OSBE: Le të hiqet imuniteti, pa e prekur kushtetutën

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth ka inkurajuar klasën politike që të shpejtojë me miratimin e vendimit për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë, deputetët dhe gjyqtarët, duke theksuar se ka mënyra që kjo reformë mund të kryhet edhe pa e ndryshuar kushtetutën. Mazhoranca e ka dhënë prej kohësh konsensusin e saj, ndërkohë që pritet vendimi i opozitës
“Heqja e imunitetit duhet bërë me ligj, por pa prekur kushtetutën”. Kështu u shpreh dje kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Eugen Wollfarth, ndërsa përshëndeti qëndrimin e fundit të mazhorancës dhe opozitës për këtë çështje ndërsa tha se, heqja e imunitetit është një mundësi që zyrtarët t’i shërbejnë më mirë qytetarëve. “Unë jam në favor të një zgjidhjeje dhe votimi të shpejtë. Jam i sigurt që bashkërisht mund të gjendet një zgjidhje e mirë në parlament. Kushtetuta nuk duhet prekur çdo ditë”, u shpreh Wollfarth. Gjithashtu, kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, inkurajon klasën politike shqiptare të vijojë më bashkëpunimin dhe realizimin e reformave të rëndësishme për integrimin. Wollfarth sjell në vëmendje të faktorit politik shqiptar se, “statusi i vendit kandidat është shumë më afër, por mbetet gjithashtu ende shumë punë për të bërë në realizimin e reformave”
Kryesocialisti Rama pranoi që të votojë edhe heqjen e imunitetit si pjesë e reformës në drejtësi. Deklarata shkon në sinkron me atë të kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit. Ju si e shihni këtë lëvizje?
Ky është një kontribut i rëndësishëm në një diskutim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Imuniteti duhet të përdoret vetëm për t’u shërbyer njerëzve dhe për asgjë tjetër; dhe duhet të ketë kufij. Unë jam në favor të një zgjidhjeje dhe votimi të shpejtë.
Mendoni se klasa politike ka gjetur tashmë rrugën e bashkëpunimit dhe komunikimit? Mendoni se jemi afër statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian apo ka diçka më shumë që ne nuk e dimë?
Mund të përgjigjem vetëm nga këndvështrimi i Prezencës së OSBE-së, se ‘statusi i vendit kandidat’ është shumë më afër, por mbetet gjithashtu ende shumë punë për të bërë. Procesi i reformave duhet të vazhdojë – reforma zgjedhore, parlamentare dhe reforma në drejtësi, për të përmendur vetëm më të rëndësishmet. Unë sigurisht që uroj të ketë një rekomandim pozitiv, por në fund vendimi i takon Komisionit, i cili ia paraqet rekomandimin e tij shteteve anëtare të BE-së.
Për sa i përket imunitetit, mendoni se është më mirë ndërhyrja në Kushtetutë apo varianti i mazhorancës me dorëheqje individuale të imunitetit?
Jam i sigurt që bashkërisht mund të gjendet një zgjidhje e mirë në parlament. Kushtetuta nuk duhet prekur çdo ditë.
...