E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murgj paqësorë kundër policëve të armatosur

Skena kaotike e së premtes ishte përballja më e ashpër e një serie protestash që nisën të hënën. Njëherësh përbën edhe sfidën më të madhe për Partinë Komuniste Kineze, e cila po përgatitet për zhvillimin e Lojërave Olimpike në gusht të këtij viti. U mësua se të hënën në mëngjes qendra e kryeqytetit tibetian patrullohej nga mjete ushtarake të blinduara dhe forca të shumta kineze.

Pekini po përballet me valën e demonstrimeve më të zgjatura dhe serioze që nga fundi i viteve tetëdhjetë, kur iu desh të shtypte me mjete dhune një revoltë masive popullore nga e cila mbetën të vrarë qindra tibetianë. Mund të merret lehtë me mend se lidershipi kinez është veçanërisht i shqetësuar për çastin kur po zhvillohet revolta në fjalë. Jemi vetëm pak muaj përpara fillimit të Lojërave Olimpike dhe krerët e Partisë Komuniste Kineze e shohin trazirën si shumë të dëmshme për imazhin e vendit. Do t‘u pëlqente shumë më tepër t‘i ekspozonin syve të botës suksesin dhe prosperitetin ekonomik se sa rrëmuja të brendshme.

Mijëra budistë me banim në Indi dhe në Nepal dolën rrugëve të qyteteve ku banojnë në shenjë solidarizimi. Me shqetësimin se rebelimi mund të përhapet edhe në rajone të tjera të Kinës, mësohet se autoritetet kanë dërguar forca të shumta policore dhe ushtarake në rajone të tjera të Kinës ku dominon popullsia tibetiane.

Sipas disa kontakteve me telefon të premten mbrëma, dëshmitarë okularë raportuan se rreth një mijë forca speciale policore u dërguan në qytetin Bamei të provincës Siçuan, ku gjendet një tempull i shenjtë shumë i rëndësishëm për besimtarët tibetianë. Edhe disa rezidentë të Lhsaës, përmes kontakteve telefonike, rrëfyen se autoritetet kineze e kanë vënë pjesën më të madhe të kryeqytetit në gjendje shtetrrethimi, duke bllokuar me postblloqe shumë nga rrugët kryesore. Një banor raportoi se kishte parë mjete të blinduara në qendër të qytetit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Pekin paralajmëroi të premten qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë për në Lhasa. Sipas thënieve zyrtare të ambasadës "janë marrë raporte të besueshme nga qytetarë amerikanë që flasin për përdorim armësh zjarri dhe ushtrim të fortë dhune".

Gjatë një takimi të mbajtur në Pekin të premten mbrëma, Klark Randt, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kinë, u kërkoi zyrtarëve kinezë të vepronin me vetëpërmbajtje, "dhe të mos i drejtoheshin dhunës gjatë përballjes me protestuesit", raportoi për mediat zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shon Mek Kormak.

Nga ana e tyre autoritetet kineze fajësuan Dalai Lamën, liderin shpirtëror të tibetianëve për shpërthimin e dhunës dhe siguruan se qeveria do ta mbante stabilitetin në Lhasa. "Qeveria e rajonit autonom të Tibetit deklaroi të premten se zotëronte prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se sabotimet e fundit ‘qenë ideuar, organizuar dhe vënë në jetë nga Dalai Lama‘", raportoi Xinhua, agjencia qeveritare kineze e lajmeve.

Nga ana e tij, Dalai Lama lëshoi një deklaratë përmes së cilës i kërkonte të dyja palëve të shmangnin dhunën, ndërkohë që u kërkoi liderëve të lartë kinezë "t‘i këqyrnin zemërimin dhe rebelimin e popullit tibetian përmes dialogut me të". Një zëdhënës i Dalai Lamës i cilësoi akuzat e bëra nga qeveria kineze si "krejtësisht pa baza".

Situata në Lhasa përfaqëson një problem mjaft të ndërlikuar për Partinë Komuniste Kineze, e cila tani po zhvillon takimin e përvitshëm në Kongresin Popullor Kombëtar të Pekinit. Liderët partiakë prej kohësh përballen me kritika të forta lidhur me problemet e shkeljes së të drejtave njerëzore në vend, si edhe për lidhjet e ngushta me Sudanin, i cili akuzohet nga komuniteti ndërkombëtar se po kryen një fushatë gjenocidi në rajonin e saj të Darfurit.

