‘Katërshja e madhe’ synon Kupën
Pas përfundimit të pjesës së rregullt të BKT Superligës, kjo fundjavë është e rezervuar për ndeshjet përfundimtare të Kupës së Kosovës në basketboll, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit e Kosovës. Takimet gjysmëfinale do të zhvillohen të premten (sot), kurse ato finale, të dielën, të gjitha në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Ajo më interesantja do të jetë ndërmjet dy skuadrave më të forta, Sigal Prishtina e Bambi. Prishtinasit janë mobilizuar dhe krahas titullit të kampionit e synojnë edhe Kupën e Kosovës. E gjithë kjo falë ndihmës së madhe që kanë marrë nga sponsori IPKO. Kapiteni Edmond Azemi beson se bardhekaltrit mund ta mposhtin ekipin serb nga Mitrovica.
“Besoj që, nëse angazhohemi në maksimum, s’kemi me pas vështirësi për ta mposhtur Bambin. Me rikthimin tim dhe me përforcimin që e bëri kryesia, ne jemi kompletuar. E kemi studiuar lojën e fundit me Bambin dhe besoj se do t’i kundërvihemi në mënyrën e duhur. Nëse bëjmë lojë agresive dhe me kundërsulme të shpejta, s’kam dyshim se do të shkojmë në finale”, tha ‘Edo’ për Express.
Natyrisht plasmani në finale do t’u jepte luks prishtinasve që ta fitojnë trofeun, pasi kundërshtar më të fortë se Bambin nuk shohin. “Besoj se, nëse shkojmë në finale, do të takohemi me Pejën. Ky ekip është përforcuar, por ende nuk është komponuar, andaj do ta kemi më të lehtë ta mposhtim sesa Bambin, i cili është kundërshtari më i fortë i Prishtinës. Ne do të mundohemi që t’i gëzojmë tifozët tanë dhe ta mbajmë edhe këtë herë Kupën në Prishtinë”, shtoi Azemi.
Në anën tjetër, Bambi, i cili është fuqia e dytë e basketbollit kosovar, do të provojë ta fitojë trofeun e parë në histori. Trajneri Igor Dashiq mendon se, nëse e mundin Sigal Prishtinën në gjysmëfinale, do të kenë gjasa të mira për ta rrëmbyer trofeun e çmueshëm.
“Mbi të gjitha presim një ndeshje të mirë, kualitative dhe fituesi i së cilës zgjidhet në parket. Nuk ka rëndësi edhe aq të madhe se kush fiton, por ajo që shpresojmë ne është që mos të përsëritet ajo që ndodhi ndeshjen e kaluar (incidenti). Ne synojmë të tregojmë një lojë të ngjashme me atë të kaluarën, ku kemi dëshmuar se jemi të barabartë me Prishtinën. Nëse e mposhtim këtë ekip, sigurisht se kemi gjasa për ta fituar edhe Kupën, sepse Pejën e kemi mposhtur tri herë gjatë sezonit. Por, ne mendojmë së pari vetëm për Prishtinën, i cili është rivali kryesor i Kupës për ne”, deklaroi Dashiq.
Peja, favorite përballë Trepçës
Ndeshja tjetër gjysmëfinale do t’i vë përballë Pejën dhe Trepçën. Pejanët kanë qenë më të suksesshëm se mitrovicasit në kampionat, por ata nuk ndihen më komod për këtë fakt. “Peja gjithmonë ka mentalitet fituesi, pa marrë parasysh se çfarë ekipi ka. Edhe për ndeshjet e Kupës jemi përgatitur, por nuk bëjmë parashikime. Le të fitojë më i miri. Trepçën e kemi mundur 4 herë këtë sezon, por vetëm në parket nesër mund të dihet më shumë, të tjerat nuk vlejnë”, tha trajneri i Pejës, Bujar Loci.
Trepça në anën tjetër ka bërë ndryshime së fundmi, duke e sjellë trajnerin kroat Sasha Katalinic, por riktheu edhe basketbollistin e njohur, Muhamet Thaçi. Njëri prej lojtarëve më të mirë të ekipit ‘Xehetar’, Drilon Hajrizi thotë se gjelbër e zinjtë do të hyjnë të motivuar në këtë kompeticion dhe do ta japin maksimumin, porse atyre nuk duhet t’u shihet për të madhe nëse humbin, ngase kanë ekip të ri dhe projekte afatgjate.
“Në ekipin tonë janë bërë disa ndryshime. Shpresojmë të vazhdojmë me ritëm të njëjtë të lojërave. Peja është përforcuar, por s’e di se a është e komponuar sa duhet. Por, duhet pranuar se ata janë favoritë, edhe pse ne nuk do t’i hyjmë lojës për t’u dorëzuar. Assesi, do të provojmë ta shfaqim lojën tonë, e në fund le të triumfojë më i miri. Nëse arrijmë në finale, do të ishte sukses për ne, ndërsa nëse e fitojmë edhe finalen, do të ishte sukses shumë i madh”, theksoi Hajrizi.
Kupa e Kosovës - Gjysmëfinalja
E premteOra
Trepça – Peja17:00
Bambi – Sigal Prishtina19:00