Edi Rama nxjerr Keti Bazhdarin që mburret për pasurinë e saj

Demagogjia e turpshme e PS me ish-të përndjekurit
Keti Bazhdari, pas mburrjes së shprehur në media lart e poshtë se është e pasur dhe se nuk i ka hyrë politikës për përfitim, dje u shfaq publikisht në tentativë e sipër, për të marrë kujdestarinë e ish të përndjekurve të diktaturës hoxhiste. Për çka me gjasë, Keti u largua edhe nga detyra e kryetarit të degës së PS-së së Shkodrës.
Hipokrizia fillon që këtu dhe është në vazhdën e propagandës së papranueshme të udhëhequr nga Edi Rama, për të vënë në lojë pikërisht vuajtësit e dënimeve të padrejta dhe pa gjyq, gjithnjë të firmosura nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij, se kështu konsolidonin pozitat e regjimit si dhe shtypnin kulturën liberale-evropiane të intelektualëve shqiptarë. Prandaj jo më kot të preferuarit e regjimit për t’i burgosur dhe pushkatuar ishin ata me formim perëndimor ose dhe jo, por që injektimi i pikëpamjes së tyre liberale dhe mbi të gjitha i eminencës së të gjithë kësaj, që mbetet liria e individit, mund të rezultonte një rrezik permanent për jetëgjatësinë e diktaturës.
Me moton “lyej duart me gjak dhe mbrojmë pushtetin”, regjimi hoxhist korri “suksese” të panumërta të arrestimet dhe burgosjen e elitës në burgje që më shumë i ngjanin kampeve të përqendrimit nazist dhe rreziku tjetër i pashmangshëm ishte pushkatimi për dy vargje poezi, për një ëndërr gjumi apo edhe për një ‘kritikë’ ndaj “Dullës”. Asnjëherë s’ka pasur pikëpyetje për “vëmendjen” e Partisë Socialiste ndaj ish të përndjekurve dhe të dënuarve politik, pasi vetë rrethanat kohore dhe historike janë të tilla që e zhveshin trashëgimtaren e Partisë së Punës, të marrë nën kujdestari pikërisht ata që etërit politik dhe ideologjik (të Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Ilir Gjonit, Ditmir Bushatit et,.) i dënuan dhe ekzekutuan përgjatë 50 viteve.
Sigurisht që Keti ishte më në modë në emisionet e pasditeve apo dhe në bisedat e saj të pakontrolluara, kur thoshte se “jam e pasur”, “kam shansin e madh të kem pasuri”, e shumë fraza të tilla cinike, me synimin e vetëm që interesat e shtresës që do të mbronte, të mos viheshin në qendër të kritikave.
Kësisoj, jo vetëm demagogjia në tryeza dhe konferenca shtypi, por edhe ideja, gjasme programi politik i kryesocialistit, janë një vlug mashtrimesh, për të fshehur përgjegjësinë morale ndaj krimeve të regjimit hoxhist.