E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londër-Paris, ku ndahen e ku bashkohen

Kryeqyteti anglez dhe ai francez janë të lidhur me njëri-tjetrin si kurrë më parë. Vënia në funksionim e hekurudhës së parë të shpejtësisë së lartë në Britani që mbërrin në St Pancras bën që të dy vendet ndodhen vetëm 2 orë e 15 minuta larg. Në Londër mendohet se jetojnë rreth 200 mijë francezë, që bëjnë punë nga më të ndryshmet duke filluar me kamerierin e deri tek agjentët e bursës, apo aktorët. Listat e pritjes për t‘u regjistruar në liceun francez në jug të Kensingtonit janë të pafund. Për sa u përket britanikëve që kanë zgjedhur si qytet jete Parisin, numri i tyre është më i vogël, rreth 20 mijë.

Gjatë fushatës së vjetshme presidenciale, kandidati i atëhershëm për në "Elize", Nikolas Sarkozi, bëri një ndalesë të çuditshme elektorale në Londër. Ndërsa po vizitonte një treg peshku, i rrethuar nga patriotë të tij, Sarkozi tha për kryeqytetin britanik se ai është "një nga qytetet më të mëdha të Francës." Sipas tij, Londra kishte vitalitetin për të cilin Parisi kishte dëshpërimisht nevojë.

Kryeqyteti anglez dhe ai francez janë të lidhur me njëri-tjetrin si kurrë më parë. Vënia në funksionim e hekurudhës së parë të shpejtësisë së lartë në Britani që mbërrin në St Pancras bën që të dy vendet ndodhen vetëm 2 orë e 15 minuta larg. Në Londër mendohet se jetojnë rreth 200 mijë francezë, që bëjnë punë nga më të ndryshmet duke filluar me kamerierin e deri tek agjentët e bursës, apo aktorët. Listat e pritjes për t‘u regjistruar në liceun francez në jug të Kensingtonit janë të pafund. Për sa u përket britanikëve që kanë zgjedhur si qytet jete Parisin, numri i tyre është më i vogël, rreth 20 mijë. Të dy qytetet luftuan ashpër për të marrë statusin e organizatorit të Lojërave Olimpike të vitit 2012, derisa për fatin e keq të Parisit, fitoi Londra. Të dy drejtohen nga kryebashkiakë të krahut të majtë: në Paris është Bertrand Delanoe i Partisë Socialiste dhe në Londër i famshmi Ken Livingston. Veç përkatësisë partiake ata kanë edhe një tjetër gjë të përbashkët: ndodhen në fund të mandateve të tyre. Parisienët do të votojnë nesër për kryebashkiakun e ri, ndërsa britanikët e kanë radhën në 1 maj. Pavarësisht se bëhet fjalë për një votë lokale si parisienët, ashtu edhe londinezët kanë për ta përdorur këtë rast jo vetëm për shlyerjen e interesave të ngushta lokale. Në Paris do të përfitojnë nga rasti për të shprehur kundërshtinë e tyre, ndaj Presidenti Sarkozi, popullariteti i të cilit ka rënë ndjeshëm muajt e fundit. Kryebashkiaku aktual i cili ndodhet përballë rivalit të djathtë Francoise de Panafieu ka shanse që të sigurojë një mandat të dytë. Në një rast të tillë do të bëhej fjalë për një fitore spektakolare në një qytet që për dhjetëvjeçarë me radhë është konsideruar si një domen i golistëve, pra i të djathtëve. Edhe në Londër vota për kryebashkiakun do të përdoret për t‘i dërguar një mesazh të qartë Kryeministrit Gordon Barun, si dhe do të jetë një provë për të testuar konservatorët. Bashkiaku aktual, Ken Livingston, ndodhet përballë të djathtit, Boris Jonson, një ish-gazetar dhe aktualisht parlamentar konservator. Ndërkohë që qendra përfaqësohet nga Brian Padick, një liberal-demokrat dhe ish-shef policie. Për sa u përket kompetencave të të dy kryebashkiakëve në qytetet përkatëse, ato nuk janë të njëjtat. Bashkiaku i Parisit nuk qeveris periferitë. Pjesa e qeverisur prej tij ka një popullsi prej 2.3 milionë banorësh sa ç‘është vetëm zona qendrore e Londrës. Nga ana tjetër, bashkiaku britanik ka në varësi të tij 7.4 milionë banorë. Por parizieni ka pushtet më të madh. Ndërsa të dy së bashku merren me planifikimet urbane dhe transportin, Bashkia e Parisit ka nën varësi edhe shkollat dhe institucione të tjera sociale. Kjo i jep kryebashkiakut francez një buxhet relativisht më të madh 7.6 miliardë euro në krahasim me 14 miliardë euro të Londrës. Ajo që i bashkon të gjithën pastaj janë premtimet. Kandidatët e të gjitha ngjyrave e kahëve politikë si në Paris, ashtu edhe në Londër bëjnë fushatë me të njëjtat teza elektorale: strehimi i sigurt dhe i përballueshëm, ambienti, mospërdorimi i