E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama rikonfirmohet me 96%

 

Aristir Lumezi

Edi Rama pritet të rimarrë postin e kryetarit të PS-së, ashtu siç edhe parashikohej. Anëtarët e Partisë Socialiste votuan në të gjithë vendin për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë sipas parimit “një anëtar një votë”. Pritet që Rama të konfirmohet me rreth 96 për qind të votave të anëtarësisë që mori pjesë në votim, ndërsa Lakrori nuk pritet të kalojë pragun e 4 përqindëshit. Procesi i votimit u mbyll i qetë, ndërkohë që ende vijon numërimi i votave, ndërsa rezultati zyrtar do të dalë sot pasdite. Në garë për postin e kryetarit të partisë më të madhe të opozitës janë përballur kryetari në detyrë i PS-së Edi Rama dhe rivali i tij Maqo Lakrori. Rreth 400 qendrat e votimit në të gjithë vendin u hapën, ashtu siç ishte programuar në orën 08:00 të mëngjesit dhe u mbyllën në orën 16:00. Komisioni Zgjedhor në Parti do të shpallë rezultatin zyrtar sot pasdite, pasi të kenë mbërritur në selinë rozë të gjitha materialet zgjedhore, kutitë dhe procesverbalet e votimit. Sipas burimeve pranë selisë rozë, pjesëmarrja në këtë votim në shkallë vendi arrin në rreth 62 për qind. Krahasuar me zgjedhjet e para, ato të vitit 2007, kur Rama mori mandatin katërvjeçar të tij në krye të PS-së, pjesëmarrja në votim ka qenë më e madhe, rreth 74 për qind gjë që tregon jo një dalje masive të socialistëve në këtë votim për shkak dhe të periudhës paszgjedhore të 28 qershorit. Raportohet se procesi është zhvilluar i qetë, me përjashtim të disa rasteve kur anëtarë të PS-së nuk gjenin emrin në listën e zgjedhësve. Numri i anëtarëve socialistë që figuronin në këto zgjedhje ishte 82 mijë, një numër më i lartë se ai i zgjedhjeve  të kaluara, të 2007, ku numëroheshin 77.900 anëtarë. për herë të parë në historinë e PS-së por dhe të partive politike shqiptare, fushata zgjedhore u zhvillua si një bashkëbisedim mes dy kandidatëve. Për të arritur në ditën e votimit, dy kandidatët, Edi Rama dhe Maqo Lakrori zhvilluan një tur në 12 qarqet e vendit për të prezantuar para anëtarësisë platformat e tyre. Lakrori prezantoi platformën e tij të botuar dhe në një broshurë, ndërsa Rama në të gjitha takimet ka sqaruar pozicionin e PS-së ndaj bojkotit dhe rëndësinë e organizimit të protestave. Maqo Lakrori kërkoi përmes platformës së tij rritjen e demokracisë së brendshme në PS, eliminimin e kultit të individit në parti, duke e cilësuar një nga arsyet e humbjes së PS-së dhe rritjen e solidaritetit brenda kësaj partie. Ndërsa kryetari në detyrë, Edi Rama, i ka qëndruar kushteve të PS-së për ndërprerjen e bojkotit, kërkesa që ia ka paraqitur maxhorancës parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›