“Mosmarrëveshjet politike vonuan statusin, duhet konsensus mes palëve”

Deklarata/Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i bën thirrje faktorit politik në vend, të bashkëpunojë për realizimin e reformave dhe afrimin e vendit me aspiratat e integrimit evropian. Ai theksoi nevojën për bashkëpunim politik në të mirë të vendit, ndërsa theksoi se mungesa e dialogut politik i ka hequr marrjen e statusit kandidat për në BE, Shqipërisë.
“Zhvillimet politike gjithashtu kërkojnë më shumë dashuri, por në qoftë se kjo do të jetë e vështirë, të paktën dialogu nuk është i pamundur, në mënyrë që Shqipëria të hedhë atë hap, që duhet ta kishte hedhur prej 2-3 vitesh, të marrjes së statusit të vendit kandidat sepse i vetmi problem ka qenë mungesa e dialogut politik dhe disa reformave që kanë mbi bazë këtë dialog, pasi në kriteret e tjera Shqipëria i ka plotësuar të gjitha ato kërkesa që janë vendosur nga ana e Komisionit Europian. Nuk jemi këtu për të gjetur fajtorë. Ne jemi këtu, në këtë qytet, i cili zanafillën e tij, ndërtimin e tij, e ka nga dashuria, ndërkohë që thonë që djegien apo shkatërrimin e ka nga urrejtja. Ne jemi këtu për t’ dhënë një nxitje dialogut, por edhe dashurisë midis shqiptarëve”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu ka kërkuar arritjen e konsensusit për ngritjen e Gjykatës Administrative.
“Duhet të ishte arritur me kohë, por më mirë vonë sesa më vonë. Është një hap pozitiv”, tha ai.
Deklaratat e tij, kreu i LSI-së i bëri nga qyteti i lashtë i Antigonesë, në Gjirokastër, ku mori pjesë në kremtimin e Ditës së Verës, si një festë kombëtare për të gjithë shqiptarët.
Për kreun e LSI, ky vend i cili ka një histori të lavdishme, një qytet i krijuar nga dashuria, duhet të reflektojë për më shumë harmoni për të ecur përpara në rrugë e progresit, për të ndërtuar një Shqipëri më të bukur dhe më të lumtur për të gjithë dhe për fëmijët tanë.