Moti i keq lë periferinë e Tiranës pa energji elektrike
Mëngjesin e djeshëm disa zona të Tiranës janë gdhirë pa energji elektrike. Shkak për këtë ishin erërat e forta, të cilat dëmtuan disa linja ajrore që furnizojnë kryesisht periferinë e Tiranës. Konkretisht energjia ka munguar në disa zona si Shkozë, Qyteti Studenti, Kinostudio, Fusha e Aviacionit etj,. Sipas burimeve nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, grupet e elektricistëve bënë të mundur rikthimin e energjisë në disa zona. Në fakt nuk është hera e parë që moti i keq bëhet shkak për mungesën e energjisë elektrike në kryeqytet. Pak ditë më parë, kreu i OSSH-së Dollapi premtoi furnizim pa ndërpreje për të gjithë konsumatorët që e paguajnë energjinë dhe deklaroi se OSSH do të vazhdojë fushatat për të ndërprerë energjinë e debitorëve. Ndërsa lidhur me ditët e festave, Dollapi premtoi se Furnizimi me energji elektrike do të bëhet pa ndërprerje gjatë gjithë kohës. Sipas tij, OSSH-së ka marrë të gjitha masat për parandalimin e defekteve që mund të ndodhin si dhe premtoi një situatë normale megjithë ngarkesën që do të ketë në ditët e fundvitit. Aktualisht operatori i sistemit të shpërndarjes është në fazën përfundimtare të privatizimit. Qeveria ka miratuar kontratën e privatizimit të operatorit të sistemit të shpërndarjes të energjisë (OSSH). Pronarët e rinj të kësaj kompanie janë çekët e "CEZ". Qeveria dhe çekët kanë hyrë në një fazë negociatash për kushtet e kontratës, të cilat do të përcaktojnë ecurinë e treguesve, por edhe tarifat e energjisë në vitet e ardhshme. Kjo pasi blerësit e OSSH-së pritet të përmirësojnë edhe dy treguesit kryesorë, që janë ulja e nivelit të humbjeve të energjisë dhe rritja e nivelit të arkëtimeve. Me privatizimin e OSSH-së pritet të përmirësohet ndjeshëm cilësia e furnizimit me energji të konsumatorëve.
Zonat pa drita
Shkozë
Qyteti Studenti
Kinostudio
Fusha e Aviacionit
Ibë
Zona te Gurorja