E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bamir Topi ka ardhur si hyzmeqar te ne - na mori tokat, mund të na marrë edhe kokat”

15-03-2012 / Gazeta 55

Rrëfimi/Pasardhësit e Familjes tiranase të Ismail Topit ndjehen të fyer, të grabitur dhe të kërcënuar nga presidenti i republikës


Të afërmit e Presidentit të Republikës, akuzojnë Bamir Topin se ju ka grabitur atyre pronat e trashëguara nga të parët e tyre, të familjes Topi. Pasardhës të Ismail Topit thonë se Bamir Topi ju ka marrë atyre dhjetëra dynymë, të trashëguara me dokumente të vitit 1896 dhe kërkon të marrë edhe 10 mijë metër katrorë të tjerë, sërish sipas tyre, me dokumente të falsifikuara. Ata thonë se ndjehen të pafuqishëm për të vënë drejtësi, por edhe të fyer, të grabitur e të kërcënuar përballë pushtetit presidencial të Bamir Topit. Presidenti Bamir Topi është vënë nën akuzë nga të afërmit e tij për vjedhje të pronave me dokumente të falsifikuara. Akuza nuk është politike, por e ardhur nga pinjollë të familjes Topi, që jetojnë prej vitesh në Qesarak, karshi vilës së kreut të shtetit. Fjala është për 10 mijë e 300 metër katrorë tokë, që kjo familje e ka trashëguar nga Ismail Topi, kushëri i babait të Presidentit. “Zoti Bamir Topi, do të na e marrë edhe këtë pronë. Këtu janë 10 mijë e 300 metër katrorë tokë, që ne e kemi ndarë me motra e vëllezër. Kemi 16 vjet, jemi me certifikatë nga hipoteka. Kemi nxjerrë biles edhe dy herë lejen e shtetit. Nuk e dinim se nga kush na vinin pengesat, deri sa morëm vesh se këtë e kemi pasur nga zoti Bamir Topi, nga kushëriri jonë, që unë e kam kushëri të tretë”, thotë Aishe Topi, e afërme e Presidentit, gjatë intervistës së djeshme për Tv Klan. “Bamiri tentoi të hynte këtu pranë nesh. Po unë ku të hyj. Kam 16 – 17 vjet që kam ardhur. Ku ka qenë më përpara ai. Pse u kujtua tani ai, o tokën o s’ka”, thotë 93 vjeçarja Hanke Topi, e afërme e Presidentit Bamir Topi, personazh tashmë i bërë publik, jo vetëm për akuzat e përsëritura nga ana e saj ndaj Presidentit, por edhe për fyerjen që Bamir Topi adresoi ndaj saj, dy net më parë nga ekrani i një televizioni. Ndërsa ky sherri për këtë tokë ka përfunduar në dyert e gjykatës, pinjollë të familjes Topi akuzojnë Bamir Topin se ai ju ka marrë pa vendim gjykate edhe pjesë të tjera toke në Tiranë, për të cilat ata disponojnë dokumente të vitit 1896. “Kjo tokë është e gjyshit tim, që e ka lënë edhe me letra, 10 mijë e 300 metër katror, që ia ka dhuruar stërgjyshi, djalit të vetë, pas vdekjes. Çfarë prone do ai, mori pak ai. Ka marrë 46 dynymë tokë. Gjysma e asaj, për të mos thënë më tepër, është e jona. Megjithatë ne nuk jemi ndjerë, se ai është një kushëriri jonë”, shpjegon më tej Aishe Topi. Ndërkohë, ajo shkon edhe më tej, kur ndërsa akuzon Bamir Topin, nuk e fsheh frikën për jetën. “Kur ai po na merr pronën, unë çfarë nuk pres tani nga ai, edhe kokën mund të ma marrë”, vijon më tej Aishe Topi. “Mi ka marrë pronat, sikur ka qenë në kooperativë. Në kooperativë kam qenë unë, jo ai”, thotë Hanke Topi Pasardhësit e Ismail Topit, ndjehen të grabitur nga i afërmi i tyre, tashmë President. Por mbeten edhe të fyer, ndërsa e kanë dëgjuar në një emision televiziv, ndërsa të flasë pa etikë për pjesëtarët e familjes. “Pale edhe më shau mbrëmë (parmbrëmë). Pse të më shajë mua ai, çfarë i kam bërë unë atij. Ai të rri në këmbë se më ka gjyshe. Po këtej më ka thërritur gjyshe…, gjyshe… dhe gjyshen e bëri këlyshe. Ai ka ardhur hyzmeqarë këtu, ai është prej Dibre, ai është dibran. Nuk ka fare pjesë te ne. Ai është dibran, fund e krye”, shton Hanke Topi. Fyerjet e Presidentit Topi, i cili dy net më parë e quajti 93 vjeçaren Hanke Topi, si “të luajtur mendsh”, kanë prekur jo vetëm 93 vjeçaren, por edhe familjarët e saj. “Mua më vjen keq vetëm për ofendimet që i ka bërë nënës time mbrëmë (parmbrëmë). Nuk i takon një Presidenti Republike, të thotë ashtu, për gjyshen e vetë në fund të fundit, që të thotë është e rrjedhur. Bëri edhe një gabim tjetër me certifiktatat, kur thotë se nëna ime paska qene 165 vjeçe. Çfarë faji kam unë, që nënën e Ismailit të madh e quajnë Hanke dhe nënë time, të Ismailit të vogël, e quajnë Hanke. Duke qenë President, ai ngatërron edhe letrat e shtetit”, shprehet Ismail Topi i biri i Hanke Topit. Hanke Topi është 93 vjeçe, por vitet nuk janë pengesë që ajo tu dalë zot pronave të saj, grabitjet e të cilave, proteston prej kohësh.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›