Tirana do shndërrohet në promotor i zhvillimit të biznesit dhe nxitjes së punësimit
Kryebashkiaku Lulzim Basha takim me biznesin austriak, ftesë të hapur për investime në projektet strategjike të Tiranës, Bulevardi, Tramvaji dhe Lumi i Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha u shpreh dje gjatë një takimi të zhvilluar me biznesin austriak në vendin tonë se vizioni për ndërtimin e Tiranës të së ardhmes nis me zgjatimin e Bulevardit, ndërtimin e terminalit të ri, tramvajit dhe rehabilitimit të Lumit të Tiranës. Për kryebashkiakun Basha, këto janë projektet strategjike për shndërrimin e Tiranës në një metropol evropian dhe miqësor me të gjithë. “Bashkia e Tiranës ka një vizion e cila i përket ndërtimit të këtij qyteti i cili ishte lënë peng i politikës dhe i mungesës së funksionimi të përshtatshëm në komunikimin e duhur me qytetarët. Pjesë e këtij vizioni është në disa aspekte, duke nisur që nga zgjatimi i Bulevardit dhe rehabilitimi i Lumit të Tiranës. Ndërtimi i terminalit, stacioni multi modal, ndërtimi i pjesës juglindore të Tiranës, punimet duke nisur nga Ura e Kamzës dhe deri tek Ura e Brarit. Të gjitha këto janë investime të cilat kërkojnë pjesëmarrjen e investitorëve privatë. Ajo që synojmë është të krijohet një mjedis i të qenit si në shtëpi, e cila përbën një proces të gjatë ku, në këtë rast vendi juaj ka kaluar një histori të gjatë në krijimin e njohjeve të tilla”- u shpreh Basha. Klima e biznesit është drejt përmirësimit, tha Basha, duke shtuar se Tirana do bëhet promotor i zhvillimit të biznesit. “Për ne një nga prioritetet kryesore ka qenë biznesi, sidomos krijimi i një klime të përshtatshme dhe të favorshme për zhvillimin dhe avancimin e tij. Bashkia e Tiranës pa luan një rol unik në krijimin e kësaj klime. Qyteti i Tiranës është një nga ato qytete e cila është e përshtatshme dhe me rëndësi të madhe për të realizuar investime, duke qenë se Shqipëria ndodhet edhe në Ballkanin Perëndimor. Për sa i takon punës në bashki është punuar shumë që vitin e kaluar në këto dy fusha kryesore: Së pari në ngritjen e nivelit të këtyre fushave dhe së dyti në krijimin e transparencës në lidhje me grumbullimin e taksave, dhe mbi të gjitha me lehtësimin e tyre. Ndërkohë janë marrë dy masa përsa i takon taksave lokale, dhe për këtë ne po negociojmë shumë edhe me qeverisjen qendrore, për një funksionim të përshtatshëm. Kohët e fundit jo më larg se muajin e shkuar përfunduam një marrëveshje me Korporatën Ndërkombëtare për Financimin (IFC) për hapjen e qendrave me një ndalesë (one stop shop centers). E gjitha kjo është pjesë e transparencës për të cilën po ju flas, e cila do të jetë në ndihmë të qytetarëve përsa i takon regjistrimit të një biznesi në Qendrën e Licencimit, që do të reduktojë kohën e gjatë prej mbi 50 ditë për hapjen e një biznesi. Ky proces pune do të vazhdojë edhe më tej, falë bashkëpunimit me qeverinë qendrore e veçanërisht me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). E gjitha kjo synon në ngritjen e standardeve ndërkombëtare, dhe në këtë punë nxitja jonë e madhe është të kemi kontakte sa më efikase, në mënyrë që t’i shërbejmë biznesit, t’i shërbejmë në këtë mënyrë qytetarëve. Siç e dimë sistemi i vonuar për marrjen e një licence ka pasur standarde të larta burokracie, por me hapjen e një qendre të tillë, dhe me një lidhje të ngushtë administratë dhe biznes do të ketë lehtësira në shërbim të qytetit”- tha ai. Basha shtoi më tej se një pikë tjetër për t’u theksuar është zhvillimi i teknologjisë ‘knoë hoë” (profesionalizmit), sidomos në fushën e ndërtimit, në mekanikë etj.
