E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mot i rënduar në të gjithë vendin, ja harta e zonave problematike

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, ka publikuar hartën e zonave problematike pas motit të rënduar si dhe situatën në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, kur rreth 80% e territorit të vendit u përfshi nga reshje të dendura shiu dhe dëbore. Në zonat veri dhe verilindore dhe jugperëndimore të vendit, ka pasur reshje dëbore, të cilat në disa rrethe kanë qenë intensive, kryesisht në veri, kurse në disa rrethe reshjet  kanë qenë më të dobëta. Në disa zona situata paraqitet më e vështirë, ku shumë komuna kanë mbetur të izoluara nga dëbora e madhe. Gjithashtu, problem mbeten edhe një pjesë e mirë e segmenteve kryesore rrugore, të cilat janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Qarku Shkodër
Ka pasur reshje intensive dëbore. Në komunat e thella malore lartësia e dëborës varion nga 40 cm deri në 1 m. Më problematike situata ka qenë në rrethin e Pukës, ku në disa komuna të këtij rrethi lartësia e dëborës ka arritur në 80 cm. Në Qafë Mali, për shkak të reshjeve të dëborës dhe erës së fortë ka pasur grumbullime bore që kalonte lartësinë 1m. Gjithashtu, ka pasur bllokime të rrugëve për në komunat Shalë, Shllak dhe Shosh, si dhe janë bllokuar disa fshatra të komunave Kelmend, Shkrel. Të bllokuara janë dhe komunat e Iballës, Qelzës dhe Rrapës ku dëbora ka arritur në lartësinë mbi 90 cm. Në Qafë Mali dëbora e rënë gjatë natës së enjte ka arritur në 1 m dhe në disa zona ka kaluar lartësinë e 1.5 m.
Qarku Kukës
Në këtë qark, gjatë paradites së enjte ka pasur reshje shiu dhe në orët e pasdites në qytet kanë filluar reshje të dobëta dëbore, kurse në komunat e larta reshjet kanë qenë intensive. Në rrugët nacionale paradite nuk ka pasur probleme për qarkullimin e automjeteve, kurse në orët e vona të pasdites në rrugën Fierzë -Qafë Mali dhe në segmentin e Qafës së Malit për gati 5 orë rruga ka qenë e bllokuar deri në ndërhyrjen nga borëpastrueset. Në qytetin e Kukësit dëbora ka krijuar një shtresë prej 50 cm, por bashkia e qytetit ka angazhuar një fadromë dhe një borëpastruese për hapjen e rrugëve. Disa nga komunat më malore të këtij qarku janë bllokuar nga dëbora sepse lartësia ka arritur në 70 cm. Komuna e Zapodit, Grykë-Çajës, Kalisht dhe Arrën janë të bllokuara plotësisht.
Qarku i Gjirokastrës
Dëbora ka filluar në territorin e këtij qarku qysh në orët e para të mëngjesit me reshje jo shumë intensive, të cilat janë shtuar në orët në vazhdim. Probleme janë krijuar në qytetin e Gjirokastrës, ku dëbora ka arritur një shtresë prej rreth 30 cm. Për shkak të relievit të vendosjes së qytetit, pjerrësisë së madhe dhe rrugët e shtruara më kalldrëm janë krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve. Më problematike në këtë qark janë komunat Pogon e Zagori, të rrethit të Gjirokastrës dhe komuna Frashër e rrethit të Përmetit, në të cilat dëbora ka arritur në rreth 70 cm.