Në të shkuarën, Kina nuk ka menduar dy herë të mbysë protestat tibetiane apo të mbyllë në burgje murgjit rebelë. Presidenti Hu Jintao, i cili është njëherësh edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, ka shërbyer si numri një i partisë në Tibet gjatë zhvillimeve të dhunshme të vitit 1989. Gatishmëria e tij për të mbështetur masat e dhunshme që shtypën revoltën e atij viti i siguruan edhe vlerësimin e Ten Hsiao Pinit, ish-liderit të vendit, si edhe e ndihmoi së tepërmi në ngjitjen e shkallëve hierarkike që e shpunë fillimisht në Komitetin Qendror të Byrosë Politike e më pas në postin e kreut të partisë e të shtetit.

Por liderët kinezë mund të mos kenë gatishmërinë e dikurshme për të vepruar me dorë të fortë teksa Pekini përgatitet për Lojërat Olimpike. Gjatë ditëve kanë mundur të dalin nga kufijtë e vendit rrëfime mbi mënyrën si forcat policore dhe ushtarake u përballën me demonstruesit.

Radio "Azia e Lirë", një agjenci jofitimprurëse lajmesh e financuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, citonte një dëshmitar okular tibetian, sipas të cilit, forcat popullore qëllonin mbi turmat demonstruese, duke vrarë të paktën dy protestues në zonën e lashtë të kryeqytetit të quajtur Barkhor. Të premten në mëngjes radio "Azia e Lirë" citonte dëshmitarë të tjerë që vërtetonin se nëpër rrugët e Lhasës kishte trupa të vrarësh. Të premten në mbrëmje edhe agjencia qeveritare kineze "Xinhua" konfirmoi dhjetë viktima.

Një rezident kinez në Lhasa tregoi përmes telefonit se mes popullsisë kineze të kryeqytetit qarkullonin histori sipas të cilave disa ushtarë qenë plagosur dhe se nuk u qe lejuar t‘u përgjigjeshin me zjarr tibetianëve që sulmonin me gurë e me sende të forta. Një tjetër kinez me banim në zonën Barkhor tregoi se kishin vdekur dy ushtarë dhe se tibetianët rrihnin rezidentët kinezë me mjete të forta.

Degjenerimi në dhunë i së premtes, si edhe tmerri i përshkruar nga shumë qytetarë, erdhi vetëm një dita pasi Ministria e Jashtme Kineze deklaroi për mediat se situata në Lhasa ishte stabilizuar dhe se qe krejtësisht nën kontroll. Protestat nisën të hënën kur murgjit budistë u hodhën në një protestë paqësore kundër kufizimeve religjioze të vendosura nga autoritetet kineze. Policia arrestoi rreth 50-60 murgj, por të martën dhe të mërkurën pasuan edhe protesta të tjera në çastin kur murgjit e dy manastireve të ndryshme vendosën të protestonin rrugëve.

Epiqendra e protestave të së premtes qe tregu i Tromsikhangut, një strukturë e madhe betoni e ndërtuara në Barkhor nga autoritetet kineze në fillimin e viteve nëntëdhjetë. "Rrugët janë pushtuar nga kaosi", tregoi një person i cili foli në telefon teksa gjendej pranë tregut.

E paqartë mbetet shkëndija që shkaktoi zhvillimet e dhunshme, duke qenë se rrëfimet që vijnë nga rezidentët kinezë dhe ata tibetianë janë shumë të ndryshme. Raportet tregojnë se murgjit e tempullit Ramoçe, që gjendet shumë pranë tregut, nisën të marshonin drejt zonës Barkhon. Synimi i tyre qe protesta kundër trajtimit të ashpër që u ishte bërë murgjve që kishin protestuar në ditët e para të javës, tregoi një mbështetës tibetian i të drejtave të njeriut në Amerikë, i cili kishte mundur të kontaktonte me telefon me disa njerëz në Lhasa.

Kur forcat e rendit nisën të godisnin murgjit, zona Barkhor u mbush shpejt me qytetarë tibetianë që u shkuan në ndihmë, tregoi aktivisti. Turma e zemëruar i vuri flakën një makine policie si edhe një dyqani të zotëruar nga një kinez, vazhdoi aktivisti, i cili parapëlqeu të ruante anonimatin për motive sigurie.