makinave, gjelbërimi dhe dhënia e një imazhi shembull për pjesën tjetër të botës. Le të shohim tani edhe anën ekonomike të të dy qyteteve. Janë të shumta fushat ku Londra ndodhet më lart se Parisi: bursa, kapitalizimi i tregut, por edhe përmasat e vetë Londrës. Ajo përbën tregun më të madh në botë të shkëmbimit të valutës së huaj. Duke qenë se është destinacioni final i fondeve të investitorëve të huaj, Londra renditet e para në listat financiare të botës. Vetëm në harkun kohor 2002-2006 ajo thithi 24% të investimeve të bëra në 15 qytetet më të mëdha të Evropës, krahasuar me 19% të Parisit. Për sa i takon Parisit ai triumfon si në modë, ashtu edhe në kuzhinë, por nga ana tjetër francezët, duke qenë shumë konservatorë nuk janë të hapur ndaj prurjeve të vendeve të tjera. Londra ka një shumëllojshmëri kulturash të pasqyruar edhe në sferën e gastronomisë. Popullsia e Londrës është gjithnjë e në rritje si pasojë e emigracionit dhe parashikohet që në vitin 2026 të jetë rritur me 17%. Në Paris ndodh e kundërta, ndërsa rritet popullsia e rrethinave dhe periferive ajo e Parisit qendër ka nisur të bjerë dhe në vitin 2030 do të ketë rënë me 3%. Për sa u përket londinezëve, atyre nuk u pëlqen që t‘i krahasosh me Parisin. Kulti i tyre tashmë është vetëm Nju Jorku.

Në vitin 1992 kur u nënshkrua traktati i Mastrihtit për lançimin e monedhës së përbashkët euro, bankierët e Londrës u frikësuan për mundësinë e humbjes së statusit që qyteti i tyre gëzonte si qendra më e madhe financiare në Evropë. Londra i druhej fuqisë që mund të merrte Frankfurti, apo edhe vetë Parisi. Në atë periudhë, një garë e heshtur nisi mes të dy kryeqyteteve. Por nisja nuk ishte në favor të Londrës edhe pse në fund ajo u shndërrua në një tjetër qytet. Ardhja e laburistëve në pushtet në vitin 1997 solli ndryshimet e pritshme pas një periudhe relativisht gri kur pushtetin e kishin në dorë për një kohë të gjatë konservatorët. Londra, duke i shkelur disa rregulla të ngurta iu hap ndryshimit dhe guxoi të përqafonte modernen qoftë edhe në arkitekturën e zonave kryesore të qytetit. Kredoja e bashkiakëve ishte se Londra nuk është as e majtë dhe as e djathtë, ajo i përket hapjes për ndryshim. Edhe pse sot pak gjëra kanë mbetur tipike britanike në kryeqytet, ai është një qytet ku mund të marrin frymë të gjithë. Në të kundërt, Parisi ka mbetur një qytet francez. Të 700 000 mijë të huajt që kanë lindur në Londër që nga viti 1997 e kanë kthyer atë në shtëpinë e tyre duke e çuar numrin e të huajve të qytetit në 30%. Po të mos marrim në konsideratë emigrantët e paligjshëm në Paris, kjo shifër është në masën 14%. Rrugën e Londrës e marrin emigrantët më të shkolluar qofshin këta nga India, apo Polonia, ndërsa në Francë nuk shkojnë shumë të shkolluar, por kryesisht ajo preferohet nga krahu i lirë i punës. 30% e emigrantëve që vijnë në Britani janë me arsim të lartë në krahasim me 14% të atyre që vijnë në Francë. Për sa u përket ndërtimeve të reja, ato i sheh në çdo cep të Londrës. Ndërsa kjo e fundit i është dhënë një arkitekture shpesh edhe kontradiktore, qyteti i dritave shqetësohet më shumë për të ruajtur dhe restauruar atë që ka tashmë. Rrugët, urat dhe godinat e vjetra të Parisit ndriçojnë natë e ditë, veçanërisht natën kur qyteti shndërrohet në një xixëllonjë gjigante. Pikërisht kjo dëshirë për ruajtje e restaurim dhe për lënie të gjërave si shekuj më parë është një formë shumë e rrallë konservatorizmi. Për sa i përket planifikimeve urbane, Parisi i ngjan pak një bukurosheje të fjetur dhe Londra, pikërisht përmes arkitekturës së saj avangardë, ka një dinamizëm që nuk e gjen në Paris. Për një pjesë të banorëve të Parisit zgjedhja që të parët e qytetit kanë bërë është shumë pozitive. Përveç lagjes moderne "La Defense" në perëndim të Parisit, në të cilën në vitet e ardhshme është parashikuar ngritja e disa grataçielave të tjera, kryeqyteti i ka bërë gjithmonë rezistencë ndërtimit të kullave të larta, madje edhe në kundërshtim me kryebashkiakun dëshira e të cilit ka qenë që Parisi periferik të kthehet në kantier ndërtimesh të reja. Në njëfarë mënyre, ky konservatorizëm është pjesë e traditës franceze. Një shtet që ka qenë gjithmonë