Qarku i Korçës
Në orët e para të mëngjesit kanë filluar reshje të dobëta të dëborës. Në zona të caktuara dëbora ka lartësinë 25 cm, por reshjet intensive kanë qenë në orët e pasdites, kryesisht në rrethin e Kolonjës. Të gjitha rrugët qarkullohen normalisht. Në Qafë Thanë, Qafë Plloçë dhe Qafë Qarr lartësia e dëborës ka arritur në rreth 15 cm dhe mjetet qarkullojnë vetëm me zinxhirë për shkak të ngricës dhe akullit. Më problematik ka qenë aksi rrugor Ersekë Leskovik Tre Urat sepse lartësia e dëborës është 25 cm dhe ka ngrirë.
Qarku Dibër
Kanë filluar reshjet intensive të dëborës gati në të gjithë territorin e qarkut, por dëbora është e shkrifët. Në disa komuna në zonat malore të rrethit Bulqizë dhe sidomos në Mat, si në Xibër dëbora ka arritur rreth 30 cm dhe Macukull 40 cm. Qarkullimi i mjeteve paraqet probleme sepse dëbora ka ngrirë dhe rrugët janë të rrëshqitshme. Po bëhen përpjekje nga komuna për të futur fadroma për pastrim dhe trajtim me skorje. Në qytetin e Peshkopisë dëbora ka arritur rreth 15 cm dhe vazhdon të bjerë, në qytetin e Burrelit është 15 cm, kurse në Bulqizë 8 cm, por nuk ka probleme. Të gjitha akset rrugore janë të hapura. Në segmentin rrugor Qafë Bualli-Krastë kalimi bëhet me zinxhirë. Komunat Lurë, Kalaja e Dodës, Selishtë, Ostren e Trebishtë janë të kalueshme por me zinxhirë. Lartësia e dëborës është rreth 30 cm.
Qarku Lezhë
Nuk ka pasur probleme në rrethet Lezhë dhe Kurbin të këtij qarku. Reshjet e shiut nuk kanë qenë intensive dhe hidrovoret kanë punuar me kapacitet të plotë. Dëbora e rënë në këto rrethe nuk ka mbajtur se ka qenë e shkrirë. Problemet janë shfaqur në komunat e rrethit të Mirditës, ku janë bllokuar rrugët e fshatrave me qendrat e komunave, si komunat Kthellë, Fan dhe Orosh. Mësimi në shkollat e këtyre komunave është ndërprerë për shkak të dëborës që arrin në rreth 60 cm.
Qarku Elbasan
Reshje dëbore ka pasur kryesisht në disa komuna të rrethit të Librazhdit dhe Malësisë së Elbasanit. Aksi më problematik ka qenë Elbasan-Tiranë kryesisht Qafa e Kërrabës ku lartësia e dëborës i kaloi të 40 cm. Qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë në të gjithë aksin rrugor. Në të gjithë qarkun nuk ka komuna të bllokuara.
Qarku Vlorë
Probleme ka vetëm në Qafën e Llogarasë, ku dëbora ka arritur trashësinë rreth 50 cm. Ndërmarrja e rrugëve nacionale ka vendosur një mjet borëpastrues në këtë aks rrugor, i cili po punon për të mos lejuar bllokimin e rrugës. Nga Policia rrugore janë marrë masat që të mos lejohet qarkullimi i mjeteve pa zinxhirë në këtë aks rrugor.
*****************************
Masat për situatën
Qarku Shkodër
Në tre akset rrugore kryesore të Pukës janë angazhuar pesë mjete borëpastruese. Gjithashtu janë angazhuar forca dhe mjete të komisariatit të policisë së Pukës. Dje kanë ndërhyrë edhe dy mjete borëpastruese të ushtrisë të dislokuara për këtë qëllim. Aksi Kukës-Fushë Arrës është i hapur për makinat e lehta me zinxhirë.
Qarku Kukës
Rrugët nacionale po trajtohen me kripë dhe skorje. Në qytetin e Kukësit janë angazhuar dy mjete për hapjen e rrugëve.
Qarku Korçë
Mjetet borëpastruese po punojnë në akset problematike dhe rrugët po trajtohen me skorje dhe kripë.
Qarku Dibër
Po trajtohen me skorje dhe kripë rrugët nacionale. Ndërmarrjet e kontraktuara dhe njësitë vendore kanë angazhuar mjete dhe forca për të hapur akset lidhëse me komunat.
Qarku Lezhë
Në qarkun Lezhë po punohet me mjete në Aksin Milot Qafë Benë dhe në aksin Kurbnesh Lurë.
Qarku Gjirokastër
Ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve po trajton me skorje dhe kripë segmentin rrugor të Virojit dhe në veçanti Qafën e Muzinës ku problemet e rrëshqitjeve janë prezente nga dëbora e ngrirë.
Qarku Elbasan
Janë angazhuar 2 mjete, një mjet borëpastrues nga Ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe një dhe një mjet tjetër tip fadrome është vënë në dispozicion nga Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu për të bërë të mundur kalimin e mjeteve në Qafën e Krrabës, kanë ndihmuar dhe forcat e policisë rrugore.
Qarku Vlorë
Ndërmarrja e rrugëve nacionale ka angazhuar mjete për mbajtjen hapur të aksit të qafës të Llogarasë. Policia rrugore ka marrë masa për mos lejimin e mjeteve pa zinxhirë në këtë aks.

**********************************************
Shtabi i Emergjencave, 4 helikopterë drejt veriut
Pas situatës problematike të krijuar si pasojë e reshjeve të dëborës është mbledhur dje Shtabi i Emergjencave Civile i kryesuar nga zv. Kryeministri, Genc Pollo njëkohësisht kryetari i këtij shtabi si dhe ministrat kryesorë të kabinetit qeveritar. Shtabi emergjencës vendosi të dislokojë automjete borëpastruese të xhenios që disponojnë forcat e armatosura në disa segmente problematike në veri të vendit si në aksin Pukë Fushë Arrëz- Shën Mëri Kukës. Gjithashtu, u vendos që helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë do të qëndrojnë në gatishmëri për të ndërmarrë operacione kërkim shpëtimi sipas nevojës. Ndërkaq, 4 helikopterë, nga të cilët një i Ministrisë së Brendshme, një i Ministrisë së Shëndetësisë dhe dy të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, kanë vepruar dje në veri të vendit për të zgjidhur probleme të shkaktua

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›