E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skema e kafshatës apo “kafshatë që s'kapërdihet”

Në një vend si Shqipëria ku përqindja e varfërisë arrin shifra të mëdha dhe ku praktikisht një pjesë e ekonomisë , është parazitare me një fizionomi tejet konsumator dhe I financuar nga remitancat, hartimi I politikave sociale është dicka mëse positive. Nga kjo pikpamje duhen parë dhe inisiativat e qeverisë për të zbutur varfërinë apo për të rrënjosur një sistem efiçent të ndihmës sociale. Në buxhetin e shtetit ekziston një zë më vete për ndihmën sociale që për nga natyra sesi ofrohet nuk është as më pak e as më shumë se një lëmoshë. Shteti të paktën që nga kalimi në sistemin e ekonomisë së tregut, ka ofruar një fond për atë kategori njerëzish që nuk mund të sigurojë të ardhurat minimale për jetesë. Por siç ndodh shpesh në shoqërinë tonë, edhe kjo skemë nuk arriti ti shpëtojë korrupsionit dhe abuzimit. Asnjëhere kjo skemë nuk arriti të kryejë funksionin për të cilin u iniciua dhe ngeli vetëm një vrimë e zezë në arkën e shtetit. Paratë që harxhoheshin në këtë drejtim , për shumë arsye nuk mund të jenë një zgjidhje për këtë plagë njerzore. Pa dashur të hap një diskutim të karakterit filozifiko politik në lidhje me funksionimin e shteti social, do thoja se janë të pakta ato vende në të cilat ndihma e shtetit direkt në të ardhura , ka funksionuar për të ulur kubën e varfërisë. Në një farë mënyrë , të mbash mijra njerëz me një pagesë që nuk i kalon 3 mijë lekët në muaj , nuk u zgjidh atyre asgjë përveç se i mban gjallë. Kushedi sa e sa projekte do të ishin iniciuar dhe zbatuar me paratë që shpenzohen për ndihmën sociale. Orientimi i këtij fondi në investime do të kishte ndikuar më tepër në punësimin e këtyre njerëzve që përfitojnë nga kjo skemë. Duke mos mjaftuar kjo eksperiencë aspak e mirë në zbatimin e skemës së ndihmës sociale , pak ditë më parë kryeministri , bëri publike zëvendësimin e saj me një thjetër praktikë që sipas tij do ti jepte zgjidhje këtij problemi. Skema e re e Berishës u pagëzua me emrin “ skema e kafshatës”. Ai përmendi listat e ushqimeve që ekzsitojnë në dyqanet ushqimore, ku familjet nuk arrijnë të shlyejnë borxhet. Ky është kulmi i asaj që quhet varfëri ekstreme. Pa dashur të ve në dyshim dëshirën e mirë të kryeministrit vetëm duke u nisur dhe nga emri , duket se ndihma e re e Qeverisë nuk do të ndryshojë shumë nga ajo e para. Pra kafshata nuk vlen për gjë tjetër, vetëm sa për të mbijetuar. Nuk mund të ecet me idenë së atyre që kanë nevojë dhe smund të garantojnë dhe nevojat më minimale, mjafton tu ofrosh pak para sa për tu ushqyer dhe ke zgjidhur problemin. Ky është ligjërimi i varfërisë dhe asgjë më shumë. Sistemi kapitalist ka në natyrën e vet diferencimin e shtresave, por kjo nuk do të thotë që një kryeministir të dalë dhe të deklarojë se disa janë shumë të pasur prandaj duhet të vendosim barazi. Kjo i ngjan më shumë deklaratave të drejtuesve komunistë që kërkonin të realizonin barazinë utopike. Kjo shtresë e popullsisë në vend përveçse tu fshish listat e borxheve në dyqane kërkon tu sigurosh punë dhe mundësi për ushtrimin e aktivitetit privat. Pikërisht detyra e Qeverisë duhet të përqëndrohet më tepër sesi mund të hapen më tepër vende pune , apo si mund të lehtësohet bujqësia nga pengesat për të prodhuar më shumë të ardhura. Madje nuk do të mjaftonte vetëm kjo, por duke pasur parasysh se një pjesë e mirë e përfituesve të ndihmës sociale jetojnë në fshat, orientimi duhet të jetë drejt në subvencionimin dhe mbështjen për prodhimin bujqësor. Në këtë mënyrë nuk do të kujdesej më shteti për të fshirë listat e ushqimeve , duke kontribuar në shtimin e një shtrese parazitare, që u bë e tillë jo me dëshirën e saj. Paradoksi më i madh në Shqipëri ndodh sepse çdo gjë vlen për konsum politik dhe elektoral. Është po kjo klasë politike që e ka zhytur vendin në një vorbull korrupsioni dhe varfëri , dhe janë po këta përfaqësues të kësaj politike që me thesin e parave në dorë blejnë votën duke paguar borxhet që ekzistojnë në “defteret” e dyqaneve duke bërë që kjo skema e kafshatës të kthehet në një “kafshatë që skapërdihet”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›