S’kemi blerë energji nga KESH, po depozitojmë sipas marrëveshjes, por edhe po pranojmë energji për të ndihmuar Shqipërinë
Përgënjeshtrimi i Prishtinës Korporata Elektroenergjitike e Kosovës ka përgënjeshtruar dje njoftimet e përhapura gjerësisht në mediat e Edvinit se Kosova ka blerë sasi të madhe energjie elektrike nga Shqipëria gjatë dhjetorit dhe fillimit të muajit janar, transaksion që duket se ka kontribuar në fryrjen e kaskadës së Drinit, si pasojë e përpjekjes për të kursyer rezervat hidrike. Por sipas një deklarate për shtyp të KEK-ut, e vërteta është krejt ndryshe dhe duket se ka të bëjë vetëm me aksionin e depozitimit të energjisë në Kosovë sipas një marrëveshjeje paraprake mes dy korporatave, marrëveshje që është thelluar nga aksioni humanitar i KEK-ut për të ndalur prodhimin e energjisë me TEC-et e veta, për sa është e mundur që të merret energji nga Shqipëria. “KEK sh. a. njofton se nga ditët e fundit të dhjetorit dhe gjatë janarit ka marrë energji elektrike nga korporata simotër KESH në formë shkëmbimi për aq sa e lejojnë kapacitet transmetuese. Për këtë qëllim KEK ka ndalur nga puna dy njësi për prodhim të energjisë elektrike në TC ‘Kosova A’, në mënyrë që në Hidrocentralet e Shqipërisë rezervat hidrike të përdorën sa më shumë për prodhim të energjisë elektrike e të mos humbet uji. Kjo marrëveshje me KESH-in njëkohësisht ka ndihmuar edhe në uljen e rrezikut nga vërshimet e mëdha në Shkodër. Konkretisht, KEK ka marrë varësisht prej orës dhe ditëve deri në 300 Më për orë, apo mbi 5600 Mwh brenda 24 orëve, qe nga data 26.12.2009. Gjithçka është bërë në bazë të marrëveshjeve KEK-KESH për shkëmbime të energjisë elektrike. Energjia e pranuar nga ana e KEK-ut prej Shqipërisë është energji e shkëmbyer dhe nuk paraqet shit-blerje të saj. KEK-u ndër vite bashkëpunon me KESH-in në fushën e shkëmbimeve të energjisë elektrike. Rrjedhimisht, KEK sh. a. njofton që nuk ka shitur energji elektrike në Shqipëri gjatë muajit dhjetor, përveç kthimit të një sasie shumë të vogël të borxhit në energji KESH-it. Për informimin e drejtë të publikut, KEK-u njofton që bëhet fjalë për një sasi të energjisë fare të vogël, e cila është e barabartë gjatë tërë nëntorit dhe dhjetorit me energjinë elektrike që KEK ka marrë nga KESH vetëm gjatë dy ditëve në fund të dhjetorit dhe gjatë janarit. Kjo nënkupton që informatat e publikuara në media të ndryshme për sasi të mëdha të energjisë kinse të shitura KESH-it nga ana e KEK-ut janë të pasakta! KEK sh. a. ka vënë në dispozicion të KESH-it tërë potencialin e vet teknologjik për të ndihmuar në tejkalimin e vështirësive në hidrocentralet e KESH-it, vështirësi që kanë rezultuar nga ngritja e nivelit të prurjeve në liqenin e Fierzës. KEK-u mbetet thellësisht i angazhuar të ndihmoi dhe në ditët në vijim deri në stabilizimin e gjendjes në hidrocentralet shqiptare”, përfundon deklarata e KEK-ut, në përgënjeshtrim të njoftimeve të publikuara sot në mediat e Edvinit....