E Diel, 1 Nëntor 2026

PD mbush 18 vjeç nën ritmet metal, Berisha:Aplikim në BE në 2009

 

ADI SHKEMBI

Partia Demokratike feston 18-vjetorin e krijimit të saj. Nën ritmet e muzikës metal të "AC-DC", demokratët janë mbledhur sërish në Pallatin e Kongreseve, këtë herë më shumë me mendjen te zgjedhjet e ardhshme se sa te përvjetori i partisë. Me një skenografi të ngjashme me atë të pak ditëve më parë në Pallatin "Asllan Rusi", një fotokopje kjo e zgjedhjeve amerikane, qindra militantë dhe përkrahës të PD-së mbushën Pallatin e Kongreseve. Dy monitorë ishin vendosur mbi foltoren, nga ku kryeministri do t'i drejtohej të pranishmëve, ndërkohë që një i tretë ishte në holl. Edhe pankartat "Shqipëria po ndryshon" të njëjta me ato që paralajmëronin ndryshimin e ofruar nga Obama në SHBA ishin të pranishme në të gjithë sallën kryesore. Sipas zyrtarëve të selisë blu, numri i ftesave të shpërndara ka qenë mbi pesë mijë. Në hyrje të tij ishte vendosur numri 18, numër që tregonte vitet e krijimit të PD-së, ndërkohë që në hollin e Pallatit të Kongreseve ishte vendosur torta tradicionale, e cila u pre nga kreu i qeverisë, në përfundim të fjalimit të tij rreth 60 minuta. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe aleatët e demokratëve, republikanët, agrarët dhe liberaldemokratët, por mungonin demokristianët e Ndokës. Gjithashtu një vend në rreshtin e parë kishin edhe Neritan Ceka, familja mbretërore dhe Legaliteti. Nga opozita, ashtu si edhe një vit më parë, socialistët ishin të përfaqësuar me kryetaren e grupit parlamentar Valentina Leskaj dhe kryetarin e kreut të PS-së së Tiranës, Besnik Bare. Edhe LSI-ja ishte e pranishme në festën e demokratëve me Pëllumb Xhufin e Ndre Legisin. Por teksa përfaqësuesit e LSI-së janë larguar pas përshëndetjes në festë, dy zyrtarët e selisë rozë kanë hyrë në sallën kryesore të Pallatit të Kongreseve, ku kanë ndjekur për një orë fjalën e kryeministrit, madje në disa raste u është dashur edhe të duartrokasin pas ngritjes së tonit të kreut të qeverisë gjatë fjalimit të tij. Në 60 minuta fjalim, kreu i demokratëve vlerësoi krijimin e të parës parti antikomuniste si krijimin e pluralizmit në Shqipëri. Teksa i referohej regjimit të kaluar, Berisha tha se "Sistemi komunist u faktua si eksperimenti më tragjik, më represiv që njerëzimi kishte njohur që nga rendi skllavo-pronar gjer sot. Ky sistem, në regjimin e Enver Hoxhës, afërisht si në ato të Pol Potit dhe Kim Ir Senit, njohu variantin më barbar, më totalitar". Në të njëjtën, kohë kreu i qeverisë premtoi se Shqipëria do të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat. "Jam këtu, në këtë ditë solemne të idealeve evropiane të shqiptarëve, për t'u zotuar se, muajt e parë të vitit të ardhshëm Shqipëria do të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Evropën", theksoi Berisha. Në fund ai nuk la pa përmendur edhe ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, përurimi i të cilës, sipas kreut të qeverisë, tmerron kundërshtarët e saj.

Torta e ditëlindjes
Si në çdo ceremoni tjetër të demokratëve, të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, në hollin e tij ishte vendosur torta tradicionale, e cila u pre fillimisht nga Kryeministri dhe Kryetari i PD-së Berisha. Ndryshe nga një vit më parë, disa roje kanë ruajtur atë që nga fillimi, për të mos u prishur nga shtyrjet e shumta të qindra njerëzve që ishin në holl.

Skenografia
Ashtu si pak ditë më parë në ditën e rinisë në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi", organizatorët e ceremonisë së djeshme kanë marrë sërish si model atë të kandidatit demokrat për shtëpinë e bardhë, Barak Obama. "Shqipëria po ndryshon" ishte sërish motoja e demokratëve në 18-vjetorin e krijimit të tyre, ndërkohë që në skenën e madhe në sallën kryesore ishte vendosur një parrullë "12 dhjetor 1990... dita kur zgjodhëm lirinë, ndryshimin".

Neritan Ceka
Megjithëse Neritan Ceka nuk ka folur ende për bashkimin me Partinë Demokratike, të paktën dje ai ka qenë demokrat. Një nga themeluesit e PD-së në dhjetor të vitit 1990, Kryetari i Aleancës Demokratike ishte në rreshtin e parë të zyrtarëve të lartë demokrat vetëm pak vende larg Kryeministrit Berisha, dhe dy nënkryetarëve Topalli e Patozi. Ceka ishte së bashku me Bregun, Bashën dhe Alibeajn.

Socialistët
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste duket se nuk e kanë pritur që këtë vit ceremonia nuk do të kishte një fjalë rasti në hollin e Pallatit të Kongreseve dhe më pas kokteil. Valentina Leskaj dhe Besnik Bare janë futur në sallën kryesore dhe kanë zënë vend në rreshtin e dytë, por shumë shpejt kuptuan se nuk mund të lëviznin më që aty, për shkak të pjesëmarrësve të shumtë dhe janë detyruar të dëgjojnë për rreth 60 minuta Berishën, ku në disa raste edhe e kanë duartrokitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›