Tekstet shkollore, rregullat e reja për përzgjedhjen e tyre
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar rregulla të reja për përzgjedhëse e teksteve mësimore që do të përdoren në shkollat e arsimit bazë dhe atij të mesëm. Shtëpitë botuese tashmë kanë depozituar alternativat e tyre pranë komisionit të miratimit në MASH. Megjithatë për këtë vit janë caktuar një sërë ndryshimesh, që do të shoqërojnë procedurën e selektimit të titujve që do të përzgjidhen.
Kështu, librat që gjatë vitit të shkuar janë shoqëruar me shumë alternativa, këtë vit do të jenë sërish në procesin mësimor, por pa u dashur të përfshihen në garën e përzgjedhjes, çka do të thotë se për këto të fundit do të rishkruhen kontratat me shtëpitë botuese. Rilidhja e këtyre kontratave do të jetë e vlefshme vetëm pasi të jenë korrigjuar edhe gabimet apo defektet që këto tekste kanë shfaqur gjatë vitit mësimor. Një tjetër ndryshim, me të cilin është shoqëruar rregullorja e zgjedhjes së këtyre teksteve, është dhe shtimi i alternativave të huaja për disa lëndë. Sipas ndryshimeve të bëra, mësohet se do të respektohen rezultatet e teksteve, të cilat kanë qenë fitues në vitin e kaluar, nga klasa e parë deri në vitin e katër të shkollës së mesme. Tekstet për të cilat janë ofruar 3, 4, 5 apo më shumë alternativa, nuk do të ketë nevojë të përsëriten për këtë vit. Ndërsa për tekstet e lëndëve për të cilat ka pasur vetëm një alternativë ose dy do të rihapet procesi i kërkesës për tekste të reja alternative në mënyrë që të ofrohen më shumë tekste për mësuesit gjatë përzgjedhjes. Gjithashtu po operohet edhe me korrigjimin e të gjitha defekteve që janë vënë re në tekste gjatë vitit të shkuar. Për këtë është hapur një rubrikë nga MASH, për mbledhjen e të gjitha vërejtjeve që kanë mësuesit e lëndëve të ndryshme për tekstin që ata kanë përdorur. Synimi kryesor i kësaj procedure është korrigjimi i defekteve në tekstet që vetë mësuesit i kanë konstatuar gjatë punës me to. Procesi i ribërjes së kontratave do të marrë në konsideratë edhe korrigjimin e teksteve të miratuara më parë.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1