Një agjent udhëtimesh kineze me banim në Lhasa, përmes telefonit tha se qenë tibetianët ata që e kishin ndezur dhunën duke i vënë zjarrin një autobusi bosh turistësh që kishte parkuar përballë tempullit Ramoçe. Një tjetër rezident kinez përshkroi 50-60 të rinj tibetainë që digjnin dyqane në pronësi të tregtarëve kinezë, ashtu si edhe dy zjarrfikëseve e dy makinave të forcave të rendit.

"Pashë një të vdekur të mbuluar me çarçaf", tregoi rezidenti kinez përmes intervistës telefonike. "Tregu i Tromsikhangut është shkatërruar me përjashtim të dyqaneve në pronësi të tibetianëve. Dëgjova një ushtar që thërriste ‘Ju lutem, shkoni nëpër shtëpi‘".

Edhe agjencitë e lajmeve kanë raportuar përplasje mes murgjve të tempullit Ramoçe dhe forcave të rendit. "Murgjit vazhdojnë ende të protestojnë", tregoi për "Associated Press" një dëshmitar okular. "Disa makina policore dhe ushtarake janë nën flakë. Njerëzit ulërasin. Qindra njerëz, murgj, si edhe qytetarë vazhdojnë të protestojnë".

Radio "Azia e Lirë" raportoi se protestuesit tibetianë tundnin në ajër shallet e bardhë tradicionalë dhe thërrisnin, "Tibeti i Lirë". Agjencia raportoi se protestat nisën rreth orës dhjetë të paradites dhe në përgjithësi ishin shuar në orën 3:30 të drekës, pasi ishin përdorur nga autoritetet forca të policisë paramilitare.

Ndërkaq, turistët e trembur të mbetur në grackë në Lhasa kanë shkruar njoftime shqetësuese nëpër forumet e udhëtimeve në internet. "Situata këtu duket shumë e acaruar deri në paranojë", shkruan një turist me anglishte të dobët në një blog të sponsorizuar nga siti turistik "Lonely Planet". "Rrugët janë të mbushura me policë e ushtarë. Nuk ka si të mos shohësh ndonjë polici që nxiton për të shkuar diku".

Përplasja etnike e dhunshme e së premtes shtrihet prej kohësh në sipërfaqe në Lhasa. Prej më shumë se dy dekadash një fluks konstant emigrantësh kinezë e ka transformuar tërësisht jetën tradicionale të kryeqytetit tibetian. Tashmë në Lhasa gjendet një zonë e banuar tërësisht nga kinezë e njohur si Rruga e Pekinit e rrethuar nga dyqane të shumta e pallate të mëdha.

Tibetianët vazhdojnë të ruajnë me fanatizëm zonën ku gjendet tempulli Jokhang, më i shenjti në gjithë Tibetin dhe atë ku gjendet pallati Potala, ish-rezidenca e Dalai Lamës. Tibetianët ankohen gjithashtu edhe për faktin se tregtarët kinezë kontrollojnë tani thuajse të gjithë tregtinë turistike në zonën Barkhor.

Protestat aktuale në Lhasa përkojnë me përvjetorin e një rebelimi të dështuar të tibetianëve kundër pushtimit kinez, i cili e detyroi Dalai Lamën të strehohej në Indi. Grupe të shumta që mbështesin pavarësinë e Tibetit e kanë kujtuar përvjetorin me demonstrime anembanë botës, përfshi edhe Indinë, nga ku një grup aktivistësh u përpoqën të marshonin drejt Tibetit.

Demonstrimet e papritura në Lhasa janë protestat më të gjera tibetiane kundër dominimit kinez që nga viti 1989. Mësohet se forca të shumta policore dhe ushtarake tani kanë rrethuar që të tri manastiret budiste që u vunë në qendër të protestave gjatë ditëve të para të javës. Sipas raporteve, dy murgj janë përpjekur të vrasin veten në shenjë proteste, ndërkohë që disa grupe paralajmërojnë nisjen e grevave të urisë.

Në faqen e saj të njoftimeve turistike, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Pekin paralajmëron turistët amerikanë në Lhasa të "kërkojnë siguri brenda hoteleve e ndërtesave të tjera e të mos dalin rrugëve të qytetit".

"Duhet shmangur çdolloj lëvizjeje rrugëve të qytetit deri në çastin kur situata të vendoset në kontroll", vazhdon njoftimi.

Të premten mbrëma, një rezident kinez i kryeqytetit tha se bashkë me familjen qe strehuar në shtëpi dhe se rrinin me drita të fikura. Tha se rrugëve dëgjoheshin të thirrura të shumta dhe se druhej për sigurinë e vet dhe të gjithë familjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›