Moti i keq, bllokohet dogana e Kapshticës dhe disa akse rrugore
Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës gjatë 24 orëve të fundit kanë çuar në bllokimin e disa akseve rrugore në vend.
Reshjet e rëna gjatë natës e kanë bërë të pamundur lëvizjen e kamionëve dhe autobusëve drejt pikës së kalimit kufitar në Kapshticë. Për shkak të bllokimit të aksit Kapshticë-Kozanë, qarkullimi mund të bëhet vetëm me automjete të vogla, të pajisur me zinxhirë.
Ndërkohë, udhëtarët janë përballur sot edhe me një problem tjetër: një defekt teknik në sistemin kompjuterik të doganës, gjë që e ka bërë të pamundur përpunimin e dokumentacionit të tyre.
Ndërsa në dy portet kryesore të vendit, atë të Durrësit dhe Vlorës, moti i keq ka sjellë në oraret e mbërritjes në destinacion të udhëtarëve.
Në veri, situata paraqitet problematike në rrethin e Dibrës, ku si pasojë e reshjeve të borës janë bllokuar komunat Sllove, Lurë e Kala e Dodës. Gjithashtu, trashësia e dëborës ka bllokuar komunat Ostren e Trebisht në Bulqizë si dhe rrugët e fshatrave të komunave Martanesh e Zerqan.