i fuqishëm ka qenë në mënyrë të vazhdueshme në mbrojtje të stilit francez të jetesës. Të gjitha shitoret e vogla që shesin bukë, kafe, apo gazeta në qendër të qytetit janë lënë pikërisht për të ruajtur traditën e vjetër në një kohë moderne dhe për t‘i dhënë Parisit atë shije që pak qytete në botë e kanë ende: shijen e së shkuarës. Nga ana tjetër, ekzistenca e tyre sigurohet edhe nga rregulla strikte të vendosura një prej të cilave është për shembull edhe ndalimi i shitjeve në supermerkate i mallrave nën kosto. E njëjta politikë ruhet edhe me sistemin e taksive në Paris. Numri i tyre nuk rritet, por mbetet i njëjti si vite më parë. Në fund të fundit, një gjë është e vërtetë: është e lehtë të bësh ndryshime në një vend ku nuk ke shumë gjëra për të ruajtur. Kështu, restorantet londineze nuk kanë tradita gastronomike për të ruajtur. Londra është e hapur për një arkitekturë të guximshme duke qenë se brigjet e Tamizit nuk kanë kurrsesi elegancën që të ofrojnë brigjet e Senës. Çdo projekt i ri për ndërtime në mes të Parisit, refuzohet. Një rast i radhë ishte ndërtimi i piramidës së qelëtë në zemër të muzeut të Luvrin nga ana e ish presidentit, Francois Mittrerrand. Pavarësisht kundërshtive ai e realizoi projektin e tij, por ndërkohë ai mbeti një rast unik, pasi të tjerë të ngjashëm nuk kanë pasur shansin që të vihen në jetë. Për sa i përket kryebashkiakut francez ai duke synuar respektin e traditës ka bërë disa ndërhyrje shumë të kujdesshme në urbanistikën e qytetit, që në fakt nuk prishin asgjë nga tradita, por i japin atij një pamje moderne, ose më mirë të themi praktike. E ndërsa Parisi është konservator ka shumë banorë të tij që do të dëshironin ta shihnin atë më të hapur. Disa shkrimtarë e artistë të shquar francezë që kanë zgjedhur të jetojnë në Britani thonë se mungesa e dinamizmit në Paris është nj problem i madh dhe se nuk është gjithmonë një anë pozitive mosmarrja përsipër e risqeve. Sipas tyre nuk është e mundur që të krijosh e të projektosh gjëra të reja kur ambienti përreth tenton drejt ruajtjes ekstreme të së shkuarës duke i bërë barrikadë çdo ndryshimi. Londra, në të kundërt është kaotike, por edhe kaosi ka anën e tij negative. Kryeqyteti britanik është shndërruar në një qytet eksesesh ën të gjitha drejtimet. Londra nuk është aq e sigurtë si Parisi dhe shpesh paguan një çmim jo të vogël për hapjen që ka bërë. Kështu për shembull Londra, nga këndvështrimi i bvanorëve të saj është kthyer në një viktimë të suksesit të saj. Po të nisesh nga çmimi i ndërtesave dhe ai i ushqimeve Londra është metropoli më i shtrenjtë në botë, duke mundur Nju Jorkun dhe sigurisht edhe Parisin i cili në listën e qyteteve më të shtrenjta të botës zë vendin e 11-të. Sipas një studimi të fundit londinezët janë shumë të shqetësuar tani në lidhje me koston e shtëpive. Një tjetër problem me Londrën është se jo gjithmonë ia ka dalë mbanë të planifikojë sic duhet nha ana urbanistike zgjerimin e saj. Ardhja e Livingstonit në krye të bashkisë ndryshoi disi situatën kaotike të deriatëherëshme duke vendosur më shumë regull në transportin publik, një pikë e dobët jo për një kohë të gjatë e Londrës, megjithatë situata vazhdon të jetë problematike. Për sa i përket Parisit idetë e politikanëve po konvergojnë në planin e një strukture unike që përfshijnë Parisin dhe rrethinat. Sarkozi ka deklaruar se pas përfundimit të zgjedhjeve ai do të nisë idenë e krijimit në një Parisi të madh. Edhe e majta e përfaqësuar nga kryetari aktual i bashkisë ka mendimin e një Parisi metropol. Nuk dihet se si do të shkojnë debatet mes partive, por një Paris më i madh do të zgjidhte edhe problemin e periferive dhe nga ana tjetër do t‘i jepte qytetit të dritave një pamje më moderne. Për sa i takon Londrës planet e saj po kanalizohen për Lojrat Olimpike të vitit 2012. Janë bërë gati projektet e mëdha dhe pritet realizimi i tyre që do t‘ia shndërronte edhe më shumë pamjet kryeqytetit britanik. E dnërsa Londra dhe Parisi ndjekin rrugëtimin e tyre të ndryshëm të vjen ndër mend shprehja e se nëse dikush është i lodhur nga Londra mund të shkojë të ndërrojë ajër në Paris"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›