Moti i keq, Gjunkshi dhe Spahia inspektim në Kukës

Përkeqësimi i situatës së motit ka vënë në lëvizje strukturat shtetërore, duke u angazhuar në inseptim në terren për të parë nga afër situatën. Gjatë ditës së sotme shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të RSH-së, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi dhe zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahia ndodhen në Kukës, ku po inspektojnë gatishmërinë e Forcave të Armatosura. Ndërkohë borëpastrueset e Forcave të Armatosura vazhdojnë punën në Rrugën e Kombit, e cila aktualisht është e kalueshme me zinxhirë. Ndërkaq informacionet e fundit nuk sjellin aspak situatë optimiste për rrethin e Tropojës. Mësohet se trashësia e dëborës ka arritur mbi 2 metra në Dragobi, ndërsa në Valbonë trashësia e dëborës shkon në tre metra dhe banorët vendas kanë lëshuar alarmin për ndihmë nga shteti. Po kështu edhe në Shkodër shtabi i emergjencës gjatë mbledhjes së sotme ka kërkuar shpalljen e emergjencës në Pukë për shkak të reshjeve të dëborës. Lajmet e fundit nga pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës bëjnë me dije se janë bllokuar nga dëbora plot 30 kamionë në afërsi të pikës. Shumica e kamionëve të bllokuar në aksin rrugor Qafë Thanë-Strugë janë me targa shqiptare dhe policia maqedonase nuk lejon qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë nga dëbora. Po kështu situata e rënduar ka shtyrë dhe ndeshjen Gramozi-Besa, e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë së pare. Lojtarët e ekipit të Besës janë detyruar të kthehen mbrapsh, pasi nuk kanë mundur të depërtojnë drejt Ersekës.