që janë të gjithë myslimanë”, shprehet Rudina.

Historiani Dritan Egro, i nisur nga konteksti historik, çështjen e pagëzimit, apo të konvertimit, e shikon si një “prirje personale”, jo si orientim mbarë-shoqëror.
“Konvertimi fetar është një zgjedhje dhe kjo zgjedhje në një botë të lirë mbetet një zgjedhje e lirë, kështu që jam i bindur se aq sa ka konvertime nga Islami në fetë e tjera, po edhe anasjelltas, pasi kjo është një zgjedhje e një individi në kushte të caktuara, ashtu si çdo zgjedhje tjetër që secili bën në jetën e tij. Nuk duhet konsideruar si një akt anormal”, thotë Dritani.

Islami është feja e vetme monoteiste, që pranon ekzistencën e komuniteteve jomyslimane edhe brenda territoreve ku shteti islamik vendos sundimin e vet. Në realitetin e sotëm, prezenca e shumë komuniteteve ortodokse dhe të krishtere në Ballkan, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, shpjegon këtë fakt, pavarësisht se shtetet përbërëse të tij jetuan 500 vjet me radhë nën sundimin e një shteti islam.

Askush s’do ta besonte që Ana Beqo është rritur në familje ortodokse, me ikonat e kishave dhe vezët e pashkëve. E pagëzuar në Athinë në moshën 10 vjeçare, sot ajo është kthyer në një “myslimane e devotshme” dhe shpeshherë e gjejmë në xhami duke u lutur. Një ish-studente shumë e mirë e administrim-biznesit sot i bashkohet komunitetit të saj, duke shoqëruar çdo “misionar” në çdo cep të tokës.

“Unë jam rritur në një familje ortodokse dhe konvertimi im ka qenë shumë i natyrshëm. Po shikoja rrethin që më rrethonte, ishin të gjithë myslimanë praktikantë dhe shikoja se çfarë morali kishin, se çfarë paqeje kishin dhe se si këshillonin për mirë. Të ndalonin nga e keqja, këshillonin për durim. Thash këtu duhet të ketë diçka, nuk do jetë aq keq saç thonë”, shprehet Ana.

Pasi filloi studimin e Kuranit, kuptoi se iu rrit besimi. Në etjen e saj për të kuptuar, ri-zbuloi gjëra nga ajo që Ana e quan “legjislacion” të librit të shenjtë. Aktualisht punon në një nga bankat e kryeqytetit IT kontrolli, e arsimuar në Qipro, asgjë nuk duket e çuditshme në jetën e saj të re.

“Një ditë ngrihem dhe them, sot duhet të bëhem myslimane dhe të bëhesh e tillë është shumë e thjeshtë, me lejen e Zotit, mjafton të dëshmosh se Zoti është një. Ajo që më pëlqen më shumë te kjo fe është se ne i besojmë dhe pranojmë të gjithë librat e Zotit”, tregon Ana.

Dhe nga ajo ditë kanë kaluar dy vjet, Ana sot mban të veshur nixhabin dhe shaminë, një uniformë që tregon përkatësi, një lloj të veçantë të ushtruari besimi.

“Kur ka konvertime të tilla brenda familjeve, duhet të ketë arsye shumë të forta individi që ta bëjë një gjë të tillë dhe në këto raste për të ruajtur ekuilibrat brenda familjes dhe shoqërisë, ajo kthehet në një nga mbrojtësit më të fortë të fesë së re. Kjo sepse do të balancojë rivalitetin shoqëror, apo familjar të sajin. Kjo është një ligjësi që ndodh edhe në krahun tjetër”, thekson Dritani.

Pavarësisht rasteve të paraqitura, ende nuk janë zbuluar shkaqet e konvertimit të shqiptarëve. Ajo që pritet të shpjegojë fenomenin 500 vjeçar është përgjigja që do t`i jepet pyetjes: A janë shqiptarët fanatikë të një doktrine fetare apo e përdorin faktorin fetar “si një instrument për të siguruar ekzistencën e tyre”?

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›