E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situatë kritike në veri, banorët: Na kanë mbaruar rezervat ushqimore

Kur veriu i Shqipërisë po përjeton situatën më të vështirë nga izolimi, probleme të shumta paraqiten edhe në furnizimin me energji elektrike të këtyre zonave. Kështu komuna Lekas gjendet pa energji elektrike prej 10 ditësh për shkak të motit të keq. Në një situatë të tillë banorët e komunës Lekas bëjnë thirrje për ndihma, pasi sipas tyre po u mbarojnë rezervat. Po kështu gjendja në komunën e Dëvollit mësohet të jetë rënduar dhe më tepër nga vazhdimi i reshjeve të dëborës, ndërsa edhe këtu prej 14 orësh ka mungesë energjie elektrike, në një kohë kur temperaturat arrijnë në -18 °C. Banorët bëjnë thirrje se nuk kanë rezerva ushqimore, as ushqim për bagëtitë. Në fshatrat e disa komunave trashësia e reshjeve të dëborës arrin deri në 2 metra. Alarmante dhe tejet problematike vazhdon të jetë gjendja në komunën e Tropojës, ku 95 % e fshatrave është e izoluar, ndërsa trashësia e dëborës varion nga 2.5 në 4 metra. Sipas njoftimeve deri në momentet që flasim në këtë komunë nuk kanë mbërritur ndihma ushqimore, as medikamente, pasi helikopteri nuk mund të ulet për shkak të motit të keq. Ky lajm u konfirmua nga vetë kryetari i komunës së Tropojës ,Ramë Kërtoçi. Po kështu nevojë për ndërhyrje paraqet komuna Lekas, ku pritet të ndërhyjë e shtabi i emergjencave për të dërguar ndihma. Në disa fshatra të thella të komunës Lekas, trashësia e dëborës arrin deri në 2 metra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›