E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, Peja shpall gjendjen e jashtëzakonshme

PEJE - Kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, ka marrë vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e komunës së Pejës, për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit.

Me këtë vendim të gjitha drejtoritë komunale ngritin në shkallën më të lartë masat e gatishmërisë, duke aktivizuar të gjitha kapacitetet përfshirë edhe ato njerëzore. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë.

Mësohet se trashësia e dëborës në komunën e Pejës ka kaluar trashësinë prej mbi 60 cm, dhe po vazhdon të bjerë. Pesë kompani janë angazhuar për pastrim ndërsa pritet të angazhohen edhe dy të tjera. Lëvizja është vështirësuar si për automjete ashtu edhe për këmbësorët.

Ndërkohë konfirmohet se rruga Pejë- Rugovë është mbyllur në kilometrin e 9-të, nga një ortek i madh bore, ndërsa aksi Pejë-Kullë-Rozhajë mbetet i hapur vetëm për qarkullim të automjeteve të vogla.

Për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe erës së fortë, një ditë më parë edhe kryetari i Kaçanikut shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në territorin e kësaj komune.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›