E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjenca e Fierit "kanoset" nga të dehurit, mjekët kërkojnë ndihmën e policisë

E ndërsa shërbimi spitalor është duke u përballur me vështirësi të shumta në spitalin e Fierit, një fenomen tepër shqetësues ka zemëruar mjekët e pacientët. Një person i dehur i është drejtuar spitalit rajonal të Fierit paraditen e djeshme, duke shkatërruar gjithçka e duke prishur rregullin dhe qetësinë në repartin e urgjencës. Kanë qenë pacientët ata që kanë kërkuar ndihmë, e ndërsa janë lajmëruar menjëherë uniformat e policisë. "Personi i dehur u fut menjëherë në dhomën ku ndodhet e shtruar nëna ime, e filloi të shante e bërtiste me të madhe. E shoqëruan deri te dera e repartit dy persona të tjerë, ndërkohë që i dehuri shkatërroi krevatet e hodhi në tokë çdo gjë që ishte në dhomë. Mjekët u alarmuan, por nuk kishte kush ta mbante. Lajmëruan menjëherë policinë, por nëse do të ishte e nevojshme do të përballeshim vetë", shprehet Vladimir Bane, nga fshati Zharrëz i rrethi të Fierit, i cili kishte sjellë në urgjencë të ëmën e sëmurë me zemër. Ai shtoi se mjekët lajmëruan policinë, e ndërsa i dehuri kishte hedhur në tokë shtretërit e orendi të tjera. Vetë mjekët e spitalit të Fierit janë shprehur se kjo situatë është e përsëritur dhe se duhet të merren masa imediate për të zgjidhur këtë problem tepër shqetësues. "Ky nuk është rasti i parë që persona të dehur hyjnë në repartin e urgjencës dhe shkatërrojnë gjithçka. Mendoj se faj për këtë gjendje ka organizimi i punës që bëhet në repartin e pranim-urgjencës. Për këtë arsye, i jemi drejtuar me kërkesa të herëpashershme drejtorisë së spitalit, e cila aktualisht është duke marrë masa. Mesa dimë po ndërtohet një mjedis i veçantë për trajtimin e personave të dehur, pasi ne kemi vetëm shtatë shtretër, ku trajtohen të sëmurët e të gjitha kategorive, mes tyre edhe të dehur. Në këto kushte është vërtetë keq, sidomos natën që jemi në mëshirë të fatit", tregon mjeku Ndriçim Kallashi,
Kërkesa e mjekëve
Sipas mjekëve të spitalit, problemit i jep zgjidhje vetëm vendosja e një patrulle policore në mjediset e urgjencës, në mënyrë që qetësia të jetë e garantuar gjatë 24 orëve. Pikërisht për këtë problem mjekët e spitalit i kanë dërguar një peticion drejtorisë së spitalit Fier, për të vendosur në dije këtë të fundit mbi situatën që mbizotëron në këto mjedise. Të detyruar nga përsëritja e të tilla akteve mjekët dhe i gjithë stafi i shërbim- urgjencës ka shprehur nëpërmjet peticionit rrezikun që i kanoset gjatë ushtrimit të detyrës si dhe ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për të ndryshuar situatën. Mjekët e shërbimit të urgjencës kanë theksuar ndër të tjera se nëse nuk merren masa do ti detyrojnë të ndërpresin edhe punën në shenjë proteste. E ndërsa kaosi pushtoi repartin e urgjencës, reagime ka pasur edhe nga drejtoria e spitalit të Fierit. Kreu i këtij institucioni, Najada Jahiqi është shprehur se për të gjetur një zgjidhje i ka kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim komisariatit të policisë Fier, për të shmangur përsëritjen e të tilla rasteve. Edhe pse gjithçka është stabilizuar, frika mbizotëron në mjediset e spitalit, mjekët e të cilit, deri në vendosjen e një patrulle stabël do të vazhdojnë të punojnë të pasigurt.

Email This Klikime: 8

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›