E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi rikthehet nga e para

 

BLEDAR HOTI

Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare vendosi që dekreti i Presidentit Topi për Kodin të shqyrtohet nga ana e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Konferenca ka shqyrtuar dje për mëse dy orë mënyrën e shqyrtimit të dekretit të presidentit, si dhe për kalendarin e punimeve që ka mbetur për këtë sesion parlamentar. Duke qenë se Rregullorja nuk i jep të drejtën komisionit të Ligjeve për të shqyrtuar dekretin e presidentit, pasi duhet të shqyrtohet nga komisioni përkatës, konferenca ka vendosur që të ngrihet komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore. Socialistët kanë kërkuar që ta shqyrtojë Komisioni i Ligjeve, por kjo nuk është pranuar nga demokratët. PD-ja ka nxjerrë pretendimin se nuk e lejonte Rregullorja e Kuvendit. Më pas është kërkuar një afat një javor, por nuk është pranuar. Në bazë të Rregullores së Kuvendit dekreti i Presidentit për rishqyrtim ligji miratohet nga ana e komisionit përgjegjës. Duke parë se komisionit i ka mbaruar afati, konferenca është e detyruar që të miratojë një mandat të ri gjersa të realizohej ndryshimi i kërkuar nga ana e presidentit. "Kur Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 85 të Kushtetutës, rikthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht. Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit", thuhet në nenin 86 të Rregullores së Kuvendit. Ndërsa afati i Kuvendit për të shqyrtuar dekretin është 8 javë nga paraqitja e tij, Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj në prononcimin e saj pas mbledhjes, bëri të ditur se "puna e komisionit mund të përfundojë edhe në pak ditë". "Sigurisht që Rregullorja jep afatin fundor që ka të bëjë me tetë javë. Por, kjo s'do të thotë që komisionit të jetë për kaq kohë. Do ta vendosë seanca për ushtrimin e funksionimit të këtij komisioni. Por, natyrisht është vetëm një çështje që do të shqyrtohet dhe nuk besoj ka nevojë për tetë jave", deklaroi Leskaj. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të partisë më të madhe të maxhorancës, Astrit Patozi deklaroi se "ne e morëm këtë vendim në respekt të rregullores, e cila kërkon që ligjet që kthehen nga Presidenti do të shqyrtohen në të njëjtin komision që i ka shqyrtuar ato paraprakisht pra kemi qenë të detyruar që të ringrejmë komisionin e reformës zgjedhore, i cili brenda një afati sa më të shkurtër do të kalojë Kodin Elektoral". Të hënën, në seancën e pasdites pritet të paraqitet për votim projektvendimi për krijimin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore me qëllim shqyrtimin e dekretit të presidentit Bamir Topi për ligjin "Kodi Zgjedhor".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›