Kështu në muajin tetor me një grup studentësh të porsa diplomuar të informatikës u organizua një ceremoni e marrjes së diplomave, ku morën përkatësisht diplomën rreth 1/2 e të diplomuarve, çka tregon për një numër të lartë të studentëve të specializuar në shkencën e teknologjisë së informatizuar. “Ndaj përsa i takon kësaj fushe ne do të kemi bashkëpunim me kompaninë shqiptaro amerikane e cila ka një përvojë të jashtëzakonshme ne Austri dhe mbi të gjitha ka qenë shumë frymëzuese në stabilizimin e gjithçkaje. Pjesë e vizionit tonë është që teknologjia të bëhet një pjesë e rëndësishme, e cila do të jetë funksionale në integrimin e të dhënave dhe në këtë mënyrë do të ngre eficencën në punën e administratës. Në këtë mënyrë do të përmirësohet sistemi i shërbimeve dhe kështu do të përmirësohet jeta e qytetarëve. Ndaj mund të them se investitorët austriakë janë gati të punojnë me dashurinë e tyre dhe me mënyrat e tyre për të investuar për këtë qytet dhe për të ndryshuar në këtë mënyrë të ardhmen e Tiranës për brezat që do të vijnë. Sigurisht që teknologjia dhe zgjerimi i saj, pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës së saj, ka qenë në këtë vend një avantazh për rritje ekonomike ashtu si dhe në mjaft vende të tjera”. Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha deklaroi gjithashtu se “ne duam të lëvizim paralelisht edhe me hartimin dhe miratimin e Planit Urbanistik për Tiranën, dhe të ndërhyjmë në infrastrukturë sipas konceptit “Smart City” ku mund të integrojmë të gjitha të dhënat për një përgjigje për kërkesat e qytetarëve dhe të rritjes së cilësisë së shërbimeve që jep Bashkia, si shëndetësia, infrastruktura, shërbimi zjarrfikës, dhe shumë shërbime të tjera dhe kërkojnë akoma më shumë në këtë proces”. “Sigurisht që kjo kërkon në menaxhimin e mirë fiskal, kontrollin e trafikut, etj por që edhe ne kemi lëvizur në këtë pjesë. Shërbimet në qytet janë në përmirësim dhe kjo për mua do të thotë që duhet të kemi më shumë bashkëpunim me spektrin privat si në sektorin e transportit publik, sistemin e tramvait, manaxhimin e ujit të pijshëm dhe ku ekspertët e qeverisë austriake kanë pasur një ekspertizë shumë të mirë. Duke përmirësuar këto shërbime, duke pasur një jetë më të mirë për qytetarët, ujë të pijshëm 24 orë për qytetarët, menaxhim i mbetje urbane, etj kanë një interes nga sektori privat dhe ajo që ne na duhet është të adoptojmë interesat e të dyja palëve. Së fundi edhe për sipërmarrjet e vogla, që është zemra e duhur për një ekonomi, ne jemi duke vendosur fondin e garancisë siç kam premtuar dhe pritet që ta jetësojmë vitin tjetër dhe jemi duke kërkuar mbështetjen e Austrisë apo vendeve të tjera të BE-së për të rritur këtë fond garancie por kjo nuk është e mjaftueshme. Ky fond do të mund ti japë një ndihmë sipërmarrjeve të vogla e të mesme dhe ka për të ndryshuar mjedisin e biznesit dhe jam i sigurt që austriakët mund ta japin një kontribut në këtë çështje”- theksoi ai.