“Mosvlerësimi i punës së qeverisë, akt i pamoralshëm i opozitës shqiptare”
Federata panshqiptare “Vatra” në ndihmë të familjeve të përmbyturaFederata Panshqiptare “Vatra” ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të thellë situatën e jashtëzakonshme që është krijuar në Shqipërinë e veriut, veçanërisht në Shkodër dhe Lezhë nga kushtet e vështira atmosferike të motit. Federata “Vatra” konstaton se qeveria shqiptare, që nga dita e parë është vënë në krye të situatës dhe po e menaxhon situatën me gjakftohtësi e masa energjike duke luftuar me çdo mjet për të shpëtuar jetët e njerëzve. Federata “Vatra” konstaton me kënaqësi se solidariteti që ka përfshirë popullin shqiptar, në Shqipëri dhe Kosovë në këtë situatë të vështirë, tregon pjekuri kombëtare. “Vatra” falënderon edhe qeverinë e Kosovës për ndihmën financiare dhe njerëzore që i ka afruar Shqipërisë. Apeli i Qeverisë shqiptare për ndihmë ka pasur një përgjigje të menjëhershme nga shtetet e Bashkimit Europian dhe NATO. Ndihmat e ofruara nga Italia, Sllovenia, Greqia, Austria, Franca, Moldavia etj., së bashku me kontributin e Qeverisë shqiptare, kanë krijuar një gjendje besueshmërie për kapërcimin e situatës.. Federata Panshqiptare “Vatra” konstaton se pozicioni që ka marrë opozita shqiptare për të përfituar nga fatkeqësia natyrore, nuk është njerëzor. “Të fajësosh qeverinë për reshjet, të shtosh ankthin në këtë situatë, dhe të mos thuash as një fjalë për ç’ka po bën qeveria, nuk është e moralshme. Federata Panshqiptare Vatra do t’i rekomandonte klasës politike shqiptare bashkim forcash në këtë situatë. Vendosja e qeverisë mes dy presioneve, asaj që ka krijuar natyra dhe sulmeve të pamoralshme politike, nuk i shërben kapërcimit të gjendjes. Fatkeqësitë nuk mund të shfrytëzohen për kapital politik. Amerika dhe shtetet e tjera demokratike ofrojnë bashkëpunim në raste fatkeqësish. Opozita të mos e shoh veten vetëm në rolin e prokurorit e gjykatësit,por pjesë të përgjegjësisë”, thuhet në njoftimin e shoqatës “Vatra”. Shoqata më e rëndësishme pan shqiptare në diasporë, “Vatra” i apelon shqiptarëve të Amerikës që t’u gjenden pranë familjeve të dëmtuara dhe të kontribuojnë me të gjitha mundësitë, duke vënë në dispozicion një numër llogarie bankare dhe adresën e zyrave të federatës. “Për vatranët dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës që dëshirojnë të japin kontributet e tyre në ndihmë të familjeve të dëmtuara, “Vatra” vë në dispozicion numrin e xhirollogarisë së Vatrës në faqen e Internetiti http://www.federatashqiptarevatra.com/, ose çeqet mund të dërgohen në zyrat e Federatës në adresën: VATRA 2437 Southern BLVD Bronx, NY, 10458”....