Tiranë, dhurohen më shumë se 800 njësi gjaku
Atë që nuk e ka bërë asnjë strategji gjaku, asnjë projekt, e kanë realizuar shqiptarët vetë. Ka qenë një ditë rekord dhe gjesti që kanë bërë qytetarët shqiptarë nga e gjithë Shqipëria ka qetësuar mjekët e spitalit, ka ngrohur dhe zemrat e të plagosurve. Për herë të parë, mund të thuhet se spitalet më të mëdha të vendit kanë pasur prurje të qytetarëve që dhurojnë gjak.
Dje, në ambientet e qendrave të transfuzionit të gjakut në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, në bankën e gjakut në Spitalin Ushtarak, në bankën e gjakut në Spitalin "Nënë Tereza" janë dhuruar më shumë se 800 njësi gjaku.
Këto, jo vetëm nga ushtarakë apo punonjës të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Shumica kanë qenë qytetarë me mosha të ndryshme, që sapo kanë dëgjuar për tragjedinë dhe për apelin, kanë vrapuar në spital për të dhënë gjak.
"Në Qendrën e Gjakut në QSUT janë dhuruar plot 400 njësi gjaku, ndërsa kanë mbërritur nga Kosova 300 njësi. Dhuruesit kanë qenë të moshave të ndryshme", tha dje për gazetën "Shqip", Bardh Spahia, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë. Spahia ka mbërritur menjëherë në spital dhe është kujdesur veçanërisht për organizimin e punës në Qendrën e Gjakut, ku fluksi i qytetarëve ka qenë i lartë nga dreka deri në orët e vona të mbrëmjes. Ai ka konfirmuar në orën 20:30 se dhurimet vazhdonin ende. Sensibilizimi i qytetarëve për të plagosurit në depon e armëve ka qenë i paprecedentë.
Sipas drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Irena Qendro, janë dhuruar dje rreth 400 njësi gjaku edhe në këtë qendër. Nga ana tjetër, qytetarë nga Durrësi, Berati, Vlora, Shkodra, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, kanë dhuruar gjak për shqiptarët. Dje, rreth orës 19:00, kanë mbërritur ndihma mjekësore nga Kosova, 300 njësi gjak dhe 100 njësi plazma, faktorë të veçantë gjaku. Rreth 200 njësi të tjera nga Kosova kanë mbërritur në Spitalin Ushtarak. Sipas të dhënave, dje, në spitalet shqiptare janë mbledhur më shumë se 1 mijë njësi gjaku.
Edhe shtetet fqinje, Italia, Greqia, i kanë komunikuar autoriteteve se do të japin çdo lloj ndihme shëndetësore që i nevojitet shtetasve shqiptarë. Apeli në fillim për dhurimin e gjakut u bë nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka. Ai ka qëndruar në Spitalin Ushtarak gjatë gjithë kohës, ndërsa në QSUT kanë mbikëqyrur punën zv.ministri, Arben Ivanaj, zv.drejtori Bajram Begaj, e funksionarë të tjerë të lartë. Në drekë, zv.drejtori i QSUT-së, Begaj, ka bërë një apel tjetër për dhurimin e gjakut, i cili ka njoftuar se janë marrë masat, megjithatë, të gjithë ata që do ta ndjejnë, mund të dhurojnë gjak për të plagosurit. Më shumë se asnjëherë më parë, dje, shqiptarët e kanë ndjerë si detyrim për të dhuruar gjak për të plagosurit dhe të lënduarit në spital. Ajo që druhej më shumë, sasia e njësive të gjakut për të përballuar operacionet në spitale, ka shkuar edhe më mirë seç ishte parashikuar. Veç gjakut, solidaritet shqiptarëve iu është dhënë jo vetëm nga vendet fqinje, vendet evropiane, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, Greqia, Italia, Gjermania, Spanja, OSBE, PNUD-i, KE-ja si dhe vende të tjera mike kanë ofruar ndihmë për shtetin shqiptar.
Këto vende, veç njësive të gjakut, kanë ofruar edhe dërgimin e helikopterëve sanitarë për të përballuar transportin e pacientëve, të cilët kanë nevojë për ndihmë të specializuar.
Ndërkaq, dje, në orët e vona të darkës, fluksi i pacientëve ka rënë, 24 të shtruar janë mbajtur në pavijonet e Spitalit Ushtarak, për 6 të tjerë janë hapur dyert e spitalit privat turk. Ndërsa deri vonë është diskutuar për dërgimin jashtë të 8 pacientëve, të cilët ndodheshin në gjendje të rëndë në repartin e djegie plastikës në QSUT. Edhe kryeqytetasit në shenjë solidariteti për viktimat e tragjedisë së djeshme kanë ndezur mbrëmë mijëra qirinj në sheshin "Skënderbej".