E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mostoçitja e mendjes

Çfarë mund të ndodh nëse shtyhet statusi i Kosovës? Liderët tanë nuk do të bëjnë zë dhe në heshtje “patriotike” do të pajtohen. Do të deklarojnë, siç kanë deklaruar deri tani, se “shtyrja e përcaktimit të statusit të Kosovës është kundërproduktive”

Kur Kosova do të jetë e pavarur? A do të zgjidhet statusi i Kosovës sivjet? A do të shtyhen përcaktimi i statusit të Kosovës deri në vitin e ardhshëm? Cilat do të jenë pasojat e shtyrjes së mundshme? Këto dhe shumë çështje të tjera, janë disa pyetje, të cilat ka dy javë që po shtrohen dhe nuk po marrin përgjigje. Por, përgjigjen me të fundit dhe më të besueshme e dha zv.kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, diplomati austriak i rryer në politikë Albert Rohan.
"Nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor, atëherë propozimet tona do t'i mbanim dhe do të shtynim prezantimin e tyre për dy muaj, sepse nuk dëshirojmë që ato të jenë temë e fushatës parazgjedhore".
Ky është lajmi, mbase, më i keq i kohëve të fundit për një vend të hedhur në luhajë, siç është Kosova. Jo, po të ishte i keq do të duhej të kishin bërë ndonjë reagim “diplomatik” negociatorët e Kosovës dhe ata të unitetit. Albert Rohan e tha atë që, mbase do të ngjet. Megjithatë, një pohim të tillë e mbuloi “diplomacia” e heshtjes inferiore e Kosovës.
Kohë me parë, derisa politikanët Sejdiu dhe Çeku zhvilluan një vizitë të ngjeshur diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizitë të këtij lloji zhvilluan edhe liderët serbë Tadiç dhe Koshtunica. Të dyja palët i konsideruan të suksesshme këto vizita. Më të entuziazmuar qenë liderët tanë, të cilën morën mbështetje se statusi i Kosovës duhet t’i përmbush kërkesat e shumicës. I vetmi i zhgënjyer ishte Koshtunica, i cili është edhe politikani më nacionalist, trashëgimtar i Millosheviçit në raport me Kosovën dhe një paramilitar serb.
Por kush, në të vërtetë i bindi amerikanët me argumente? Pala serbe apo ajo shqiptare? Pala shqiptare mori garanci, ndërsa ajo serbe bindi amerikanët. Presidenti serb tha se amerikanët janë të vendosur që Kosovës t’i jepet një formë pavarësie dhe filloi “fushatën” për të përgatitur opinioni serb për këtë fakt.
Argumentet e presidentit serb Tadiç në SHBA për shtyrjen e statusit të Kosovës qenë shumë bindëse. Ai tha se nëse statusi i Kosovës përcaktohet para zgjedhjeve në Serbi (ai e din se ky status do të jetë pavarësia e Kosovës), atëherë forcat radikale serbe do të vijnë në pushtet. Kjo i bindi amerikanët, të cilët bënë shumë për ardhjen e “demokratëve” serbë në pushtet dhe i bëri të mendojnë se më mirë është që statusi i Kosovës të shtyhet edhe për disa muaj se sa të dalin telashe të reja me radikalët në Serbi. Më këto argumente fitoi presidenti serb, i cili si duket, po bëhet gati për të marrë edhe katër vjet të tjera pushtetin në Serbi.
Këtë fakt nuk e pranon as bashkësia ndërkombëtare, as Serbia e as Kosova, e cila pretendon se argumentet janë në anën e saj.
Por çfarë në fakt mund të ndodh nëse shtyhet statusi i Kosovës? Liderët tanë nuk do të bëjnë zë, edhe pse analistët ndërkombëtarë shtyrjen e quajnë të rrezikshme. Ata në heshtje do të pajtohen edhe më këtë gjë, pavarësisht që do të deklarojnë, siç kanë deklaruar deri tash se “shtyrja e përcaktimit të statusit të Kosovës është kundërproduktive”. Shyqyr Zotit këtë e dinë dhe e mbrojnë.
Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës qysh në start të marrjes së ndonjë vendimi po i “tredh” një autoritet “anonim”, të cilin nuk e deklaron askush. Kjo argumentohet shumë qartë me marrjen e iniciativës së disa deputetëve për caktimin e datës së referendumit për pavarësinë e Kosovës. Se kush e stopoi këtë iniciativë nuk deklarohen as vetë iniciatorët.
Por, cili do të jetë reagimi i masës për këtë zgjatje të statuskuosë? Ashtu si në Serbi, që ka forca radikale, ka edhe në Kosovë. Ashtu siç bashkësia ndërkombëtare ka frikë nga forcat radikale serbe, duhet të ketë frikë edhe nga ato shqiptare. Por edhe nëse nuk ka frikë nga këto forca radikale, do të duhej të kishe druante nga shpërthimi i masës së zhgënjyer popullore, e cila tashmë ka nisur të rihumbë besimin në të drejtën e premtuar të bashkësisë së rëndësishme ndërkombëtare me shtyrje e me akrobacione të lirisë së tyre shumëshekullore të rrëmbyer.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›