E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncerti, sfidë e suksesshme

 

Për pedagogen Nora Çashku, koncerti i së premtes ishte një sfidë e kaluar me sukses nga Erga Halilaj. "Erga është në vitin e katërt këtë vit dhe fati i saj është që, përpara një viti e gjysmë, kur në akademi u kryen zgjedhjet, drejtuesit e rinj vendosën disa kritere, ku kusht kryesor ishte aktivizimi dhe dalja në skenë e studentëve, në aktivitete të ndryshme. Kështu që koncerti i mbrëmshëm nuk ishte një surprizë për mua", thotë Çashku. Sipas saj, Halilaj ka realizuar edhe tre koncerte të tjera në Akademinë e Arteve, por e reja e koncertit të mbrëmshëm qëndron në faktin që Erga arriti të përballojë Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, orkestrën më të mirë në vend dhe kjo është një arritje, jo vetëm për Ergën, por për këdo instrumentist që do të ishte në vendin e saj. "Gjatë interpretimit të saj, Erga shpalosi vlera teknike dhe një talent që nuk duhet nënvlerësuar. Ajo është një pianiste me temperament, dinamikë dhe përballoi karakterin e muzikës xhaz në pjesën e kompozitorit amerikan Gershwin. Unë jam shumë e kënaqur nga prezantimi i saj dhe jam e sigurt se ka përpara të tjera sfida të rëndësishme. Të fitosh një sfidë është e lehtë, por është e vështirë të përballesh me shumë të tilla", thotë Çashku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›